Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, hyri në histori duke ngritur Kupën FA për herë të katërt, për t’u u bërë kapiteni më i suksesshëm në historinë e turneut. Bashkë me Didier Drogba, Frenk Lampard dhe Eshli Kol, ai shihej si një nga “problemet” e Çelsit, në kohën kur kjo skuadër drejtohej nga Andre Vijas Boas. Por tani ishte radha e tij të sulmonte të gjithë ata që e kishin kritikuar.
“Është e pabesueshme se si lojtarë si Didier dhe Lampard shfaqen në nivelin më të lartë kur vjen momenti më i rëndësishëm. Nga kjo fitore do të përfitojmë moralisht dhe do të na ndihmojë në finalen e Ligës së Kampioneve. Njerëzit mund të na vënë në dyshim sa të duan, por uria për fitore e kësaj skuadre është e pabesueshme. Edhe shpirti i ekipit ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha kapiteni i londinezëve.
Drogba, të cilit i përfundon kontrata këtë verë, ka shënuar në të katër finalet e Kupës FA ku ka marrë pjesë, ndërsa Eshli Kol ka shkruar emrin e tij në librin e rekordeve duke e fituar këtë trofe për herën e 7-të.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë e ka cilësuar këtë një fitore të ekipit dhe jo diçka personale. “Në vitet e mia te Çelsi, kam luajtur përkrah lojtarëve të cilët më kanë ofruar mua mundësinë për të shënuar ndaj mund të them se janë ata që kanë shkruar historinë, jo unë. Jam shumë i lumtur kur fitoj çdo ndeshje, por sidomos një finale. Jam krenar sepse kjo është Kupa e katërt që fitojmë së bashku”, tha Drogba.