Kapelo javën tjetër firmos për Rusinë

13 Korrik 2012, 18:47Sport TEMA

Në Rusi janë thuajse 100% të sigurt që Fabio Kapelo do të jetë trajneri i ardhshëm i përfaqësueses së këtij vendi, pasi është arritur akordi mes tij dhe Federatës Ruse të Futbollit.

Sipas mediave vendase, trajneri do të përfitojë 5-6 milionë dollarë, rreth 30% më pak se paraardhësi i tij Dik Advokat, ndërsa kontrata do të zgjatë deri në përfundimin e Botërorit 2014 dhe jo siç supozohej deri në Botërorin 2018 që organizohet nga vetë Rusia.

Zyrtarizimi pritet të bëhet javën e ardhshme, ndërsa po përcaktohen të gjitha detajet e vogla në kontratë, përfshirë edhe gjetjen e një banese në Moskë për teknikun italian i cili ka rënë dakort që të jetojë në kryeqytetin rus në pjesën më të madhe të vitit për të parë nga afër futbollistët kandidatë të përfaqësueses.

Mes detajeve të tjera të marrëveshjes, është zbuluar se Kapelo ka qenë dakord për të punuar me një staf rus, por mundësisht që pjesëtarët e tij të kenë eksperiencë në futbollin italian dhe të njohin gjuhën italiane, në mënyrë që bashkëpunimi të jetë më i lehtë. Për më tepër, flitet që ai dëshiron të ketë si pjesë të stafit edhe Franko Baldinin, me të cilin ka punuar te Anglia, por që aktualisht mban rolin e drejtorit të përgjithshëm te skuadra e Romës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje