Shteti duhet “të hyjë” në veri

1 Qershor 2012, 22:00Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

 

Pjesa veriore e tokës kosovare është interesi më i lartë kombëtar i Kosovës dhe për rikthimin e sovranitetit në atë zonë. Prishtina zyrtare duhet të jetë shumë gjeneroze, pra ajo duhet të ofrojë shumëçka, pos integritetit tokësor, për të marrë konfirmimin e qytetarëve të atjeshëm se i pranojnë institucionet legale të shtetit.

Natyrisht, Prishtina zyrtare është e obliguar që të hyjë në dialog me shtetasit në atë pjesë të Kosovës, për të gjitha problemet që ata i kanë ose i projektojnë, që ata të binden për zgjidhje europiane dhe jo territoriale.

Faktet flasin se Qeveria e Kosovës dhe diplomacia perëndimore janë të vetëdijshme se mund të negociohet një “zgjidhje kreative” (P.sh. ‘Ahtisaari’ pa emër) për këtë rajon kosovar, por që nuk mund t’i kalojë caqet kushtetuese.

Dhe në këtë kontekst, fillimisht po përmendet mundësia e hapjes së një zyre administrative qeveritare në veri të Kosovës.

Ambasadori britanik në Prishtinë Ian Cliff, në një bisedë për “Koha Ditore”, i pyetur se a do të duhej që Qeveria e Kosovës të insistonte në zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, pa u zgjeruar në aranzhime të tjera, ambasadori ka thënë se emri “Ahtisaari” nuk duhet përdorur. “Po, por ndoshta pa e përdorur emërtimin `Ahtisaari`.”

Po ashtu edhe Oliver Ivanoviq thotë: ”Ahtisaari” pa emër mund të jetë zgjidhja për veriun”.

Serbia e tandemit Nikoliq-Tadiq tashmë e ka “blerë” nga BE-ja statusin e vendit kandidat dhe ajo me politikat e saj të forta ia doli që të imponohet si interes imediat i BE-së, e jo që BE-ja të ishte interes vital i Serbisë, prandaj në këtë situatë Kosova vazhdon të vuajë shpërfilljen nga selia e BE-së në Bruksel, sepse për Kosovën BE-ja është interes madhor, kurse për BE-në, aktualisht Kosova është entitet “jo europian”, pra nuk është interes i Brukselit.

Në këtë kontekst, Serbisë i rrihen shpatullat me përulësi nga zyrtarët europian, vetëm nga fakti se pranon bisedime me Kosovën, dhe askush s’do të kërkojë nga ajo më shumë, madje edhe BE-ja në kontinuitet nuk mundi ta garantojë Prishtinën zyrtare se nuk do të bisedohet për statusin. Tomislav Nikoliq-Grobar (varrmihësi) do të pritet në Bruksel me dashamirësi, atë askush s’do t’ia shohë për të madhe ose ta pyesë nëse deklarata e dikurshme e tij se “shqiptarët duhet të infektohen me AIDS” ishte “humor” i zi apo katërçipërisht monstruoze!?

Ky është një problem i madh etik.

A duhet t’i shtrihet dora një vrasësi potencial, të cilin qoftë edhe rastësisht e ke takuar në rrugë?

Apo etike është që të mos ia shtrish dorën!?

Nikoliq e tha të veten: “Nuk do ta njohim Kosovën”. Pikë.

Prandaj, edhe Prishtina zyrtare duhet ta thotë të veten. Nuk do të njihet asnjë zgjidhje jokushtetuese për veriun. Pikë.

Aktualisht shumë europianë duan një status special (Ahtisaari plus) për veriun, duke qenë se vendet e garantuara për komunitetet pakicë nuk janë kategori koherente kushtetuese.

Serbët kosovarë shtyjnë përpara idenë e krijimit të dy dhomave në Kuvendin e Kosovës, dhomën e qytetarëve dhe të etnive ose komuniteteve sipas gjuhës së Ahtisaarit, në emër të luftës kundër mbivotimit, si fazë e dytë e dekompozimit të shtetit të ri (që ishte një ide e moçme e kohës së autonomisë së Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.)

Kosova shkon në dialog me Serbinë sipas agjendës së OKB-së, përkatësisht sipas Planit 6-pikësh të sekretarit të përgjithshëm të KB-së Ban Ki-Moon, ngase kjo agjendë e bisedimeve është përcaktuar qysh atëherë më 2008, pra 6-pikëshi famëkeq, i cili “çan kombin”, në linjat vitale të kohezionit institucional, sepse vë pyka në zinxhirin komandues të policisë, gjykatave dhe ofron eksterritorialitet të Kishës ortodokse serbe. Plani 6-pikësh u shpik nga KS i OKB-së për të krijuar një baraspeshë të re mes shtetit të shpallur kosovar dhe serbëve kryengritës në veri të Kosovës dhe ky plan kishte dy qëllime parësore: 1) Për ta “zbehur” pavarësinë në sytë e serbëve dhe të vendeve armiqësore ndaj Kosovës, pra për ta shpallur shtetin e ri si “projekt të papërfunduar” e për t’i ulur palët në ri-negociim të gjithçkaje dhe 2) për të nxjerr autonomi për pjesën veriore të Kosovës.

Shtetet bëjnë negociata politike edhe me kryengritës ose separatistë, që duan ta ndajnë ndonjë pjesë të territorit të një shteti sovran për t’u mëvetësuar, ose për t’iu bashkuar një shteti të dytë, kurse biseda teknike bëjnë vetëm shtetet e pavarura që e njohin njëra-tjetrën reciprokisht dhe në këtë rast, absurdi qëndron në faktin se Prishtina zyrtare, duke dashur t’ia fshehë të vërtetën publikut të gjerë, duke i quajtur bisedimet teknike, ajo tashmë ka bërë negociata ultra-politike, por pa u njohur si palë në marrëveshje, sepse është gjetur një gjuhë e ndërmjetme, marrëveshjet cilësohen si konkluzione.

Serbia nuk do të nënshkruajë me palën kosovare asgjë që e bën Kosovën “palë të barabartë” në negociata.

Serbia, në anën tjetër, do të nënshkruajë gjithçka që Kosovën e identifikon me Rezolutën 1244 (si pjesë integrale e Serbisë, sipas preambulës së Kushtetutës serbe, por përkohësisht nën protektoratin e OKB-së) dhe ka për t’u parë se intenca e saj themelore është menjëherë pas çështjes së të pagjeturve ta zëmë, targave apo regjistrimit të popullsisë dhe energjetikës, në tavolinë do të qitet policia, drejtësia (gjykatat), doganat, transportet dhe trashëgimia ortodokse serbe.

Pala kosovare do të duhej të këmbëngulte që të nënshkruhej paraprakisht një deklaratë katërpalëshe mes Kosovës, Serbisë dhe BE-së duke përfshirë edhe SHBA-në për fundin e armiqësive, duke u pajtuar se do të bashkëpunojnë në agjendën e përbashkët të integrimeve në BE, e cila do të përfshinte edhe “vijat e kuqe” të Prishtinës zyrtare: Nuk do të diskutohet për statusin politik dhe për pjesën veriore të Kosovës do të ketë zgjidhje ekskluzivisht joterritoriale.

Derisa Qeveria e Kosovës nuk pati ofertë për serbët kosovarë të veriut dhe as ide të qartë se çka duhet bërë më tutje, në anën tjetër, Qeverisë së Serbisë i konvenon mbajtja e “konfliktit të ngrirë” në veri të Kosovës, sepse kështu e mban shtetin e ri jostabil, në mënyrë permanente.

Për t’iu shmangur presioneve nga Brukseli, Prishtina do duhej që të printe me ofertën e saj për bisedime me serbët kosovarë, me këdo që i përfaqëson ata, e që do të konsistonte në:

a) Qeveria e Kosovës duhet ta kontraktojë një agjenci ndërkombëtare që ta publikojë, debatojë, zbardhë dhe përhap Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit para qytetarëve serbë-kosovarë, në veri të vendit, sipas rekomandimeve të ICO-s…

b) Të fillojë zbatimin me përpikëri të Planit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës të Marti Ahtisaarit, duke themeluar komunën e Mitrovicës (veri), para zyrës administrative që po përmendet këto ditë. Pastaj duhet legalizuar Universitetin publik të Mitrovicës me mundësi që të themelohet ndonjë Universitet i dytë privat, p.sh. Universiteti i Beogradit në Mitrovicë etj;

c) Të aplikojë në Komisionin Europian për ngritje fondesh sipas modelit britanik-irlandez për një “Peace Project” që do të niste të zbatohej në veri të Kosovës, me synim punësimin, arsimin, shëndetësinë, kulturën, pra ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

d) Të krijojë një Fond të veçantë shtetëror për zhvillimin ekonomik të asaj pjese kushtetuese të Kosovës ose të studiohet mundësia që me vendim të Qeverisë kosovare, 20% e të hyrave doganore nga Porta 1 dhe 31 të shkojnë direkt në buxhetet komunale të këtyre komunave dhe të shfrytëzohen për investime kapitale dhe punësim;

e) Me Rezolutë të posaçme, Kuvendi i Kosovës të shpallë zonën e Gazivodës (Ujmanit) interes publik (nacional.)

f) Pas rikthimit të integritetit territorial, mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të shpallë amnisti të përgjithshme për rebelimin në pjesën veriore të vendit si akt të vullnetit të mirë, për ta ruajtur kohezionin shtetëror dhe kombëtar, të shpallë amnisti të përgjithshme për rebelimin, pos akterëve të inkriminuar në krime të rënda, vënie eksplozivesh dhe vrasësve potencialë të policit Enver Zymberi dhe të Selver Haradinajt.

Pra, Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se është e gatshme t’ua shtrijë dorën shtetasve të saj dhe t’i ndihmojë ata për t’u afruar pa drojë me institucionet e shtetit kosovar dhe për t’i ndërtuar jetët e tyre si shtetas të barabartë e të sigurt.

Ata njerëz kanë nevojë për liri nga frika.

1 komente në “Shteti duhet “të hyjë” në veri”

  1. Drini says:

    o Tema pse na censuroni?? keshtu nuk merrni ndihma!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje