Me diplomë në xhep nuk kam frikë nga ty, o Jetë

1 Maj 2012, 12:17Blog TEMA

Nga Ermal Petushi

 

Jam i bindur që arsimimi i lartë sot konsiston në indoktrinim në masë, master në “Teknika Korrupsioni Bashkëkohore”, luftë me pedagogun për notën tënde, stres kolektiv, garanci për papunësi, harxhim lekësh, harxhim kohe, trashje trush etj etj etj….dhe po jua shpjegoj përse:

Jeni 21 vjeç, sapo jeni diplomuar në Universitetin “Xhaxhi Enveri” (sot “Teta Demokracia”) me mesatare 10, flamur me yll dhe lotët e gëzimit të mamës dhe babës. Pastaj i keni futur një specializim që ju e quani master, dhe keni ristudiuar shumë herë lëndë që i keni studiuar më pare (duke mësuar përmendsh nocione të shkruara mbi libra të lodhur, shpesh herë mediokër, të botuar falë tezave të studentëve të viteve më parë). Edhe 2 vite të tjera dhe gjendeni 23 vjeç me të ashtuquajturën “diplomë” në xhep. Nëse prindërve tuaj u ka ngelur akoma ndonjë qindarkë në xhep, në këtë pikë i fusni edhe një master 5000 euro (që mbase na hyn në punë me kohët që kanë ardhur) dhe pastaj o burra të bëjmë ndonjë stazh ku nuk të paguajnë, kështu kot, “për të mbushur curriculumin dhe për të pasur eksperiencë”…

Ndërkohë keni mbushur 25 vjeç, e ndjeheni dështakë dhe të frustruar sepse po kuptoni që diçka nuk shkon. Në këtë pikë duhet të bëni diçka; një gjë që me shumë mundësi nuk e keni bërë kurrë gjatë 25 viteve të jetës tuaj. T’i bëni një pyetje vetes dhe të mundoheni të kuptoni nëse ajo që përjetuat ishte vërtet ekzistenca juaj, ajo që vërtetë donit? Mos ndoshta sistemi (“Skema Ponzi” që ne i njohim si firma piramidale ku të gjithë dhanë, por jo të gjithë morën”), i cili po fundoset ashtu si Titanik jua ka “sugjeruar” duke ulëritur nëpër gazeta, tv e kafene për 20 vite me radhë që duhet të investoni që të bëheni dikushi? Kujdes: 90% prej jush nuk do ta kuptojë që ka bërë një rrugë standarde, duke vepruar në mënyrë të vazhdueshme si skllevër autonomë të bindur se në realitet jeni të veçantë dhe unikë. Shumica prej jush do jetë e bindur se ka bërë një hap përpara, se ndodhet në një “elitë intelektuale dhe profesionale” ku shumë pak vetë kanë privilegjin të arrijnë.

Jeta dhe ky sistem global gjithmonë e më shumë neoliberal do ju marrin me shpulla fytyrës që nga momenti i parë, duke ju bindur midis të tjerave që gjërat duhet të shkonin kështu sepse “ka krizë”dhe “duhet të falenderosh atë që të ofron punë në këto ditë të zeza”. Nëse për 20 e kusur vite keni bërë gjithçka çfarë ju kanë thënë të bëni dhe tani gjendeni me një letër higjenike në dorë, atëherë nuk duhet t’i qurraviteni, qaheni dhe ankoheni shoqërisë që nuk ju kuptoi apo vleresoi siç duhet. Gjatë këtyre viteve, ju vetem sa keni marrë mundimin të zgjidhni ngjyrën e zinxhirëve me të cilët do lidheni me një të ardhme mediokre-shfrytëzuese dhe këtë e keni bërë (mund t’ju duket e pabesueshme) me vullnetin tuaj të plotë.

Ishit bindur që me një diplomë dhe një specializim do kishit çarë botën më dysh, apo jo? Kush ka frekuentuar fakultetin e ekonomisë dhe shkencave politike me siguri i mban mend leksionet mbi inflacionin monetar. Një lloj “monstre”  që duhet luftuar me të gjitha forcat dhe me çdo kusht. “Është krim të hedhësh shumë kartmonedhë në qarkullim sepse është rreziku që leku të kthehet në letër higjenike” – kështu thoshte zysha. Mirë pra, atëherë pse nëpër Universitete nuk studiohet me imtësi i ashtuquajturi “Inflacion Akademik”? E thjeshtë fare, sepse universiteteve u duhen studentët për të mbushur llogaritë bankare e pastaj është llogjike apo jo? Sa më shumë të diplomuar me letra me “vlerë” në duar, aq më e fortë do jetë fuqia e punëdhënësit.

Duke e shndërruar “arsimimin e lartë” në një fenomen në masë, në dorë të çdo njeriu të aftë mendor në gjëndje të belbëzojë përmbajtjen e një libri të mësuar përmendsh, krijohet automatikisht një ofertë e palimituar punëtorësh me kosto të ulët dhe në të njëjtën kohë miliona syleshë binden që hyrja nëpër universitete më në fund u bë më “demokratike” (dhe e lehtë).

Rriten pretendimet,të paktën 2 gjuhë të huaja, diplomë + specializim, stazh dhe eksperiencë pune të mëparshme (nga një i sapodiplomuar?!!) dhe ulen garancitë, kushtet e pagat e punëtorit. Dhe eshte e pabesueshme që, pas kaq shume vitesh studim, janë kaq pak ata që e kanë kuptuar mekanizmin pervers që ne vetë, me miopi,arrogancë dhe provincializëm ushqejmë çdo ditë.

Falë punës time kam takuar dhe u kam shtrënguar dorën qindra njerëzve: kam njohur shumë meshkuj e femra të suksesshme, të kenaqur me jetën e tyre. Disa ishin të diplomuar dhe kishin ndjekur një rrugë studimi të ndërgjegjshme dhe brilante. Shumë të tjerë ishin njerëz të thjeshtë me kapacitet të të menduarit dhe vepruarit ndryshe. Secili per tyre kishte brenda vetes diçka që shkonte përtej diplomave e certifikatave që duan të na imponojnë e shesin vazhdimisht.

Por unë pyes veten për diçka: Si është e mundur që sot kemi krijuar një model nazizmi social kaq të pafytyrë dhe të pranueshëm nga të gjithë? Si është e mundur që sot është e pranueshme ideja që duhet pasur se s’bën “diçka më shumë”, nuk them për të bërë jetë luksi po aq sa për të patur një ekzistence të denjë? Njerëzit nuk kanë më të drejtën e “ëndrrave normale”, jetesës dhe ambicjes së thjeshtë? Kush nuk është Steve Jobs duhet t’i ngelet vetëm iluzioni i një titulli akademik gjithmonë e më të pavlerë, i nënpaguar përjetë e si qershia mbi torte, dhe nofka “çun mami”? Çdo gjë shkon mirë? Ose shkon keq por jo aq keq sa të ndalojë mijëra të rinjtë e mashtruar me xhepat plot me paret e babit, që çdo vit shqyejnë dyert e fakulteteve sepse nuk guxojnë të provojnë një tjetër rrugë, ose akoma më mirë; Të pyesin veten se çfarë mund të bëjnë për të reformuar këtë sistem arsimor e ta bëjnë më të dobishëm dhe më pak të komerçializuar.

-Jo,është shumë e lodhshme, po iki t’pi një kafe me çunat se loz dhe Barcelona sot, t’shof mos kap noj skedin!! – tha një shoku im.

http://respublica.al/opinion/2012/5/1/me-diplome-ne-xhep-nuk-kam-frike-nga-ty-o-jete

7 komente në “Me diplomë në xhep nuk kam frikë nga ty, o Jetë”

  1. Marjus says:

    I bashkohem unanimisht “deshperimit” tuaj per situaten qe po jetojme, shpesh here edhe une ne ambjentin tim bej nje reflektim te tille, edhe shija qe me ngelet nga pas sa here qe perfundon arsyetimi eshte nje nje “vetmi e brishte dhe e pashprese”, nje shije e hidhur, qe per fat te keq me njohurine dhe horizontin qe kam nuk arrije te gjej nje recete sherimi. Mbase vetem nen orkestrimin e organizuar te “elites” tone (gjithmone nese ekziston) mund te arrihet te krijohet nje situate e cila mund te ngjalli vullnetin tone per ta pare realitetin ne sy, qe me pas do te arrihej ne nje ndergjegjesim masiv te komunitetit……..etj, etj.

    P.s – Gjithesesi eshte nje lehtesim kur meson se ka edhe te tjere qe e mendojne si ty!

  2. I--liri says:

    Tre mije studente ne vit,do te nisin studimet per teknologjine e informacionit, thote i gjithedijshmi dhe i mban ison ministri i tij i superarsimuar. Jo, ky shkon edhe me tej. Kete vit do te shtohen kuotat. Cfare behet keshtu. Atehere boll. Me tre vite plotesohen nevojat e Shqiperise, duke patur specialist IT edhe ne pikat e llotos, ne fshatrat me te larget.Te tjeret mesues. Keshtu qe u dashka mbyllur dega e informatikes me politiken populiste berishiane.
    Me mire te mbyllet,me thone djemte dhe niperit e mi. As qe behet fjale se mesohet gje nga programimi informatik. Dyqind veta auditori.Shumica ne kembe. Si mendon ti,a lexohen njè mije faqe provime nga petagogu. Keshtuqe ben sikur spjegon, dhe ben sikur korigjon provimet. E kapim pasi kemi mare fletat e provimit. Cfare note do, na thote.
    Pastaj tallen punedhenesit. I mbajne ne pune nga gjashte muaj. Nuk dini, ju thone. As pagat nuk ua japin. Perseri ne kurriz te familjes. Arsim i falimentuar i nje shteti legen.
    Shkruaj kot, kush i lexon keto. Ministri i arsimit,po shkon te jap mesim ne universitetin privat ” Te marsha te keqen,moj demokraci”!

  3. Maloku Sexy says:

    hallall daku….me pelqen menyra jote e shqyrtimit te gjerave,paksa ndryshe nga shumica e studentave ne Shqiperi,”infektimi” nga pergjegjeshmeria kolektive e rinise ne Itali ka bere efekt….

  4. I3VI5 says:

    Shkrim interesant. Liberalizimi i universiteteve ishte nje gabim tejet i madh. Duhet te ishim fokusuar tek rritja e cilesise dhe jo e sasise, gje qe solli dhe perkeqsimit e metejshem te asaj pak cilesie qe ishte. Nejse. Ky problem nuk zgjidhet. Te pakten jo shpejt. Do te duhen nja 5-10 vite qe tregu i punes ti vlersoje dipllomat per ate qe jane, asgje, dhe vetem ateher njerezit do te vene mend dhe do te kerkojne nje universitet cilesor. Por nuk do ta gjene sepse asnjeri nga universitetet aktual nuk i permbush kriteret.

    Nje problem tjeter eshte dhe qe studentet futen ne ato dege qe nuk i pelqejn aspak, por qe jane popullore. Dhe kur nuk e pelqen nje dege, nuk ke se si ta mesosh.

    Sa per ate: Rriten pretendimet,të paktën 2 gjuhë të huaja, diplomë + specializim, stazh dhe eksperiencë pune të mëparshme (nga një i sapodiplomuar?!!) dhe ulen garancitë…

    ndodh kudo. Ne fakt mund te shtosh dhe keto: “Pune vullnetare”, “te kete udhetuar/njohes i kulturave te tjera”.

  5. Maloku Sexy says:

    hallall daku….me pelqen menyra jote e shqyrtimit te gjerave,paksa ndryshe nga shumica e studentave ne Shqiperi,”infektimi” nga pergjegjeshmeria kolektive e rinise ne Itali ka bere efekt..

  6. Vlora says:

    eshte shum e sakte…

    kjo eshte politika e sal berishes,sa here qe mer pushtetin.

    ne vend te kioskave me qofte te 92-93, rifuti kioskat me diploma ne 2005.

    vizioni i tij nuk shef alternativa te tjera

  7. Gushekuqi says:

    Jam plotesisht dakort me ate qe shkruan zoti Petushi me lart,sidomos me inflacionin e diplomave dhe zhvleresimin e tyre ne tregun e punes.Ne kohen e monizmit,nuk e di pse kisha bindjen se,ata qe perfundonin shkollen e larte,merrnin njohuri te thella profesionale,civilizoheshin edhe nga mentaliteti,rrezatonin edhe dije edhe kulture.Ndonese puna ishte e garantuar qe nga planifikimi,thosha,edhe sikur te mos kape pune,mjafton qe ka perfunduar arsimin e larte per veten e tij dhe eshte bere njeri.Ndersa sot,sic thote Petushi,universitetet jane bere vertet llogari rrjedhese bankare dhe gangrena e brezit te ri.Une,jam teresisht i zhgenjyer nga ky sistem ekonomik,ndonese nuk e kam pelqyer asnjehere ne jeten time.Nuk mund te pranoj qe 99 perqind e njerezimit,te perpeliten per buken e gojes dhe gjysma sot,nuk po e siguron dot ate dhe nje perqind e kesaj shoqerie,te zoteroje tere pasurine e botes.Kjo padrejtesi e madhe ndoshta,e ka origjinen dymije vjet me pare,sic aludon edhe Dan Braun,por kriza e sotme boterore,ka vene ne dyshim themelet e ketij sistemi.Nuk mund te mbahet me me paterica ky sistem ekonomik kalimtar.Mendoj se ka ardhur koha qe politikanet dhe ekonomistet boterore,te mendojne,te gjejne zgjidhje tjeter ekonomike te ndermjetme,sepse edhe keshtu,nuk mund te vazhdohet me.Qe te mos detyrohet njerezimi t`i rikthehet Karl Marksit,te pakten,tezat e Obames dhe Fransua Holland,per rritjen cilesore te tatimit te te pasurve,te jene pika referimi per nje sistem te ri ekonomik boteror.E majta evropiane,duhet te marre seriozisht ne dore zgjidhjen e ketij problemi ekzistencial. Eshte ajo qe perfaqeson interesat e kesaj shtrese gjigande,sepse po te ishte per te djathten,do te kishim mbetur akoma ne rendin sklavopronar.Sa nuk eshte vone.Respektet e mia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje