Kodi Penal (s’) mund të ndryshohet para janarit

26 Qershor 2012, 17:23Rajoni TEMA

Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht ka iniciuar procedurat e ndryshimit të Kodit Penal duke i hequr nga ky Kod nenet 37, 38 dhe atë 39.

Nisma më e re e qeverisë pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e kërkesës së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për heqjen e neneve tashmë të cilësuara si problematike që kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të mediave dhe gazetarëve.

Ishte vetë kryeministri Thaçi ai i cili ishte deklaruar se po ndihej i turpëruar me vendimin e Kuvendit, përderisa zëvendësi i tij dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi kishte dhënë dorëheqje duke mos u pajtuar me këto nene, raporton REL.

Tani, ndryshimi dhe plotësimi i Kodit penal hyn në procedura të rregullta, thotë deputeti Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Rregullorja nuk parasheh ndonjë mocion të përshpejtuar të miratimit të Kodit Penal, kështu që tani mbetet që Kryesia e Kuvendit ta vendosë në agjendën e mbledhjeve të rregullta. Një rol kryesor përsëri do të ketë Komisioni Legjislativ i cili do të jetë komision funksional dhe i cili ndërmjet dy leximeve do të ketë mundësi të amandamentimit dhe dërgimit të kodit final për miratim në seancë plenare”, sqaron Bajrami.

Një çështje që kërkon interpretime shtesë juridike, mbetet ajo e procedimit të ndryshimeve në Kuvend, marrë parasysh se Kodi i ri Penal hyn në fuqi në janar të vitit 2013.

Deputeti Arsim Bajrami thotë se i takon Komisionit për Legjislacion që të bëjë një interpretim, nëse Kodi mund të ndryshohet para janarit, përderisa nuk ka hyrë në fuqi, apo duhet të pritet hyrja e tij në fuqi e më pas të ndryshohet.

“Ka disa ligje të cilat hyjnë në fuqi jo në periudhën standarde, pra 15 ditë pas miratimit, por shtyhen ndoshta edhe për një vit. Rast tipik është Kodi Penal i cili ka qenë i paraparë të hyjë në fuqi nga 1 janari dhe tash është çështje e interpretimit juridik, sidomos e konkluzioneve që do të merr Komisioni Legjislativ se a mundet të plotësohet dhe ndryshohet një ligj, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi”, shprehet Bajrami.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka iniciuar tashmë që përmes Avokatit të Popullit ta dërgojë Kodin Penal në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se nenet 37, 38 por edhe ai 39 janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti thotë se kërkesat e vetme të gazetarëve janë që nenet të hiqen nga Kodi./KD

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje