Andri Shevçenko beson se Ukraina i ka të gjitha mundësitë për të arritur në finalen e Euro 2012, gjithmonë nëse ekipi vendas luan në maksimumin e potencialit të vet. Ndonëse ish-futbollisti i Milan dhe Çelsi është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që janë rrugës deri në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “Olimpik” të Kievit, ai mendon se gjithçka është e mundur nëse skuadra e tij do të ketë pak fat.
“Nëse ne tregojmë cilësinë tonë dhe kemi pak fat, ne mund të arrijmë në finale. E kuptoj që kjo është jashtëzakonisht e vështirë, por të jepet vetëm një shans për të hyrë në histori”.
Shevçenko ka qenë një personazh qendror për Ukrainën gjatë 17 viteve që ka luajtur me kombëtaren, duke shënuar 46 gola në 107 ndeshje me fanellën e përfaqësueses. Por ai pritej t’i jepte lamtumirën futbollit ndërkombëtar para fillimit të aktivitetit.
Megjithatë, vetë futbollisti saktësoi se vendimi për të qëndruar në kombëtare kishte ardhur pasi donte të ndihmonte vendin e tij në këtë turne ku Ukraina është vend organizator.
“Për pesë vitet e fundit nuk kam menduar për asgjë tjetër përveç Kampionatit Evropian që do të mbahet në vendin tim. Është e drejtë të thuhet se kjo ka zgjatur edhe karrierën time. Kjo ishte ëndrra ime. Por nëse nuk jam në gjendje fizike të luaj, nuk do ta bëj një gjë të tillë pasi nuk dua të zhgënjej tifozët”, ishin fjalët e sulmuesit. /lajmeshqip