Flet Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj
Prej janarit dizajni i Re:fressh po shoqëron imazhin e Partisë Socialiste. Çfarë ka të re në këtë fushatë?
Nëse çdo gjë shkon sipas kalendarit politik, kanë mbetur vetëm 400 ditë gjer në zgjedhje. Ndaj është jetike që ekipi ynë të shtohet në numra e në cilësi – të rifreskohet e ripërtërihet me energji të reja. Fundja zgjedhjet janë një betejë idesh dhe numrash. Re:Fressh ka qenë kështu një ftesë për këdo që e ndjen se duhet të kontribuojë jo duke sharë në blogje, jo duke shfryrë në kafe, jo duke u bërë qaramanin pse gjërat nuk ndryshojnë ose pse Saliu nuk rrëzohet nga ‘të tjerët’. Jo, kjo është mundësia e atyre që thonë “unë do përfshihem vetë me grupin më të madh e më demokratik në vend që të jap një dorë që gjërat të ndryshojnë”. Unë jam i lumtur që mijëra të rinj ju bashkuan kësaj thirrje këto muaj në 20 rrethe të vendit. Këtë fundjavë do të vazhdojmë në Gjirokastër e Sarandë ku mbi 1mijë të rinj të tjerë do bashkohen me ekipin tonë. Gjer në fillim të Qershorit do të kemi qenë në çdo rreth të Shqipërisë me këtë fushatë. Në atë moment do të jemi më të fortë në numra e ide, e gati për një betejë vendimtare për vendin.
Kush janë këta që po i bashkohen PS, të rinj në moshë, apo të rinj në PS?
Kryesisht të rinj në moshë, që politikën e kanë parë me përbuzje më parë – fundja si gjithë ne. Por që kanë kuptuar, se ishte politika që e bëri Amerikën, që krijoi BE-në, që ka krijuar mundësi për shumë të rinj në vende të tjera për arsim e punësim. Ndaj po, ka politikë të keqe kur të pa-aftët merren me të dhe ua shpifin gjithë të tjerëve që të mos merren me këtë punë që ata e kanë bërë pis. Por, nëse të rinjtë e të aftët angazhohen, s’ka pse t’mos ketë politikë më të mirë e më dinjitoze. Unë besoj që ishte politikë e mirë ajo e PS kundër importit të plehrave, ishte politikë e mirë ajo e PS kundër shitjes së detit apo ajo për heqjen e TVSH nga produktet bazë. Të rinjtë që na janë bashkuar janë ata që besojnë tek kjo lloj politike. Kam takuar pafund votues për herë të parë, që kanë lindur pas diktaturës, e i vetmi diktator që njohin prej 22 vitesh është ky që kemi. Jam habitur nga plot të rinj nëpër salla që sapo janë kthyer nga jashtë – studimet apo emigracioni – e me frymën perëndimore që sjellin duan të angazhohen e jo të ankohen. Ka pasur shume syresh, mbaj mend një grup të madh nga Lushnja që vinin nga një parti e rëndësishme e koalicionit e ndiheshin të fyer nga ky koalicion që bënte pazar me ëndrrat e tyre. Kam takuar anëtarë të rinj që janë me të gjitha 10ta, që janë sportistë të shkëlqyer apo artistë të talentuar që kanë kuptuar që në këtë vend talenti e merita nuk vlerësohen sa mbiemri e pushteti, ndaj dhe duan ndryshim. Duan ndryshim të rinjtë tanë me Re:Fressh në Athinë apo ata që do të takojmë javën e ardhshme në Firence. Jam i lumtur që e ndërmorëm këtë nismë.
Cila është tipologjia e një të riu që hyn në FRESSH. Çfarë kërkon ai, çfarë do të bëj aty që nuk e bën dot jashtë FRESSH?
Si shembulli më sipër, nuk mjafton të zemërohesh për shitjen e detit apo futjen e plehrave. Tek e tek secili nga ne thyhet e injorohet nga makineria e madhe e pushtetit. Maksimumi do shajmë e vëmë kujën, po pastaj dorëzohemi. Kjo ndryshon kur je pjesë e një grupimi të madh, 60 mijë firma mblidhen më kollaj, 100mijë në protestë është më e mundur, fitorja në Gjykatën Kushtetuese është më e sigurt, mobilizimi i opinionit publik më i madh, dhe fitoret për ndryshim në shumë bashki e komuna që as imagjinoheshin u bënë realitet. Po, nuk është cliche, bashkimi e bën fuqinë, e bashkë arrijmë të bëjmë gjëra që veç e veç na duken të pamundura.
A ka FRESSH një strukturë të pavarur organizative, apo ndjek strukturën organizative të PS në rrethe?
Ambicia e FRESSH është që në prag të zgjedhjeve të ketë një grupim të rinjsh në secilën prej 5,000 qendrave të votimit duke dyfishuar kështu ekipet e PS për fitore.
Si rekrutohen anëtarësia, dhe a është një anëtar i FRESSH automatikisht një anëtar i PS?
Çdo i ri mbi 16 vjeç mund të anëtarësohet, dhe në se duan të jenë pjesë vetëm e grupimit rinor mund ta bëjnë diçka të tillë. Fatmirësisht në PS e gjithë Shqipërisë ekziston sot një klimë aq e hapur ndaj të rinjve sa shumica e tyre përfshihen në plot nisma publike të PS pa u seleksionuar fare nga mosha.
Si zgjidhet një drejtues i FRESSH dhe strukturat e tij?
Anëtarët e çdo njësie vendore zgjedhin me votë kryetarin e tyre. Të gjitha njësitë vendore zgjedhin një drejtues për rrethin. Dhe delegatët nga çdo rreth zgjedhin kryetarin e FRESSH për Shqipërinë në një kongres të rinisë. Këtë vit ky zhvillohet në 12 Qershor në përvjetorin e PS. Momentalisht, shumë të rinj ambiciozë kanë sjellë kandidaturat e tyre, besoj do të jetë një garë shumë dinjitoze. Ajo që po bëjmë ndryshe këtë vit, është një turne debatesh publike në të 36 rrethet e vendit që t’u japi mundësinë të gjithë të rinjve të njihen me platformat e të gjithë kandidatëve finalistë nga data 5 Maj gjer në 5 Qershor e kësisoj të vendosin për më të mirin në datën 12 Qershor. Kjo do ta kthejë FRESSH-in në një hapësirë më demokratike dhe do t’u japi të gjithë anëtarëve të rinj të fushatës Re:Fressh mundësinë për t’u përfshirë direkt në vendimmarrje brenda organizatës së tyre. Ky është kontrasti që ne ofrojmë me konceptin turbofolk/tallava që qeveria ofron për rininë.
A ka probleme me trashëgimin e vjetër të FRESSH dhe si integrohen ata në strukturat e reja?
Oh, përkundrazi. Njerëz si Majko, Legisi, Zela apo kryetari i degës tonë në Londër, Krashi – si 4 themeluesit e FRESSH-it – kanë qenë një inkurajim e mbështetje konstante. Unë dhe sekretariati i rinisë jemi me fat për këshillat e idetë e tyre.
A ka projekte për aksione opozitare të pavarura nga PS FRESH apo është gjithmonë një mekanizëm ndihmës për aksionet e PS?
Po, ka një tryezë për Politikat Rinore ku Elisa Spiropali dhe ekipi po bëjnë një punë të shkëlqyer në propozimin e politikave konkrete për arsimin e punësimin e të rinjve. Në çdo komunë dhe bashki koordinatorët tanë të të rinjve janë kthyer në organizatorë të jetës sociale e kulturore në rrethe – javës që vjen kemi një panair pune në Durrës, një kampionat futbolli në rrethinat e Fushë Krujës, festën e Sarandës, takimin e Firences e shumë aksione të tjera lokale që mobilizojnë të rinjtë aty ku banojnë, e jo detyrimisht me një fanfarë të madhe vetëm në bulevard të Tiranës. Kjo strategji po jep më shumë fryte! Ne kemi bërë një pakt me rininë kur nisëm Re:Fressh dhe besoj fort se beteja e ardhshme për ndryshim, do jetë beteja që do vendoset nga të rinjtë – janë më idealistë, më të shumtë e më fort se kurrë në opozitë me regjimin!
Intervistoi: Bledar Lumani
Me ju SHqipëria sheh më larg.
Me ju SHqipëria sheh më larg dhe arin më shpejt.
edhe pse jam i majte ne bindje po ta them shkoqur!!IK PIRDHU!!
po te ishit burra do e kishit kthyer permbys kete plehre edhe pse do i behej nje dem i konsiderueshem vendit!!me mire te djegur e te rilindur sesa ne dore te hajduteve e te tradhtareve!!
p.s. per momentin jeni EPIC FAIL!!!