Ajo që kishte javë që diskutohej nën zë në kafenetë politike të Tiranës, u bë publike nga Edi Rama të shtunën mbrëma në blogun e tij. “Opozita po synon një mocion mosbesimi për zëvendësimin e Berishës me një kryeministër tjetër”– ky është nëntitulli që mund t’i vihej shkrimit të Ramës.
Ja ç’shkruante ai në blogun e tij: “E vetmja mënyrë për ta kremtuar ditën e pavarësisë, pa e ngrënë tërë turpin e këtij viti me bukën e dështimeve të shkaktuara për hir të pushtetit dëmsjellës e qesharak të këtij personazhi [Berishës], është që ky njeri të mos jetë më kryeministër kur të gdhihet 28 nëntori e të këndohet himni kombëtar. Qoftë edhe vetëm kjo, nuk është një arsye e vogël për ta shkulur një orë e më parë që aty, duke bashkuar çdo forcë e çdo votë të mundshme, pa humbur kohë duke menduar se sa ia vlen apo nuk ia vlen bashkimi me këdoqoftë për të qeverisur vitin e ardhshëm. Me një reformë zgjedhore të minuar haptazi për të përsëritur avazin e vjetër e me një president të zgjedhur për të garantuar jo Shqipërinë po vetveten, ai na ka ftuar të zgjedhim: Ose ta largojmë përpara se sa Shqipëria të hyjë në zgjedhje, ose të presim se si do t’i vjedhë përsëri zgjedhjet e do ta bëjë shkrumb ëndrrën e Shqipërisë Europiane ( http://edirama.al/shkrime/861–kremtimi-i-pavaresise-si-komedi-dhe-si-drame-.html ).
Le ta lidhim këtë thirrje të Ramës me një deklaratë të tij të një jave më parë, në emisionin Debat të Alfred Pezës në Vizion Plus. Ai tha në emision se do të bëhet kryeministër vetëm nëpërmjet votës së popullit. Pra, la të kuptohet se nuk do të ishte ai kandidati alternativ që do të konkuronte për zëvendësimin e Berishës nëpërmjet një mocioni të mundshëm mosbesimi në Kuvend. Dhe fakti që tani Rama bën thirrje kaq publike që të bashkohet çdo forcë e çdo votë e mundshme për ta shkulur Berishën nga Kryeministria, tregon se ka në mendje një kandidat alternativ për kryeministër, i cili mund të sigurojë 71 votat e arta për të fituar mocionin e mosbesimit.
Por ndërkohë, Berisha nuk fle gjumë. Në qoftë se llogaritë e tija i tregojnë se thirrja e Ramës për bashkimin e votave në Kuvend për ta zëvendësuar me një kryeministër tjetër nuk është thjesht blof, do të nxjerrë nga mënga asin e fundit: Do të përpiqet të zhvillojë zgjedhje të parakohshme me KQZ-në aktuale – këtë të Ristanit! (Ristanit i mbaron mandati në fund të dhjetorit dhe ndoshta nuk është rastësi që u bllokua kodi i ri zgjedhor, nëpërmjet të cilit ai do të zëvendësohej tani e jo në dhjetor.)
Dhe si mund të provokohen zgjedhjet e parakohshme nga Berisha?
Kushtetuta e Shqipërisë krijon vetëm dy mundësi për zgjedhje të parakohshme. E para është nëpërmjet një mocioni besimi të kërkuar nga vetë kryeministri dhe e dyta është nëpërmjet bllokimit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. (Në qoftë se pas pesë raundesh votimi për presidentin, të paktën një kandidat nuk merr 71 vota, zhvillohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh).
Po a do të arrijë opozita e ribashkuar t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme, në qoftë se Berisha i sheh ato si mjetin e vetëm për t’i shpëtuar një mocioni mosbesimi?
Që një mocion besimi i kërkuar nga vetë kryeministri të sjellë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh pas shpërndarjes, duhet që të paktën 70 deputetë të votojnë për rrëzimin e qeverisë. Pra, që të arrijë t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme, opozitës së ribashkuar do t’i duhet të bëjë diçka paradoksale – të votojë për mosrrëzimin e qeverisë. Dhe vetëm më pas, të tentojë mocionin e mosbesimit për zëvendësimin e kryeministrit aktual me një tjetër.
Sado konfuzion mund të shkaktojë një manovër e tillë parlamentare tek elektorati i opozitës, një fund i saj i suksesshëm do të brohoritej nga shumica e “popullit të majtë”. Ndërkohë, në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, një manovër e tillë e opozitës së ribashkuar do të ishte mëse e përligjur pas një tentative të Berishës për shpërndarjen e Kuvendit.
Më e ndërlikuar është puna me moszgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Në qoftë se opozita e ribashkuar pret deri në raundin e fundit, për të parë sesi do të rrjedhin ngjarjet, mund të vihet para faktit të kryer që pesë raunde nuk kanë prodhuar asnjë president dhe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh. Ndërsa në qoftë se ajo nuk merr pjesë në seancat e votimit (për të mos lejuar krijimin e kuorumit), në datën 24 korrik mbaron mandati i presidentit aktual dhe, të nesërmen, Garda e komanduar nga zëvendësuesi i Ndrea Prendit i thotë qytetarit Bamir Topi t’i lirojë zyrën Kryparlamentares Jozefina Topalli, e cila, sipas Kushtetutës, zë vendin e Presidentit të Republikës kur ky post mbetet vakant. (Konstitucionalistët mund të debatojnë se kur konsiderohet ai vakant, por gjasat janë që Gjykata Kushtetuese t’i japë të drejtë Jozefinës, në qoftë se dikush ankohet.)
Me pak fjalë, opozitës së ribashkuar i mbetet vetëm një opsion për të shmangur zgjedhjet e parakohshme me KQZ-në e Ristanit: Depozitimi i mocionit të mosbesimit para se të ketë mbaruar odiseja e zgjedhjeve presidenciale. Një lëvizje e tillë, pa dyshim, do të brohoritej nga shumica e “popullit të majtë”, por do të ishte problematike për partnerët tanë ndërkombëtarë. Ata kanë muaj që po i mëshojnë fort domosdoshmërisë së zgjedhjes së një presidenti konsensual dhe rrëzimi i Berishës me mocion mosbesimi do t’i bënte pothuaj zero shanset e arritjes së këtij objektivi. Vetëm në qoftë se ata binden plotësisht se Berisha, pavarësisht përgjërimeve të tij për negociata të ndershme, po lufton ose për një president të xhepit të vet, ose për zgjedhje të parakohshme me kod zgjedhor të pandryshuar, mund ta shohin si të përligjur një mocion mosbesimi të opozitës së ribashkuar.
*respublica.al
Veshtire kur ka perballe …
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/05/do-e-djege-prape-shqiperine.html
analize e detajuar….
berisha i ka shanset me te medhaja ,,,,por edhe rama e ka nje strategjei per per te mos rene me brenda.
Po te jete per strategji, Rama s’ia thote fare. I kemi pare deri tani strategjite e tij. Duket qe eshte aq strategjik sa c’mund te jete nje artist.
dhe nostradamosi nuk kishte për ta shkruajtur kaq qartë sa ti o kryeqëndëra e labërisë tonë!
Thoni se Berisha “lufton per nje President te xhepit te vet”. A s’e pati Topin “n’xhep” e i iku fshehurazi te… kurkush. Tash asht shfry e s’ban per asgja. Berisha asht specialist per gjithçka. Po te bisedosh me ‘te, shkon me mendte tua e del me te Berishes. Socialistat i ka nen sjtull. Lot me ta si macja me miun. A s’ tha sot se socialistet priten te “piqet” rrushi n’pranver, n’vjesht e po u piqet n’dimen… ha-ha-ha.
specialist per gjithçka asht, por mue skraparlliun do me zgjedh kryeprokuror, se e tredh ilir djali pastaj…
Mos mbivlersoni nji te pamoralshem.Ai me parat e popullit,pra tuajat,gjen dhe blen deputete,gjyqtare,kqz e cdo gja,sepse paret e popullit nuk i dhimben.Kjo nuk asht aftesi,por poshtersi e krim.
Cfare opozite allah hile! Kemi nje bashkpunim te shkelqyer PD6PS,me “pseudokriza” qe harrohet po aq shpejt sa ishin te medha!Mjafton qe disa biznese edhe disa pazar te jene ok e te marrin vizen,qe opozita te hesht !!!
Ketu kemi shtet maffioz ,ku maffia politike ndan torten mes PDse e PSse ne kurriz te kombit e te shqiptareve!
Enough is enough!millionera u bene deputetet e ministrat tone per nje mandat,si ne pd si ne PS ne kurriz tone,duke glaberuar cdo gje per veti!