Nga Leart Kola
Nuk ka më kohë. Jo në kuptimin meta-filozofik të kohës si metaforë e njeriut dhe anasjelltas, por në kuptimin e kohës në orën e një bombe aspak Hollywood-iane që pritet të shpërthejë. I vetmi ndryshim është që në afatin e skadencës së Shqipërisë tonë, nuk ka dilemë në fijen për tu këputur aspak, por heroi në këtë rast që e merr punën përsipër nuk është një individ, por një emancipim shoqëror, një vetëdije kolektive politike,që kësisoj do këpuste fijen e duhur,për të ristartuar kohën në llogari të shqiptarëve e jo të pushtetarëve.
Duke qenë se t’i bësh kritikë qeverisë për aksionet politike të zhvilluara gjatë këtyre viteve është jo vetëm një humbje kohe,por dhe një rënie në grackën e kohës së humbur, unë preferoj të analizoj mundësitë hipotetike të Shqipërisë e shqiptarëve. Sepse besoj që na duhet një dialog jashtë elitave për të dalë nga kurthi i ankesës elitare që e prish kësisoj raportin e demokracisë nga një demokraci përfaqësuese në demokraci elitiste thashethemaxhie, ku ato që kanë grupet më të mëdha mediatike e krijojnë problemin e diskutojnë problemin dhe e zgjidhin problemin e tyre,duke e lënë qytetarin si komentator të thjeshtë të problemeve që nuk i përkasin atij,por një grupi të vogël të pushtetshmish, biznesmenë dhe politikanë,e në të njëjtën kohë duke i trumbetuar këto probleme si “çështje të masave”.
Shumë pak flitet sot për problemet që do sjellë vjeshta. Turizmi qartazi po kalon vitin më të errët të tij, jo vetëm pushuesit në brigjet shqiptare janë përgjysmuar, por janë përgjysmuar dhe të ardhurat që ata shpenzojnë në pushime. Duke bërë kështu që një pjesë e mirë e qarkullimit të parave që pas verës euforike të shtronin rrugën dhe për një vjeshtë jo deprimuese janë të pakta.
Tetori pritet të jetë muaji ku Shqipëria do ta humbë për herë të disatë statusin e kandidatit në BE,që në terma ekonomikë do ishte fillimi i marrjes së benefiteve konkrete në formë të ardhurash nga Europa, duke qenë se deri më tani kemi pasur vetëm përgjegjësi dhe disavantazhe duke filluar nga marrëveshja e tregtisë së lirë. Etja maniake e Berishës për të kontrolluar gjithë institucionet e pavarura i humbi bujkut miliona euro investime,kompanive ia mohoi likuidimet që do i shpëtonin nga falimenti dhe iniciativës së prodhimit vendor ja mbylli derën e subvencionimeve që do vinin për pasojë nga fitimi statusit.
Viti politik që pritet të finalizohet me zgjedhjet e verës së ardhshme do jetë i vështirë dhe për biznesin e vogël dhe atë të mesëm, tashmë i vetmi burim qeveritar për të mbushur arkën, sepse bizneset e mëdha janë aq shumë të lidhura me politikën, sa as taksat nuk i mbledh dot drejtoria e tatimeve, e cila tashmë është transformuar nga një institucion publik, në një polici gjobëvënieje për llogari të shtetit,e në një shkatërruese të çfarëdo iniciative sipërmarrjeje. Paradoksalisht sektori më i sulmuar i shtetit është dhe sektori që përbën hapësirën më të madhe të punësimit ndër ne.
Të gjithë këto probleme kurrsesi nuk do jenë pjesë e planit qeveritar për vitin që vjen, e fokusuar vetëm në inaugurime për të disatën herë të rrugëve dhe impianteve të tjera infrastrukturore, në një mega show mediatik do mundohet dhe kësaj here të na fshehë plehrat poshtë krevatit, pa e vrarë shumë mendjen për erën e keqe që sa vjen e shtohet.
Në librin e tij 1984 Orwell do shkruante “e vetmja shpresë mbeten proletarët”, e lakuar në aktualitetin politik do ishte “e vetmja shpresë mbeten shqiptarët”. Duke nënkuptuar me shqiptarë, shumicën që nuk kanë as lidhjet as mbiemrat e paracaktuar për sukses të menjëhershëm. Por atë pjesë të shqiptarit politik,që duhet të mobilizohet sot ose kurrë,për të rikthyer interesat e tij në prioritet. Askush nuk ka më kohë, as mosha e tretë që dëshiron të jetojë vitet e fundit në paqe, e as të rinjtë që duhet të refuzojnë të ulin kurrizin përpara çdo padrejtësie që shohin duke e marrë të mirëqenë këtë realitet. S’ka dhe nuk është koha që fshatari shqiptar ta shesë votën me kesh,dhe qytetari ta konvertojë votën në një mundësi hipotetike të një vendi pune,që zakonisht nuk vjen kurrë. Nuk ka kohë as të jemi aktiv në kauzën e gabuar e as pasiv dhe cinik pa asnjë kauzë.
Problemi nuk është Berisha,edhe pse padyshim fajin e ka Berisha. Problemi është sot mungesa e solidaritetit mes fshatarit me fshatarin,studentit me studentin, punëtorit me punëtorin. Problemi është indiferentizmi ndaj brezave që shkuan dhe ndaj atyre që do vinë. Mungesa e dashurisë për atdheun jo në kuptimin tallava të nacionalizmit,por në sensin ekonomik të shitjes së tij në pak duar,që na transformon në qiraxhinj në vendin tonë. Nuk ka më kohë,për këtë duhet guxim për të prerë fijet me të shkuarën që të ndërtojmë bashkarisht të ardhmen.
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/08/kasapet-e-shqiperise.html
E drejte, por qe te presesh fijet e te kaluares duhet qe te pakten disa njerez te sakrifikohen, dhe nuk shoh anje njeri me mend qe te jete gati ta bej kete. Po ta dinin njerezit ne 21 janar qe do qellohej kuturu nuk do dilnin fare ne proteste. Nuk ka me kohe, “Eshte koha per veprim” si thoshte kokelopa. Veprim eshte bashkohesh me pushtetin, veprim eshte ta luftosh pushtetin pa llogaritur kostot personale dhe familjare, dhe nje veprim eshte te ikesh fare sa me larg qe ketu. Eshte dhe mosveprimi, ajo qe po bejme shumica prej nesh.