Kohë cubash

1 Gusht 2012, 20:48Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Institucioni i Avokatit të Popullit ka privilegjin të jenë ndër të paktat institucione kushtetuese të shtetit shqiptar. Ky institucion përmendet në nenet 60 deri 63 të Kushtetutës si dhe funksionon në bazë të një ligji të veçantë që rregullon marrëdhëniet me të tretët. Avokati i Popullit zgjidhet me 3/5 e votave në Kuvend, ndërkohë që Avokati aktual, zoti Igli Totozani, u zgjodh me mbi 2/3 e votave të ligjvënësve. Pra, përveç aspektit kushtetues të institucionit, edhe drejtuesi i tij më i lartë ka marrë një mbështetje maksimale nga përfaqësuesit e popullit.

E bëra këtë hyrje sqaruese për të vënë në dukje respektin që duhet të tregohet ndaj këtij institucioni. Fakti që ai kryen avokaturën e popullit, tregon fuqinë që ky institucion mbart në raport me çdo lloj institucioni tjetër, pasi mbron sovranin (që është shumica) ndaj çdo padrejtësie që vjen nga institucionet e shtetit (që janë pakica, por që mbartin dhunë fizike dhe psikologjike kur dalin jashtë kontrollit të ligjit).

Ditët e fundit, ky institucion u vu në qendër të vëmendjes nga një shpërfillje që një “nëpunës i vockël i perandorisë” u kish bërë kërkesave për t’u paraqitur e dëgjuar në lidhje me një konflikt me komunitetin rom, përkatësisht, me atë pjesë që e fiton bukën e gojës duke gërmuar në kazanët e plehrave për kanoçe apo mbetje plastike dhe shitur më pas për riciklim. Bëhet fjalë për kryeinspektorin e Policisë Bashkiake të Bashkisë Tiranë, zotin Florenc Hoxha, i cili rezultonte se kish refuzuar tri ftesa dëgjimore nga Avokati i Popullit. Seancat dëgjimore përbëjnë në vetvete një ballafaqim të fakteve të mbledhura nga komisionerët e Avokatit të Popullit, me argumentet e të interesuarit, në rastin konkret, me zotin Hoxha. Në përfundim të kësaj procedure, pasi janë dëgjuar të gjitha palët dhe pasi analizohen të tëra faktet dhe provat e mbledhura, dilet në një konkluzion i cili përmblidhet në një vendim përfundimtar nga Avokati i Popullit, se cilët nga palët kanë të drejtë dhe sipas rastit propozohen edhe masat që fillojnë nga ato administrative deri në kallëzime të karakterit penal në organin e prokurorisë.

Për çudi (çdo gjë mund të ndodh’/ jetojmë në Tiron), zoti Hoxha, me një vetëbesim që ndoshta i buron nga fakti që për ligj njeh urdhrat e eprorëve të vet, nuk paraqitej për të dhënë shpjegime. Mos vallë Avokati i Popullit po tregohej kapricioz dhe po i kërkonte pa të drejtë zotit Hoxha të paraqitej në zyrat e institucionit thjesht për tekën e një komisioneri? Absolutisht jo! Dhe për këtë na vjen në ndihmë Ligji nr.8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit” i ndryshuar, dhe përkatësisht neni 19 pika ‘c’ i tij që për të qenë korrekt me lexuesin po e sjell të plotë atë:

 

Neni 19

Procedura e hetimit

Në rastet kur vendos të kryejë hetime të pavarura, Avokati i Popullit ka të drejtë:

a. të kryejë hetime në vend, përfshirë edhe hyrjen në çdo zyrë të institucioneve publike dhe këqyrjen në vend të akteve apo dokumenteve që kanë lidhje me çështjen që heton.

b. të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore, si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin;

c. të marrë në pyetje çdo person që, sipas tij, është i lidhur me çështjen nën hetim, dhe të thërrasë në zyrën e tij të gjithë personat pa imunitet;

ç. të kryejë ose të kërkojë ekspertiza.

 

Siç është mund ta lexoni, ligjvënësi e ka theksuar në ligjëratë të drejtë që çdo person pa imunitet është i detyruar të shkojë në zyrën e Avokatit të Popullit kur ai e thërret. Kjo do të thotë që zoti Hoxha, jo thjesht s’ka përfillur apo s’ka respektuar Avokatin e Popullit si individ dhe si institucion, por ai ka shkelur me të dyja këmbët ligjin. Edhe sikur zoti Hoxha të dalë i pafajshëm nga procesi hetimor që është hapur dhe ku ai është pjesë, vetëm nga kjo shkelje ligjore ai duhej ndëshkuar administrativisht. Fakt është që zoti Hoxha rezulton recetivist (përsëritës) në këto shpërfillje që fillojnë me mosparaqitjen në seancat gjyqësore që ishin hapur kundër tij nga dy zonja të nderuara të administratës së taksave të bashkisë dhe ku zoti Hoxha ishte paditur për dhunën që kish ushtruar ndaj tyre.

Po kush e bëri kaq “trim” këtë nëpunës të lartë të qytetit që e bën të shpërfillë gjykata dhe institucione kushtetuese, më saktë, vetë ligjin?! Padyshim që janë ustallarët e kupolës qeverisëse, qendrore dhe vendore, që ia ngrohin shpatullat, sepse ky kryepolic bashkiak i ka dhënë provat në zgjedhjet vendore dhe është kontigjent i gatshëm për t’u përdorur edhe në zgjedhjet parlamentare.

Në çdo kryeqytet me kryetar që ka dy pare mend në kokë, cuba të këtij lloji do ishin shkarkuar me ceremoni (në fakt këta as do kishin shans të puthnin ndonjëherë në këto detyra), ndërkohë që kryebashkiaku do kërkonte ndjesë publike përpara opinionit për këtë sjellje arrogante të nëpunësit që e ka emëruar me firmën e vet.

Fatkeqësia jonë është se edhe kryebashkiaku është një cub, që urdhërohet nga një kryecub dhe cub pas cubi është krijuar një bandë ligjshkelësish Qeveri-Bashki që me veprimet e tyre në fakt sfidojnë çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi që përpiqet çdo ditë të zbatojë ligjet dhe në fund i duket vetja budalla.

Ai u paraqit më në fund, por e bëri kur deshi vetë dhe jo atëherë kur ia kishin caktuar të tjerët. Është modeli i kohës që jetojmë, ku, në ç’do lloj pozicioni publik që të jesh, mjafton që je në anën e duhur dhe vetëkonsiderohesh i paprekshëm dhe i pandëshkueshëm.

Akti i kryepolicit Hoxha që injoroi për javë të tëra këtë institucion të nderuar, ishte i turpshëm. Por ndjenja e turpit është për njerëzit me dinjitet, të cilët përpiqen të mos e njollosin personalitetin e tyre. Kurse këta që hynë si grabitës në ato zyra, jo vetëm u ka plasur cipa, por ndjehen krenarë që fuqia e ligjit po tregohet ”bujare” me ta. Por edhe kjo “bujari” është e përkohshme, si vetë mandati që kanë grabitur.

6 komente në “Kohë cubash”

  1. Nje gje nuk e kuptova a ka sanksione per ata persona qe nuk i binden nenit 19 qe citohet me lart?Nese po perse Avokati i popullit nuk e ven para pergjegjesise kryepolicin?

  2. bjondi says:

    o korabi, france nuk e ke marre vesh qe ketej nga anet tona se cajne trapin per ligjin, mund te besh c’te duash te vjedhesh te vrasesh, dhe je prape te vendi i gatshem per te vjedh dhe per te vrar.

  3. kesaj i thone “qeni leh e ujku pirdh” o popull akom nuk je bindur per kete me gjith ato krime qe te jane bere n.q.se jo atehere ri e mos u duk gjekundi se sa here qe te dalesh do te hash.

  4. media says:

    QELINE E MERITON
    ********************
    Qenka burre Totozani
    ne OKB i vajti nami
    per liri dhe drejtesi
    per paqe harmoni
    Florenc Hoxha mercenari
    si fodull ate mendon
    edhe ligjet kur i shkelen
    qeveria s’e denon
    ku e gjeti ate kurajo
    qe fakiret ti mundoje
    ti shtype si te doje?
    dhe Saliun te kesh mik
    ai s’mundet te te mbroje
    mbi ligjet te komandoje
    Florenc Hoxha s’je cilimi
    me pergjigjet qe jep ti
    ne qeli e meriton
    atje veten ndergjegjeson.

    1. Shefqet Cela says:

      SAPO U DUK FUNDI LAZARATIT (pjesa e keqe e tije); i erdhi radha ktij pushti te kryeqytetit.
      U r o j m e : LART E ME LART.
      SA ME TEPER E FUQISHME,
      LE TE NGRIHET LART FURTUNA……

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje