Biseda e pazbardhur mes Berishës dhe zonjës Klinton

26 Prill 2012, 18:24Antena TEMA

-Zonja Klinton, së pari dua tu falënderoj shumë për pritjen dhe do të desha të përmbush një nga ëndrrat e mia qysh tridhjetë vjet përpara, kur ëndërroja fshehurazi të tradhtoja komunizmin dhe të vendonim demokracinë në Shqipëri, që kur të isha në krye të vendit, t’iu ftoja ju për 100 vjetorin e pavarësisë.

-Faleminderit shumë zoti Berisha që gjetët kohë nga koha juaj e çmuar dhe ndatë me mua këtë orë të mrekullueshme, që nuk do ta harroj kurrë. Një minutë sa të shikoj agjendën!!

-Më falni, kur e keni ju festën e Pavarësisë, pyeti zonja Klinton.

–Më 28 Nëntor i tha Berisha.

–A, shumë mirë, do të vij patjetër, i tha zonja Klinton. Mandati ynë përfundon javën e pare të nëntorit, pastaj janë zgjedhjet presidenciale, dhe zgjidhet presidenti i ri. Do të vij patjetër se jam pa punë në atë datë. Meqë do jem Sekretare Shteti në detyrë, mund të bëj një shëtitje në gjithë Ballkanin. A ka ndonjë vend fqinjë me ju festën në atë datë?

-E ka pasur Jugosllavia më 29 Nëntor, por e kanë prishë se janë nda, i tha Berisha.

-OK, s’ka problem, po vij tek ju për festë dhe po dal dhe një shëtitje nga ata. Deri atëherë Presidenti i ri do ta ketë piketuar Sekretaren tjetër të Shtetit dhe kështu që nuk do të kem shumë ngarkesë.

-Faleminderit shumë. Populli shqiptar do tu jetë shumë mirënjohës, i tha Berisha. Do të desha ta merrnit me vete dhe Presidentin Klinton dhe vajzën tuaj.

-Ah, jo, ai s’e ka qejf Shqipërinë, ai do vetëm Kosovën, i tha Hillari. S’di ç’i ka hipur qejfi me ata kosovarët. Me Shqipërinë i ka ngelur qejfi prej viti 1997, që ju desh të çonte flotën e gjashtë në Adriatik për trazirat. Shpresoj mos të kthehen më ata njerëz në pushtet, se sa herë e kujton Billi, i prishet gjaku me atë gomar, si i thotë atij që ka qenë president në atë kohë. Unë s’e mbaj mend kush ishte pasi nuk flisja me Klintonin për shkak të historisë me Levinskin dhe ai flinte në kolltuk.

Berisha u përtyp nja dy herë, u skuq pak dhe ndërroi bisedë.

-S’ka problem, po mund të merrni vajzën. Shiko, vajzat kanë një aftësi të rrallë të imitojnë prindërit kur janë në politikë dhe marrin shumë nga tiparet e tyre. Jam i bindur se vajza juaj ka një pasion të madh për pushtetin dhe të shikojë se çfarë kanë bërë prindërit e saj.

-Ah, jo, vajza jonë e ka alergji pushtetin. Biles të dyve gati na mban mëri që i kemi kushtëzuar jetën me karrierën tonë. Ndjehet keq kur i thonë vajzë e Klintonëve dhe nuk i flasin në emër. Është e prirur të merret me jetën e saj larg nesh.

-Ashtu, shiko, dakord, ndoshta nuk i keni qëndruar afër dhe nuk e keni bërë pjesë të pushtetit. Shiko, vajza me është një shembull i shkëlqyer se si një vajzë ndihmon babain në pushtet. Të them të drejtën 90 për qind të punëve i zgjidh me të. Djali vetëm një dhjetë përqindësh bën, kur ka ndonjë gjë pak më ordinere, gjithë gjërat më fine me vajzën i bëj.

-Ah, jo, vajza jonë është shumë larg nesh në këtë pikë. Nuk do të dëgjojë për punët tona. Tani zoti Berisha do desha të diskutoj me ju dhe disa çështje që kanë mbetur pezull në Shqipëri, pasi unë dua që ta shikoj Shqipërinë sa më shpejt në BE….

-Patjetër zonja Klinton, po më parë më siguroni që ju do të vini më 28 Nëntor…

-Po patjetër, atë ta konfirmova, por desha të theksoj se çështja e presidentit është shumë e rëndësishme dhe ju duhet t’i hapni rrugë një procesi konsensual.

-Zonja Klinton, ardhja juaj më 28 Nëntor në Shqipëri do të jetë një ngjarje e madhe. I madh dhe i vogël do të jenë në sheshin e Tiranës, në sheshin kryesor, aty ku thirrjet për pavarësinë e Shqipërisë do të gjëmojnë…

-Dakord, e thamë atë zoti Berisha, por dua të theksoj se përveç presidentit një pikë e rëndësishme janë raportet tuaja me drejtësinë, ekspertiza e FBI për 21 Janarin dhe presionet ndaj prokurorisë…

-Të gjitha këto zonja Klinton keni për t’i pare të realizuara me sytë tuaja kur të vini për festën e Pavarësisë. Do ta festojmë në Sheshin Skënderbej në Tiranë, aty ku kemi pritur Bejkerin, ku kemi pritur Bushin, por ju do të keni një miting më të madh se të Bejkerit dhe Bushit së bashku. Aty kanë për të marrë përgjigjen e merituar gjithë ata që shpifin dhe mbushin dosjet tuaja me shpifje për Shqipërinë. Të pres në datë 28 Nëntor zonja Klinton, kisha ndërmend të thërrisja Shakirën që të mblidheshin njerëzit, kisha ndërmend të thërrisja Erdoganin, që të më vinin myslimanët, por tani që Ju pranuat, nuk më duhet asnjë njeri, e mbush me Ju sheshin. Qofsh e bekuar që pranove ftesën…

-Faleminderit zoti Berisha, por dua një reflektim për pikat që të thashë, pasi SHBA është shumë e shqetësuar për …

-Ke për të pa. Të gjithë do jenë në shesh, të gjithë të gëzuar, të gjithë do festojnë pavarësinë. Vetëm eja shikoje…

-Patjetër do të vij zoti Berisha, të thashë që jam pa punë atëherë, s’kam pse të mos vij, i tha zonja Klinton, e dëshpëruar që nuk bisedoi dot si duhej për çështjet që i kishin shkruar në zyrë.

Pasi Berisha doli, zonja Klinton mori në telefon burrin e saj, presidentin Klinton.

-Këta Berishët e Shqipërisë qenkan të gjithë njësoj, i tha. Edhe ky që është tani, njësoj si ai që më ke treguar ti dikur, nuk të lë t’i bësh asnjë vërejtje.

-Është i njëjti moj grua, i tha Klintoni. Pse çfarë e di Shqipërinë ti, Amerikë që ndërrohen udhëheqësit. Aty vetëm ambasadorët amerikanë ndërrohen, udhëheqësit rrinë nga 45 vjet.

6 komente në “Biseda e pazbardhur mes Berishës dhe zonjës Klinton”

  1. Pavaresia says:

    Me mire te qeshim apo te qajme? Kuptohet, me mire te qeshim! Ne(D.M.Th. Sala)po bajme gjithe boten te qeshi. Keshtu, qeshim dhe ne. Na dalte per hajr!

    1. Vlora says:

      HA HA HA HA……..e madhe shume,te lumte mero.

      -Është i njëjti moj grua, i tha Klintoni. Pse çfarë e di Shqipërinë ti, Amerikë që ndërrohen udhëheqësit. Aty vetëm ambasadorët amerikanë ndërrohen, udhëheqësit rrinë nga 45 vjet.

  2. MEMEDHETARI says:

    “Shikoje,shikoje,moj grua,shikoje dhe “shijoje”…-vazhdoi z.Bill-
    Eshte nje ekzemplar i rralle,…Je me fat qe po te jepet mundesia ta njohesh nga afer…Rralle here grumbullohen tek nje njeri i vetem te gjitha cilesite si megallomania,ambicja,pafytyresia,hipokrizia,kokeboshesia,servi-
    lizmi,karrierizmi,nenrrogozlleku,kopuklleku,dallkauklleku…
    E bashke me gjithe keto,edhe posti i Kryeministrit!!!…
    Fat te madh paske pasur…
    Gjynah,te mos e njihje kete njeri te cuditshem…”

    “Je duke me folur turqisht?”-beri shaka Hillari.

    Dhe…ne vend qe te gezohej,i erdhi me te vertete keq per “fatin” qe pati…

    Ne anen tjeter te telefonit,z.Klintin po qeshte me lot…ashtu sic e kemi pare ne nje filmim ne “You tube”,ne takimin me Boris Yelcinin…

  3. Albert says:

    Humor mjaft i goditur,edhe pse humor i zi!

  4. 100 vjet shtet says:

    Prap do i mashtroje shqiptaret ky Sali Vucidoli, duke u shtirur sikur e mbeshtet Amerika? O popull, mos u mashtroni……

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje