Antonio Kasano ka lëshuar bombën e radhës nga grumbullimi i kombëtares italiane të futbollit, duke bërë të qartë se po mendon seriozisht largimin nga radhët e Milanit tani që kjo skuadër ka filluar të shesë disa nga futbollistët e saj më të mirë.
Reagimi i tij ka ardhur pasi është pyetur nga gazetarët rreth shitjes së Tiago Silvës dhe shanseve që i mbeten skuadrës kuqezi pas këtij largimi të rëndësishëm.
“Tiago Silva është e pamundur të zëvendësohet. Por e rëndësishme është që të jemi të qartë për objektivat për të cilët luftohet. Pa të, nuk mund të luftosh për kampionat apo Ligën e Kampioneve, ai është 50% e skuadrës. Unë, si injorant, nuk do ta shisja kurrë, por është e qartë që klubi kërkon të përfitojë shumë para nga largimi i tij. Nëse Ibrahimoviç do të inatoset për shitjen e tij, këtë radhë i jap të drejtë. Është një krim të humbim Tiago Silvën, është më i forti në botë”, tha sulmuesi i Milanit.
Më pas ai lëshoi edhe paralajmërimin e tij, duke lënë të kuptohet se ëndërron që një ditë të kthehet në radhët e Sampdorias.
“Të kthehem te Sampdoria? Kam një ëndërr në zemrën time duke shpresuar që një ditë të realizohet. Sampdoria mbetet gjithmonë në zemrën time, ka qenë eksperienca më e madhe e karrierës”.
“Dyshe e sulmit te Milani me Balotelin? Jemi 5 sulmues te Milan, po erdhi ai bëhemi 6, pastaj kush luan? Mario është një lojtar i madh por unë nuk e di a do të qëndroj për vete apo do të largohem. Tani dua të luaj mirë në këtë Evropian, pastaj do të shohim nëse do të qëndroj te Milani apo do të largohem”, tha lojtari që ka alarmuar kësisoj drejtuesit e skuadrës kuqezi. /lajmeshqip