Mbrojtësi i Milanit, Alesandro Nesta, ka hedhur poshtë mundësinë që në sezonin e ardhshëm ai të veshë fanellën e Juventusit. Kontrata e 36 vjeçarit me kuqezinjtë përfundon me mbylljen e sezonit 2011-2012 dhe futbollisti është në pritje të një oferte, nga ky klub apo të tjerë, për të vendosur të ardhmen e tij.
Nesta ka treguar për “Milan Channel” se nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me të ardhmen, por ka hedhur poshtë kategorikisht kalimin te Juventus.
“Nuk kam vendosur asgjë për të ardhmen, do ta marr vendimin vetëm në përfundim të sezonit. Është e qartë që nuk do të shkoj te Juventusi. Çdo gjë që është shkruar rreth kësaj teme nuk është e vërtetë. Unë nuk kam menaxher dhe kushdo që dëshiron të nënshkruajë një kontratë duhet të flasë drejtpërdrejt me mua”.
“Deri tani, askush nuk ka kontaktuar me mua. Unë nuk kam nevojë të shkoj te Juventus dhe Juventusi nuk ka nevojë për mua”, ishte komenti i prerë i mbrojtësit italian rreth kësaj çështje që ka pushtuar faqet e para të gazetave gjatë javëve të fundit.