Në 1 qershor mbushen 20 vite nga fillimi i programeve të Radios Deutsche Welle në shqip. Ky stacion gjerman ka një rol dhe ndikim të jashtëzakonshëm, jo vetëm në informimin e publikut me standarde të qëndrueshme gazetareske, por dhe në përcjelljen e frymës europiane tek shqiptarët kudo jetojnë, në promovimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në realizmin sistematik të projekteve konkrete për kualifikimin në të gjitha nivelet të kolegëve nga redaksitë lokale etj.
Radio Gjermane për Botën e Jashtme, ose Deutsche Welle (Vala Gjermane) ka nisur zyrtarisht transmetimin e saj më 3 maj 1953. Në një fjalim të presidentit të atëhershëm gjerman, Theodor Heuss, përshkruhej synimi kryesor i këtij radiostacioni publik, si një përpjekje konkrete për shtensionimin e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe pjesës tjetër të botës, pas periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Transmetimet e para të DW-së ishin me valë të shkurtra, por hap pas hapi aktiviteti i saj është zgjeruar duke arritur në ngritjen e një rrjeti programesh në rreth 30 gjuhë të ndryshme, me ekipe multinacionale, të cilat bëjnë të mundur produkte në versionin radiofonik, televiziv dhe në internet, me përdorimin e një teknologjie gjithmonë në evoluim.
Hapja e redaksisë shqipe ishte një iniciativë e njeriut që drejtoi për rreth 35 vite programet e Europës Juglindore, Dietrich Schlegel dhe drejtueses së programit, kryeredaktores Adelheid Feilcke – Tiemann, e cila e njihte shumë mirë gjuhën shqipe. E lindur në Hamburg, ajo e kishte nisur karrierën në media nga viti 1981, si redaktore dhe më pas si gazetare në radiostacione lokale dhe kombëtare, si WDR dhe Deutschland Radio. Kishte kryer studimet për Antropologji Kulturore dhe ishte diplomuar në nivelin Mastër në vitin 1990 për Etnomuzikologji.
Emisioni premierë i mbrëmjes së 1 qershorit 1992 zgjati 15 minuta dhe përmbante buletinin e lajmeve shkurt, një përshëndetje të Drejtorit të Përgjithshëm të atëhershëm të DW-së, Dieter Weirich, enkas për rastin e fillimit të programit në gjuhën shqipe, më pas vijuan materiale tematike me natyrë politike dhe sociale.
Programi shqip i Radios DW në këto 20 vite ka aktivizuar një personel me mbi 50 vetë, të cilët me statuse të ndryshme dhe në kohëzgjatje të ndryshme kanë punuar ose vijojnë të punojnë në redaksinë dhe studiot qendrore, apo si korrespondentë në terren. Kryeredaktorja për 13 vite rresht e programit, Adelheid Feilcke – Tiemann, më 1 prill 2005, mori detyrën e drejtores së marrëdhënieve ndërkombëtare në DW. Në vendin e saj erdhi Fabian Schmidt, që në atë kohë drejtonte programin në gjuhën boshnjake, po në DW. Kryeredaktori i ri, që së bashku me Feilcke – Tiemann-in zhvilluan turin prezantues në fillim të prillit në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë, ishte një ekspert shumë i njohur i çështjeve shqiptare dhe rajonit ballkanik në tërësi. Nga mesi i viteve ’90 Fabian Schmidt ka punuar për një kohë të gjatë si reporter dhe editor për OMRI-n (Open Media Research Institute) një organizatë jofitimprurëse me qendër në Pragë, që ka realizuar një sërë publikimesh serioze dhe për tranzicionin në Europën Juglindore. Lehtësi i ka dhënë aktivitetit të tij rajonal dhe njohja jo vetëm e gjuhës shqipe, por dhe asaj boshnjake, serbe, kroate dhe angleze. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit të vitit 1997, Fabian Schmidt, ishte pjesë e ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë, ndërkohë që ai bashkëpunonte dhe me përfaqësinë e OSBE-së në Shqipëri, me Institute for War and Peace Reporting dhe me Radion Free Europe në Pragë.
Ardhja e tij në krye të redaksisë shqipe përkonte me një sërë ndryshimesh strukturore në program, më shumë me orientimin drejt shërbimeve on line, duke e bërë më dinamike dhe më të larmishme formën dhe përmbajtjen e web-it. Fabian Schmidt qëndroi si kryeredaktor deri më 1 nëntor të vitit 2009, kur mori emërimin në sektorin e Europës së programit qendror të Deutsche Welle-s.
Pas kësaj date programi shqip i DW-së nuk ka pasur të emëruar zyrtarisht në postin e kryeredaktorit. Në kuadër të procesit të ristrukturimit dhe reformimit të institucionit, pas largimit të Fabian Schmidt si kryeredaktor, këtë detyrë e ka kryer Verica Spasovska, e cila në të njëjtën kohë vijon të jetë dhe Drejtoreshë për Programet e Europës Qendrore dhe Juglindore në DW.
Në pikëpamjen organizative e ngarkuar me drejtimin e aktivitetit të programit shqip është redaktorja Vilma Filaj –Ballvora, që siç e kam përmendur më herët, ka qenë prezente që në përgatitjen dhe transmetimin e emisioneve të para. Përveç saj, si redaktorë të programit janë dhe Pandeli Pani dhe Auron Dodi, edhe këta të dy pjesëmarrës që në fillimet e programit të DW-së në shqip.
Në redaksi aktualisht punojnë si bashkëpunëtorë me status të ndryshëm kontraktualë me institucionin dhe Mimoza Cika-Kelmendi, Angjelina Verbica, Esat Ahmeti, Bahri Cani, Eliana Xhani, Lindita Arapi, Elert Ajazaj dhe Aida Cama. Në vite kanë punuar për programin shqip dhe Anila Shuka, (që ka mbuluar raportimin nga Berlini deri në vitin 2011 dhe aktualisht është bashkëpunëtore e lirë nga Mynihu), Islam Spahiu, Ismet Daci, Mirela Oktrova, Franko Egro, Sonila Sand, Halil Rustemaj, Suzana Starikova (ka raportuar për disa vite nga Berlini), kanë bashkëpunuar për një kohë dhe Alfred Mane, Emine Sadiku, Ani Spahivogli, Ardian Zagori, etj.
Në rrjetin e korrespondentëve në terren bëjnë pjesë Arben Muka dhe Ani Ruci në Tiranë (më parë kanë qenë Ben Blushi dhe Apollon Baçe), nga Gjirokastra Odise Kote, nga Shkodra Leka Plani (më parë ka punuar Andrea Hila), nga Prishtina raportojnë Bekim Shehu dhe Ajete Beqiraj (më parë ka punuar Valentina Saraçini – Kelmendi, si koordinator Agim Zogaj dhe për një periudhë ka raportuar dhe Arbër Vllahiu), nga Maqedonia raporton Fatos Musliu (ka qenë më parë Teuta Arifi), në Mal të Zi është Vera Katana, në Luginën e Preshevës Jeton Ismaili, në Paris Artan Kutra, në Athinë Niko Anagnosti dhe në Londër Kimete Bytyçi. Materiale mbi zhvillimet në Maqedoni përgatit dhe Qeriman Bekteshi, ndërkohë që për disa vite kanë raportuar nga Roma Artur Zheji, nga Prizreni dhe Prishtina Fadil Gashi, nga Brukseli Viron Gjymshana etj.
Radio DW në gjithë aktivitetin ka marrë vlerësime të shumta nga ndjekësit e saj, si ata që e dëgjojnë në variantin audio, ashtu dhe ata që frekuentojnë faqen on line. Por një nga vlerësimet më të veçantë dhe më të rëndësishëm në aktivitetin 20 vjeçar të programit shqip të DW-së është bërë më 4 qershor 2009, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë në atë periudhë Alfred Moisiu, i dha Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në konsolidimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë, njohjen e historisë së lashtë dhe të vlerave kulturore të popullit shqiptar, kuptimin e aspiratave të larta të tij për liri, demokraci e integrim dhe forcimin e miqësisë midis Shqipërisë e Gjermanisë.”
Opinione:
Prof. dr. Bamir Topi, president i Republikës së Shqipërisë: “Fakti që Radio DW në shqip ka 20 vite aktivitet, do të thotë që ajo është bashkëudhëtare e demokracisë në Shqipëri, do të thotë që ajo u fut në Shqipëri në momentin kur u bë e mundur që të liberalizohej edhe tregu i medias. DW në shqip ka një specifikë të veçantë, se ajo promovon marrëdhëniet dhe potencialin e madh që ekziston për të zhvilluar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.”
Atifete Jahjaga, presidente e Republikës së Kosovës: “Radio DW në shqip është një radio që dëgjohet, çmohet dhe respektohet për informim të saktë, të drejtë dhe të shpejtë. Nëpërmjet emisioneve të Radios DW hapen çështje dhe problematika që zgjojnë interes, ndërsa qasja profesionale ndihmon në kuptimin dhe në zgjidhjen e tyre.”
Teuta Arifi, zëvendëskryeministre e Republikës së Maqedonisë: “Radio DW njihet si një ndër transmetuesit ndërkombëtarë më të mëdhenj dhe më me ndikim në mbarë botën. Për shqiptarët e Maqedonisë, edicionet e Radio DW–së në shqip në vazhdimësi kanë luajtur dhe luajnë një rol mjaft të rëndësishëm; e gjithë kjo falë përmbajtjes së pasur të informatave, profesionalizmit, objektivitetit dhe dialogut ndërkulturor që kjo radio promovon”.
Carola Müller-Holtkemper, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri: “DW në gjuhën shqipe me programet në radio dhe në internet jep një kontribut të domosdoshëm dhe mjaft të nevojshëm në informimin rreth Gjermanisë dhe Europës, si dhe për ndërtimin e një ure të miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona”.
Enver Robelli, bashkëpunëtor i “Süddeutsche Zeitung” në Mynih dhe “Tages Arzeiger” në Zyrih: “Ndoshta gjermanët janë ndër kombet e rralla me të cilët ne shqiptarët historikisht na lidhin përvoja shumë interesante. Sa më shumë informata të kemi nga zhvillimet në këtë vend aq më lehtë do ta kemi konsolidimin e urave të komunikimit dhe shkëmbimit, jo vetëm të mallrave, por dhe të ideve dhe kulturave. Në këtë aspekt unë e shikoj si të pazëvendësueshëm rolin e Radios DW për publikun shqiptar”.
Fatos Lubonja, shkrimtar dhe publicist: “Në periudhën mes viteve 1992 – 1997 Radio DW është ndjekur shumë nga publiku, po kështu ishte dhe më stacionet e tjera në shqip si Zëri i Amerikës, BBC, Europa e Lirë etj. Në këto vite vihej re një lloj inercie e autoritarizmit, kishte mangësi në mundësitë e shprehjes së lirë të opinioneve e mendimeve, aq sa kujtoj që kishte dhe iniciativa për të hapur radio në rajonin e Puglias në Itali, me staf shqiptarësh, si kundërpeshë e kësaj situate”.
Mero Baze, drejtor i gazetës Tema: “DW binte në sy në këtë atmosferë mediatike shqiptare, pasi pa pasur probleme të varësisë politike dhe vështirësi financiare, ruante një linjë editoriale që favorizonte lirinë e shprehjes, pavarësinë nga çdo ndikim jashtëgazetaresk, duke mbajtur pozicione të balancuara”.
Veton Surroi, drejtor i bordit të Klubit për Politikë të Jashtme në Prishtinë: “Gjithmonë kam besuar se Radio DW në gjuhën shqipe ka pasur dhe ka një rol në afrimin e perspektivës gjermane në të gjithë hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Kjo është me shumë rëndësi.”
Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias “Numri i madh i intervistave, artikujve, analizave dhe informacioneve të ndryshëm të përgatitur nga DW dhe që kanë zënë vend në shtypin kryesor të Shqipërisë, është një tregues i kualitetit dhe besueshmërisë që radio ka në tregun mediatik”.
Blendi Fevziu, drejtues i emisionit “Opinion” në televizionin Klan: “Për natyrën e punës sime unë kam qenë dhe jam shumë i interesuar nga web-i i DW-së për komentet dhe analizat, të cilat nuk mund të jenë të lidhura me domosdo me Shqipërinë dhe rajonin, por dhe në një plan më të gjerë ndërkombëtar. Janë këndvështrime interesante që i lexoj me shumë vëmendje.”
Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë: “Dua të vlerësoj dhe strukturimin e mbulimit të ngjarjeve në terren, ku më e rëndësishmja është gjithmonë në fokus të edicionit të rradhës, ku është ngjarja kryesore nga rajoni, psh në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi etj.”
Andi Bushati, realizues i emisionit të përjavshëm “Zonë e Ndaluar” në Vizion Plus: “Unë jam me mendimin se në dhjetëvjeçarin e dytë të tranzicionit shqiptar, DW dhe stacionet e tjera të huaja kanë vijuar të kenë ndikim, sepse në Shqipëri vërtet është rritur numri i mjeteve të informimit, por në anën tjetër kjo është shoqëruar dhe me kaosin e ndikimit të tyre tek publiku i gjerë”.
Shkëlzen Maliqi, drejtor i Qendrës për Studime Humaniste “Gani Bobi” në Prishtinë: “DW përballonte jo vetëm aktualitetin e ngjarjeve në terren, si dhe reagimin e kancelarive perëndimore për gjendjen, por përgatiste dhe analiza dhe vështrime nga qarqet politike e diplomatike, komente të medias më kryesore gjermane e europiane etj.”
Arlinda Dudaj, drejtore e shtëpisë botuese “Dudaj”: “Radio DW është një nga radiot më prestigjoze ndërkombëtare, është një produkt siç dinë t’i bëjnë punët gjermanët në çdo fushë të jetës.”
Xhelal Neziri, nga Qendra e Gazetarisë Investigative “Scoop” në Maqedoni: “DW-në unë vijoj ta ndjek audio dhe on line sepse, së pari, ka një larmi informatash që kombinohen nga shtete të rajonit, por dhe më gjerë nga bota. Së dyti, sa e mbaj mend unë programin e parë që kam dëgjuar dhe deri tani që flas nuk ka asnjë lëkundje nga respektimi i standardeve gazetareske duke mbajtur qëndrim objektiv për atë që ndodh apo atë që analizohet”.
Adi Krasta, gazetar, moderator i programit “A-Show” në Televizionin Vizion Plus: “Unë jam një lexues dhe dëgjues i kujdesshëm i nuancave në media. DW-në p.sh., e kam të fiksuar si një stacion radiofonik, i cili më jep një element, që për hir të së vërtetës, nuk e kam hasur në ndonjë media tjetër: finesa, kujdesi, vetëpërmbajtja dhe eleganca”.
Alfred Peza, drejtor i Lajmeve në televizionin Vizion Plus: “Një arsye që kam qenë dhe mbetem fans i DW-së është këndvështrimi si “një rreze lazër” i problematikave të rajonit tonë. Që duke ngritur një temë të caktuar, ajo vështrohet në të veçantat dhe të përbashkëtat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.”
Baton Haxhiu, drejtor i televizionit Klan në Kosovë: “Periudha e kryeredektores së parë të DW-së në shqip, Adelheid Feilcke –Tiemann, ka qenë më e mira në aktivitetin e këtij stacioni. Ajo duke njohur shumë mirë shqipen, duke njohur shumë mirë shqiptarët dhe rajonin e orientoi në mënyrë brilante punën e redaksisë, duke e bërë shumë të dëgjueshëm programin.”
Bledar Zaganjori, drejtor i Lajmeve në televizionin Top Channel: ”Në faqen on line të DW-së gjejmë herë pas here materiale të vlefshme. materiale që jo vetëm i lexojmë për të plotësuar dijeninë mbi një ndodhi a dukuri që trajtohet në DW, por në mënyrë sistematike në lajmet e Top Channel kemi referenca konkrete të intervistave, deklaratave apo analizave të marra nga ky website.”
Anila Basha, drejtore e gazetës Shqiptarja.com: “Që kur ka nisur shërbimin në internet DW në shqip, personalisht e kam si një faqe të preferuar, si një ndër burimet kur gjithmonë gjej vazhdimisht diçka që më intereson, qoftë si risi, qoftë si verifikim për ngjarjet, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Kosova e Maqedonia.”
Henri Çili, drejtor i gazetës Mapo: “Aktualisht Radio DW mbetet e rëndësishme, sepse ajo është sistematikisht e citueshme nga media shqiptare. Unë do të veçoja dhe tiparin e qëndrueshmërisë që kanë pasur stafet e radiove të huaja përkundrejt lëvizjeve deri dhe të pakontrolluara të kolegëve të tyre që punojnë në media të ndryshme shqiptare”.
Mitro Çela, analist për ekonominë: “Kam pasur dhe vijoj të kem interes për problemet ekonomike, të cilat tek DW i gjej në mënyrë cilësore, jo vetëm mbi zhvillimet në Shqipëri e rajon, por dhe ato globale”.
Edlira Gjoni, analiste në media: “Radio DW ka qenë dhe është e pozicionuar si një burim i balancuar dhe i besueshëm për publikun. E ndjek variantin on line të DW-së në shqip dhe më është dukur një pasqyrim tërësor ku mund të gjesh në çdo kohë gjëra që të nevojiten.”
Marrë nga libri i autorit Arben Muka “Ja si duhet të informohem!”, botim i Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë, 2012
Nuk eshte me DW si dikur!edhe nuk ka me ate shkelqim qe kishte!DW eshte banalizuar teper…