Saliu hap “thesin 1 prilli”: Në 1 nëntor liroj dhe kthej 4400 banesat e pronarëve!

9 Gusht 2012, 11:20Blog TEMA

Nga Përparim Halili

 

Pas 20 vite mashtrimesh dhe talljesh me pronarët e banesave të sekuestruara në vitet 1945-1948, Sali Berisha doli përsëri publikisht 1 javë më parë dhe premtoi në mënyrë ultimative se brenda 1 nëntorit 2012 këto banesa do t’u kthehen pronarëve. Po kështu, me të njëjtën gjuhë premtim-mashtrimi 20 vjeçar, u premtoi për “strehim me kredi pa interes” dhe 4400 familjeve që banojnë në këto banesa.

Me këto banesa, Sali Berisha ka 20 vjet që vazhdon e bën lojëra politike-qeverisëse për gjoja “kthimin e tyre tek ish-pronarët”. Në fakt jo vetëm nuk i ka kthyer, por ka penguar kthimin e tyre, duke bërë e ribërë ligje e vendime për të mos i kthyer përjetësisht këto pasuri tek pronarët. Ai ka gënjyer e vazhdon të gënjejë, duke nxjerrë në çdo 3 mujor, 6 mujor, 9 mujor e çdo vit seri ligjesh e vendimesh false që nuk i zbaton.

Kur është në pushtet, nuk i kthen, ndërsa kur është në opozitë çirret, ngjiret e premton për kthimin e tyre! P.sh, tani që është në pushtet prej 7 vjetësh, nuk po ulëret më për kthimin e këtyre banesave. Përkundrazi, ashtu si në sundimin e viteve 1992-1997, po aplikon “zanatin” e mashtrimit me premtime, demagogji, justifikime e spektakle publike premtimesh, ligjesh, vendimesh, amendimesh e aktesh normative të stërpërsëritura e të dala boje, të cilët përfundojnë si “letër higjienike”.

Një javë më parë në mbledhjen e qeverisë, ai premtoi përsëri se “…brenda 1 nëntorit 2012, do t’u kthej pronarëve banesat e sekuestruara”.

Janë 4400 banesa të sekuestruara që prej vitit 1945. Dhe prej 67 vitesh në to banojnë familje që nuk janë pronare, por banorë pa asnjë pagesë deri në vitin 1992 dhe prej 20 vitesh janë qiraxhinj me 100 lekë të reja pagesë në muaj ndaj pronarëve. Ata kanë 20 vite qysh prej premtim-mashtrimit të parë zyrtar të Saliut në vitin 1992, që presin të marrin këto banesa.

Një fakt: beteja e pronarëve për të rifituar banesat ka çuar e po mban peng në gjyqe afro 3600 pronarë të cilët po masakrohen me seanca pa fund, me vetëgjyqësi, konflikte, falsifikime, me procese e vendime gjyqësore false. Tani pas 20 vitesh, del përsëri i njëjti kryeqeverisës demagog e mashtrues i viteve 1992-1997 dhe i viteve 2005-2012, i cili u ripremton pronarëve: “kthim të banesave deri në datën 1 nëntor 2012”.

Po a do ta mbajë “fjalën e nderit” Sali Berisha”? Përgjigjen po e japim me një “kalendar” 20 vjeçar, ku tregohet mashtrimi dhe tallja që Sali Berisha u ka bërë këtyre pronarëve.

 

Kalendari “SALI”, i premtimeve për banesat: çdo vit nga një mashtrim!

– Në vitin 1991 ka deklaruar: Të parët që do marrin pronat, janë ata, që diktatura u grabiti me dhunë banesat për të strehuar shërbëtorët e regjimit.

– Në vitin 1992 ka premtuar: Ju garantoj se brenda 6 muajve të parë të pushtetit tim, të parin ligj që do bëj e do zbatoj do jetë për kthimin e këtyre banesave tek pronarët.

– Në vitin 1993 ka premtuar: Ligjin për kthimin e banesave tuaja e miratuam, brenda muajit dhjetor do të keni në dorë çelësat e tyre. T’i gëzoni!

– Në vitin 1994 ka premtuar: Ju jap fjalën e nderit se viti 1994 do ketë dy ngjarje të mëdha: Miratimin e Kushtetutës dhe kthimin e banesave tek pronarët.

– Në vitin 1995 ka premtuar: Ky vit ka si objektiv madhor kthimin e banesave tek pronarët. Fundi i tetorit është fundi i këtij krimi moral e pasuror që diktatura ka bërë ndaj kësaj shtrese.

– Në vitin 1996 ka premtuar: Garantoj 4400 pronarët e banesave se brenda muajit shkurt do bëjmë ligj të veçantë për lirimin dhe kthimin e tyre brenda muajit gusht

– Në vitin 1997 ka deklaruar: Këtë vit projekt i parë madhor për mue dhe qeverinë e PD ishte kthimi i banesave të shpronësuar, por nuk na lanë ta realizojmë.

– Në vitin 1998 ka deklaruar: I bëj thirrje padrinos Fatos Nano të kthejë urgjent banesat e pronarëve, ndryshe unë do të veproj brenda ditës së parë të kthimit në pushtet.

– Në vitin 1999 ka deklaruar: Të nderuar pronarë të banesave, ne kemi gati projekt-ligjin për kthimin e banesave, por pushteti nuk e kalon për miratim.

– Në vitin 2000 ka deklaruar: Ta dinë pronarët se ne nuk tërhiqemi nga lufta jonë principale e njerëzore për kthimin e banesave të grabitura nga diktatura.

– Në vitin 2001 ka premtuar: Një gjë ju premtoj dhe ju garantoj ju pronarëve të banesave: sa të vijmë në pushtet, brenda muajit të parë ju do jeni në banesat tuaja.

– Në vitin 2002 ka deklaruar: Brenda marsit 2002, do depozitoj në Gjykatën e Strasburgut dosjen për kthimin e banesave tuaja. Në Strasburg më garantuan se kjo çështje do zgjidhet brenda këtij viti.

– Në vitin 2003 ka deklaruar: Ne do t’i kthejmë patjetër ato banesa tek pronarët, se jemi parti e të drejtës, e idealit dhe mbrojtjes së pronës.

– Në vitin 2004 ka deklaruar: Pushteti dhe gjykatat të mos bëjnë lojëra me gjyqe false e zvarritëse, se nuk e bllokojnë dot këtë proces. Do përgjigjen përpara ligjit.

– Në vitin 2005 ka premtuar: Vota për PD është votë për drejtësi mbi pronën e shqiptarëve, është garanci për kthimin e banesave të pronarëve të shpronësuar.

– Në vitin 2006 ka premtuar: Kemi gati ligjin për kthimin e banesave dhe strehimin e familjeve që jetojnë në to, kam nxjerrë urdhrin për lirimin e tyre brenda qershorit.

– Në vitin 2007 ka premtuar: Kjo punë u zvarrit nga viti i kaluar, mbasi ekspertët më të shkëlqyer vendas e të huaj, menduan që ligji të riformulohet, me synimin që procesi të jetë sa më i saktë juridikisht. Për 3-4 muaj, d.m.th në prill banesat janë duart e pronarëve.

– Në vitin 2008 ka premtuar: Kjo punë nuk mund të zvarritet më tej, sepse ne jemi qeveri e mbajtjes së premtimeve, ndaj zotërinj ministra të linjës është urdhër, që brenda muajit qershor pronarët të jenë brenda banesave.

– Në vitin 2009 ka premtuar: Ne jemi gati, por sipas ekspertëve, ligji për kthimin e banesave kërkon disa amendime specifike. Brenda 3 mujorit shkurt-prill 2009 do ta mbyllim këtë histori.

– Në vitin 2010 ka premtuar: Këtë vit problemi do të mbyllet me çdo çmim. Fondi për strehimin e familjeve që banojnë në këto banesa është gati. Vitin e Ri 2011, të dy palët do ta festojnë në pronat e tyre. T’i gëzoni!

– Në vitin 2011 ka premtuar: Kjo punë nuk duron më. E kemi zgjatur shumë. U deklaroj pronarëve se tetori 2011 është mbyllja e kësaj gangrene 65 vjeçare.

– Në vitin 2012 vazhdon premtimet: Nuk do ketë më zvarritje e justifikime. Në 1 nëntor 2012, këto banesa do të jenë të lira dhe në duart e pronarëve, ndërsa 4400 familjet që do dalin prej tyre, do të strehohen me kredi pa interes.

Pyesim: A do ta mbaj Sali Berisha premtimin e radhës, që bëri para 1 jave? Askush nuk e beson më kryeqeverisësin “simbol kombëtar” të demagogjisë e mashtrimit.

 

Ja përse nuk e besojnë më Sali Berishën, pronarët e banesave…

– Sepse Sali Berisha i ka gënjyer dhe do t’i gënjejë përsëri dhe pronarët e banesave, ashtu siç po gënjen për 20 vjet rresht gjitha pronarët.

– Sepse Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen ish të përndjekurit politikë për lekët e viteve të burgut dhe plotësimin e kushteve të jetesës e punësimit.

– Sepse Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen afro 1300 familje për eshtrat e të afërmeve të tyre, të pushkatuar e të vdekur në burgjet e diktaturës.

– Sepse Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen për hapjen e dosjeve të spiunëve të sigurimit të shtetit.

– Sepse Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen prej 8 vjetësh në opozitë dhe prej 7 vjetësh në pushtet afro 300 mijë familje për legalizimet e banesave.

– Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen invalidët, të vërbrit dhe jetimët për statusin, për punësimin, strehimin dhe pensionin financiar.

– Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen komunitetin rom për strehim e integrim me të gjithë kushtet që nga strehimi, punësimi, shkollimi, integrimi etj.

– Sali Berisha do t’i gënjejë, siç ka gënjyer dhe po gënjen studentët për kartën e studentit dhe kushtet e jetesës.

– Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen ushtarakët, policët, pilotët, marinarët, gjeologët, tekstilistët dhe minatorët për statusin dhe pensionet.

– Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen fermerët për çmime të ulëta për karburantin, ujin vaditës dhe pesticidet e mekanikën bujqësore.

– Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen për kreditime e subvencionimin favorizuese në bujqësi, blegtori dhe në industrinë e agrobiznesit.

– Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen për vendosjen e minimumit jetikë. Siç ka gënjyer dhe po gënjen, me strehimin e familjeve të pastreha.

– Sali Berisha do t’i gënjejë siç ka gënjyer dhe po gënjen për dëmshpërblimin e të përmbyturve të Shkodrës e Lezhës.

– Sepse Saliu ka “zanat” të vjetër: ka gënjyer dhe do vazhdojë të gënjejë përherë e për gjithçka…

5 komente në “Saliu hap “thesin 1 prilli”: Në 1 nëntor liroj dhe kthej 4400 banesat e pronarëve!”

  1. Ben Chicago says:

    ne themi saliu dhe nenkuptojme genjeshtra
    ne themi genjeshtra dhe nenkuptojme saliu

  2. dritani says:

    Dhe ish-pronaret vazhdojne t’ia japin voten Saliut…

  3. DANGALLI says:

    ky ligj, duhej 20 vjet para mor, pis burre

  4. preng sherri says:

    banesat JO!
    pronat JO!
    hapjen e dosjeve JO!
    shperblimin e te perndjekurve JO!
    Natyrisht,ne keto 20 vjet ju ke dhene kestin e pare,te dytin do jua japesh pak para zgjedhjeve ,besoj!kurse te tretin,te katertin,e keshtu me rradhe,do jua paguash me leshin e Argites?
    nuk ke faj ti,fajin e ka ky komb qe te voton e te mban ne pushtet.
    Thone qe veprimet e mira ne jete,s’paguajne.Ndoshta.Por te keqijat po,dhe po paguajne perdite.Nje komb qe merret me vedhje,prostitucion,mashtrim,kete pushtet do.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje