Rrokullisja e turpshme drejt humnerës, si një i dehur tapë, e Universitetit Publik s’ka të ndalur.
Ky universitet, në emër të dijes dhe humanitetit, po i bë rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve kosovarë dhe po i shërben pushtetit si vegël qorre.
Me zgjedhjen e Gashit rektor përfundimisht ky universitet u bë pronë e Qeverisë së Hashim Thaçit, që e ka korruptuar dijen, mendjen, ata që dikur quheshin intelektualë, pjesën dërrmuese të tyre.
S’ka befasi. Skenari Thaçi &Co u realizua ashtu siç pritej.
Asnjë votë kundër nga nëntë në Këshillin Drejtues të Universitetit.
Frika i ka kapluar si minjtë para tërmetit, shumicën e stafit universitar…
Ata ose janë thyer me metoda torture dhe janë kthyer në krah të Qeverisë, ose janë heshtur po ashtu me metoda torture dhe kanë heshtur plotësisht.
Duke u shndërruar në butakë të parrezikshëm. Me detyrim.
Ibrahim Gashin e njoh nga bota e medieve.
Të themi burrë i mirë dhe historian modest. Në aspektin e etikës nuk është fare nën nivelin e pararendësve të tij.
Pra, zgjedhja e tij për rektor kontestohet ekskluzivisht për arsye politike.
Përderisa Gashi është një qytetar normal dhe statusi i tij civil nuk përflitet për punë të këqija, zgjedhja e tij për rektor universiteti në këtë aspekt është OK, sepse njëri nga të barabartët do të duhej zgjedhur, sipas rendit, si “kapiten” i kësaj anije që po i afrohet Icebergut…
Sipas këtyre standardeve mbrapshtake e të mjera, të cilat po aplikohen në këtë universitet, “Titanicu” kosovar i dijes mbytjen e ka të sigurt.
Po i kujt është turpi i radhës?
Për rrethanat e dijes dhe të perceptimit mbi intelektualin të shoqërisë kosovare, zgjedhja e Ibrahim Gashit është festë!
Një qytetar i pakorruptuar, luajalë ndaj shtetit dhe me një diplomë të Gracit (doktoraturë në histori).
Porse, po të mos ishte ky vend pune në shënjestrën e mësymjeve permanente të politikës (thjesht pushtetit) për ta zaptuar, zgjedhja e Gashit do të ishte korrekte, në kushte normale.
Po flasim për kushtet e supozuara, kur Gashi do të zgjidhej rektor jopolitik!?
Sado që s’e besoj!
Sidoqoftë, në një vend normal demokratik, zgjedhja e rektorit do të ishte thjesht çështje e brendshme e stafit universitar.
Mirëpo zgjedhja për rektor e një politikani, kryesisht të heshtur, e të rreshtuar ideologjikisht përkrah pushtetit aktual të Thaçit shpjegon së pari kapjen e shtetit dhe së dyti mjerimin e profesorëve dhe të stafit akademik në Universitetin Publik.
Mjerim të cilin vetë ata e kanë instaluar, qoftë nga paaftësia, nga deficite morale e profesionale, qoftë nga frika ose nga sindroma e persekutimit…
“Ju betohem që këtu nuk ka lidhje politika. As nuk kemi pasur presion politik. Mund të kishte pesë-gjashtë vota, po të ishte nga politika, por është votuar unanimisht”.
Kjo fjali është e Ajvaz Berishës. Prandaj: No Comment!
Fundja, siç po vënë punët këndej pari, nuk do të bëhej kiameti të zgjidhej për rektor edhe vetë Hashim Thaçi – por brenga qëndron në faktin se zgjedhja e një rektori ishte unanime, pra ai mori që të nëntë votat e “kapedanëve” të UP-së.
Por “bossi” i Këshillit Drejtues të UP-së dha edhe një deklaratë atraktive për Gashin: “E ka programin praktik”!?
Po çka është ky “PP”?
Berisha tha se për aq sa mban mend në historinë e këtij universiteti, nuk ka pasur ndonjë kandidat që është zgjedhur me unanimitet nga anëtarët e Këshillit Drejtues.
Por cila është storja e Gashit gjatë intervistimit që i paskësh fascinuar kolegët, pasi që asnjëri nuk votoi kundër?
Së pari, ndalesa që të paguhen nga UP-ja profesorët të cilët janë jashtë Kosovës.
“Gashi do t’i nxjerrë nga puna”!?
Dhe së dyti, Gashi do t’ua ngrijë mandatin profesorëve që mbajnë poste publike në Qeveri!
Me demek, rreth këtyre dy çështjeve po u thyekan shtizat për t’u zgjedhur rektor. Se me të tjerat e kanë kënaqur krejt!
Këta njerëz duan universitet praktik!? Aty, supozohet se tash e tutje do të mësohen sportet marciale, do të ushtrohet përdorimi i modelit rus të pushkës automatike “kallashnikov”, prita, thyerja e eshtrave, spiunimi, përdorimi i qytetarëve me dosje kriminale për qëllime denoncimesh, shantazhesh…
Unë s’kam ide të tjera, pos këtyre, për një universitet praktik!
Profesorët janë detyruar të heshtin. Pra, janë në ‘tue-bamsi’ të dy veprimeve joetike!
Veprimi i parë joetik, (në këtë rast nuk po e cilësoj si krim!?) është heshtja para rrëmeteve që e kanë përfshirë Kosovën dhe shoqërinë kosovare, dhe posaçërisht UP-në;
Veprimi i dytë joetik është detyrimi!?
Nga kush dhe në çfarë rrethanash mund të detyrohet një intelektual për të ndërmarrë diçka, për të folur apo mosfolur, për të shkruar a mosshkruar, për të rezistuar apo për t’u përshtatur!? Nga kush dhe përse kanë marrë detyrim, profesorët struca të UP-së?
Ose kush, cila instancë dhe fuqi politike po ushtron presion mbi ta për t’i mësuar në detyrim!?
Nëse unanimiteti është arritur me detyrim, kjo është krim!?
Por, dikush po thotë se Këshilli Drejtues është zgjedhur pikërisht për t’i paraprirë zgjedhjes së Gashit rektor!?
Mirë boll, po kush i zgjodhi ata nëntë tipa muskulorë për ta drejtuar UP-në?
Stafi i Universitetit Publik, d.v.
Duke qenë se përditë shohin e dëgjojnë se askush nuk merr ndëshkim për asnjë krim në këtë vend, dhe se muskujt e jo truri, mujshia, egërsia dhe mizoria i ngrenë këta batakçinj në hierarkinë shoqërore (si në Perëndimin e egër) edhe profesorët pa kredo profesionale dhe morale (gjithnjë flas për shumicën elektorale, ata që zgjidhen dhe zgjedhin) kanë nisur ta kuptojnë “shkencën e evolucionit – përshtatjen”.
A duhet me qeshë a me qajtë kur sheh kinse-intelektualët duke u përjargë në turrje e sipër për t’u shkrirë në “psikosomatikën e frymës së kohës” (Sloterdijk) duke votuar për “kapedanët” kapadainj, që e kanë “kapur” edhe UP-në.
Abuzim ma i pështirë dhe barrë më e rëndë para historisë nuk i ka ndodhur këtij vendi, as në epokat më të errëta të tij.
As në Kuvendin komunist të Kosovës më 1989 (kur u shkel autonomia politike e Kosovës) nuk pati unanimitet.
13 deputetë dolën kundër.
Ishte koha e jetesës së rrezikshme në Kosovë.
Zërat kundërshtues për këtë degradim janë të paktë. Pothuajse minorë. Qytetaria është dyndur në strehën e kërmillit.
KMDLNj-ja konsideron se i tërë procesi i “zgjedhjes” së rektorit të UP-së është i parregullt, i kurdisur, duke i vënë në pozitë të pabarabartë dhe duke i diskriminuar kandidatët e tjerë të UP-së.
Edhe lëvizja studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka reaguar për zgjedhjen e rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës.
“Krimi po vazhdon në stilin e vjetër, por me rektor të ri”, thonë studentët.
E këta profesorët (trupi elektoral) do të duhej ta sqaronin publikun se si ndodhi që “unanimiteti” u bë ligj në UP, në vendin ku do të duhej të ligjërohej Karl Popper dhe mendimi i hapur!?
Unanimiteti është ligj në diktaturë. Unanimiteti politik. U bë ligj edhe në Universitetin e Prishtinës. E kështu dalëngadalë në UP do të hapet një kuesturë për t’i marrë njerëzit në pyetje se më kë janë dhe a kanë pa ndonjë ëndërr një natë më parë; mos kanë menduar armiqësisht për frytet e revolucionit?
Mos kanë menduar ta tallin Shefin e madh?
Mos kanë menduar, fare…!?
As në Universitetin shtetëror të Venezuelës ULA “Universidad de los Andes” nuk zgjidhet rektori me unanimitet.
Matoshi si gjithnji i sakt, largpames pse jo dhe briland ne analizat e tij. Fakti qe ka marre ne analize ben pjes ne morin e fakteve qe ravijezojn strategjine e cberjes se ketij kombi. Por esht nga me kryesoret, Dija- ketej fillon ndergjegjsimi i kujdo per te pasur repekt per veten, per te qen kritik ndaj padrejtsis ndaj hajnise pra per te qen sycel ndaj cdo gjeje qe ndodh. Sa mire eshte punuar me trurin e shqiptarve prej 500 vjetesh, qe te harrojn kush jan, te mos dijn te kerkojn dhe se fundi ta thon me bindje “po ne skemi qen kurr kurrgje ndaj skemi se si ndertojm shtet ndaj ky eshte vend i mallkuar etj” pra ja kan arrit. Nga dija fillon gjithshka dhe skishte sesi te mos shfaqej ky fenomen edhe ne Kosove, atje ku shpirti shqiptar i ruajtur me fanatizem beri te mundur nga hici te ndertojn shtetin e pavarur. Sja dolen dot me te keq me kete pjes te shqiptaris, hajt se “ta po ja rregullojm me te mire- duke i orjentuar ne metoda drejtimi te ekonomise dhe kulturimi te mendesise qashtu te cbehen vete”. Ky eshte procesi qe po ndodh sot ne Kosove.