As mos e mendo, kauboj!

1 Gusht 2012, 21:19Blog TEMA

Nga Fadil Lepaja

 

Christopher William Dell nuk u mjaftua të ishte vetëm kryediplomat në këtë vend, por ai u fut thellë edhe në politikë. Gati drejtpërdrejt! Anoi haptazi, negocioi koalicione, emëroi e shkarkoi… bëri çka deshi vetë!

 

Në Ballkan përsëritet një fjalë e urtë popullore, e cila ka kuptim të thellë, sa filozofik aq edhe strategjik. “Uji ecë, gurët mbesin”! Kush po shkon e kush po mbetet?

Pasi mori dekorata dhe mirënjohje nga të gjithë ata që i kishte sjellë në pushtet, ose i kishte fuqizuar drejtpërdrejt apo tërthorazi, shkëlqesia e tij, ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Christopher William Dell, po shkon. Për dikë vetëm Kris, për dikë “Dell”, sidoqoftë me paraqitjet dhe veprimet e veta pak kë e la indiferent, sidomos shoqërinë civile dhe publicistët.

Kishte kaluar mjaft kohë prej se një diplomat të krijonte aq shumë turbulenca në një vend aq të vogël, si Kosova, ku avionët e NATO-s asnjëherë nuk arrijnë të zhvillojnë shpejtësinë dhe mezi arrijnë të marrin kthesën për të mos e kaluar kufirin. Kufirin problematik!

Ai nuk u mjaftua të ishte vetëm kryediplomat në këtë vend, por ai u fut thellë edhe në politikë. Gati drejtpërdrejt! Anoi haptazi, negocioi koalicione, emëroi e shkarkoi… bëri çka deshi vetë!

Por, po duket se po shkon qartaqefas, i kontestuar, sepse mekanizmat dhe metodat e veprimit të tij për pjesën kritike të shoqërisë ishin krejtësisht të dyshimta si korruptive, antidemokratike dhe, në fund të fundit, joefektive, sepse në vend se të zgjidhnin problemet, ato u bënë vetë problemi.

Por, ai, për dallim prej të gjithë të tjerëve, u lëshua edhe në polemika të drejtpërdrejta duke faktorizuar pjesën kritike të shoqërisë. Ndërkohë që duke i përdorur metodat pak a shumë komuniste të diskreditimit dhe ekskomunikimit, ai u përpoq të defaktorizojë të gjithë ata që nuk dëgjonin hirësinë e tij. Publikisht, denjoi të futej në luftë vetëm me një “antiamerikan” me përkrahje tashmë të dëshmuar amerikane, qoftë përmes donacioneve, qoftë përmes kontakteve të niveleve serioze të cilat i mban ai. Provoi edhe me Fisin, por… vetëm bëri reklamë për “The Pimpsons”.

Të kthehemi, te i pari! Para se të shkojë, shkëlqesia e tij, Christopher William Dell, bëri hakmarrje të pazakonshme publike ndaj tij. Përmes një sulmi “ad hominem”, që do të përdoret si rast shkollor në kurset tona të gazetarisë, ku do të mësohet se si mund ta devalvosh një personalitet dhe ambiciet e tij krejtësisht legjitime duke përdorur retorikën spekulative.

Pra, z. Dell po shkon! A ishte ai magjistari prapa perdes, i cili në ekstazë harrohej fare dhe dilte në skenë bashkë me mikrofonin? E kumbonte, kumbonte. Na bëri magji?!

Apo, ishte vetëm një rrotëz e vogël në mekanizmin global diplomatik të SHBA-së. Krejtësisht e vogël për ambiciet e tij. Mijëra diplomatë, të cilët Sekretarja e Shtetit gjithsesi as nuk arrin t’i mbajë në mend me emër, e sjellin mekanizmin e fuqishëm global të superfuqisë së vetme, e cila ishte dhe mbetet mburoja jonë kryesore. Duket stresuese të jesh me ambicie të mëdha, e të mbetesh vetëm një rrotëz e vogël.

Por, kjo “rrotëz e vogël”, e quajtur Christopher William Dell, te ne mori përmasa gjigante. Nëpër ekranet e dirigjuara, shkopi magjik i i tij merrte mendtë dhe thyente kokat publike. Ai e heshtte opozitën me një të tundur shkopi, me një të sharë me “antiamerikan”!

Ka që mendojnë se “Ai” nuk mundi të përballonte emocionet e fuqishme popullore ndaj SHBA-së, por vendosi t’i (keq)përdor ato për promovim personal dhe grupor. Kjo e bënte atë të mos dukej ai që ishte, një rrotëz e vogël e një aparati gjigant diplomatik, por të merrte edhe përmasa të cilat, për shumëkënd, ai nuk arriti t’i përballonte me dinjitet.

Por, z. Dell po shkon! Amerika mbetet ndër ne! Vetëm kështu, pa pasur nevojë për ndonjë fakt shtesë, po e kuptojmë të gjithë ne edhe ata që pohonin ndryshe andej dhe këndej vijës së kuqe qeveritare, se Dell-i dhe SHBA nuk qenkan një. Ai ishte vetëm një “rrotëz e vogël”, e cila në vendin “kurrkund” e përfaqësonte një fuqi të madhe. Rrotëza e vogël, e cila nga ambicia dhe kushedi çka tjetër filloi të sillej krye më vete!

Edhe pas shkuarjes së tij teatrale, flamuri i SHBA valon dhe do të valojë po aq krenar në Ambasadën Amerikane dhe në të gjitha organizatat amerikane në këtë vend. Madje, si askund tjetër në botë, flamuri amerikan shihet edhe në tavolinat e në zyrat e të gjithë zyrtarëve kryesorë në këtë vend. Edhe në festat tona popullore. Zoti edhe Amerika, thonë njerëzit tanë!

Por, para se të shkojë, ”Ai” i la edhe një letër përshëndetëse personit i cili guxoi të pretendojë postin e presidentit, kur atë e qitën në pazar. Kur këta e zhvilluan lojën e famshme: “Ky bën, ky nuk bën”! Me sms-a, apo me zarfe!

Në këtë letër, z. Dell, pasi e përmend grantin njëmilionësh prej SHBA, e akuzoi pretenduesin, krejtësisht të ligjshëm për president, se kishte bërë sulm “ad hominem” ndaj tij. Dell-i i mirë! Më në fund, shfletoi edhe literaturën elementare të retorikës, por prapë me mendjemadhësinë e diplomatit që identifikohet me vendin e fuqishëm që përfaqëson, harroi se pikërisht ai që nga fillimi kishte përdorur një sulm “ad homminem” të pastër me atë “zvarritjen e pretenduar” në rezidencën e tij, apo me etiketat për antiamerikanizëm.

Ai dhe figurinat e tij të dyllta politike, kishin përdorur kryesisht “ ad homminem” të pastër ndaj opozitës duke i eliminuar të gjitha kritikat e tyre me akuzat për antiamerikanizëm apo për antikombtarizëm. Kush përmendte vjedhjet rreth autostradës ai ishte kundër autostradës!Kuptohet, edhe antikombëtarë. Kush nuk pajtohej me Dell-in, ishte antiamerikan.

Sipas kësaj, më së shumti antiamerikan paska në vet SHBA, sepse gati gjysma e popullatës, nëpër anketat e ndryshme nuk pajtohet me presidentin Obama. Por ku Presidenti Obama, e ku z. Dell. Me Presidentin Obama mund edhe të mos pajtohesh, pa ndonjë rrezik me të shpallë antiamerikan. Por jo edhe me shkëlqesinë e tijë, ish-ambasadorin e SHBA në Kosovë, z. Christopher William Dell!

Kushdo që nuk pajtohej me të, ose me kryeministrin, gjithsesi fitonte një etiketë , diçka me “anti”.

“Ai”, në letër lamtumire, harroi të përmend se, në fakt, argumentimet e formës “Ad hominem” e “Ad popullum” ishin kulmi i “mjeshtërisë” retorike të tij dhe të qeverisë të cilën ai e “paketonte si një hamburger”!

E kur jemi te “zvarritja”, a nuk qenkan zvarritur të tjerët? Sepse duhej dikush tjetër… sepse “Hashimi paska reputacion të keq te ndërkombëtarët”? E, përse Dell-i e përkrahte aq fuqishëm një personalitet i cili paska reputacion të keq te ndërkombëtarët? Kishte ndonjë interes tjetër? Pyetjet mund të marrin përgjigje me kundërpyetje!

Tash, kur vërtet po shkon, disi krejt janë relativizuar dhe e kemi të qartë se po të reagon ndjenja e hakmarrjes. U bëre edhe ti “shqiptar” dhe inatçi duke “mbjellë kunguj” me ne! Eh!…

Për fund, si duket paksa i kompleksuar para intelektualit të cilin e “masakroi” publikisht me “zvarritjen” e famshme, “Ai” sikur deshi të dëshmohet se lexon edhe libra. Madje se lexon literaturë të “rëndë”.

Z. Dell shprehej se ishte në mëdyshje kë të citojë, se cili autor i shkon atij më shumë “për fytyre”. Unë gjithsesi e rekomandoj Shekspirin! Jo se z. Dell e ka gjenialitetin e autorit, nuk mendoj ashtu, por sepse ai ka shumëçka nga personazhet e tij.

Ah, z. Dell, po shkon, duke lënë dërrasat e teatrit politik të quajtur Kosovë pa një regjisor të talentuar, gati magjistar! Apo, ndoshta dikush do të thotë se ishte vetëm një sufler (pëshpëritës) të cilin politika lokale e rriti përtej përmasave reale, për të mos u fshehur pas tij? Nuk do të jetë e lehtë të përballohet mungesa e tij në skenën politike!

Por, z. Dell u përpoq të na ngushëllojë! Tha se do të vijë, qoftë edhe privatisht!

Gjithsesi se mund të vijë, se Kosova pretendohet të jetë një vend i hapur dhe demokratik. Por, të mos përpiqet të na ngushëllojë që po shkon! “As mos e mendo, kauboj”! Është e pamundur! Mbetemi të pangushëlluar, përjetë! Të lutemi, na lë ta shijojmë këtë ndjenjë!

13 komente në “As mos e mendo, kauboj!”

  1. albani says:

    Nuk e di perse ngaterrojne emrin keta kosovaret, nga Alekdsander Arvizu, i thone Christopher Dell! Eshte e cuditshme!!! Me duket sikur Z. Dell te kete qene ambasador ne Shqiperi dhe Z. Arvizu ne Kosove. Por ne fund te fundit, qe te dy vendet jane nje, shqiptare andej, shqiptare ketej. Ambasador amerikan ketej, ambasador amerikan andej: qe te dy perkrahin te padrejten, jo demoklratiken, korrupsionin dhe diktaturen. Epo, si Shqiperia dhe Kosova, jasne nje cope kutije shahu ne rruzullin e dheut, kush pyet per keto vende, Obama jo se jo, as bie mendja, por edhe vete Sekretarja e shtetit, rralle kujtohet per keta dy venmde, vetem kur behet fjale perndonje Fazllic ose Wesley Clark, qe drejtojne e bizneset amerikane ne Shqiperi dhe ne Kosove. Rrofte ish-ambasadori Dell, Rrofte ambasadori Arvizu. A do te vije koha qe edhe per Z. Arvizu te shkruhet keshtu?

  2. sorge says:

    Eshte vije ne politiken e SHBA-se,qe ambasadoret sillen si GUVERNATORE TE KOLONIVE si Kosova dhe Shqiperia!!
    Keshtu sillet edhe ARVIZU-i ne Shqiperi:Berisha VRIT NJEREZ,ARVIZU E BEN “BURRE SHTETI”,”Berisha vidh VOTAT ne zgjedhje”,Arvizu akuzon opoziten,ASNJEHERE Berishen!!!
    KISHTE TE DREJTE ENVER HOXHA!!!

  3. Ben Chicago says:

    Fadil,si ne Kosove edhe ne Shqiperi eshte i njejti problem, sepse ne jemi i njejti brume.Kur nuk mund ti zgjidhim vete problemet tona(tuaja),shkoni me vrap tek ambasadori amerikan,qani,i kerkoni,ndihme,i raportoni,dhe i luteni te nderhyje,per te zgjidhur keto,probleme,kur ata nderhyjne natyrisht qe njera pale do mbetet e pakenaqur.Shqiptaret duhet te heqin dore nga ky mentalitet hoxhist-titist,per te gjetur “armikun’,e “fajtorin”,te te huajet,dhe sidomos te Amerika.Fadil,nuk besoj se do shkruaje ne gjuhen shqipe ne Kosoven e pavarur pa Ameriken.Amerikanet jane,”straight’,te drejte,mire ja beri qe ia publikoi milionerit Veton Surroit,gjithcka ai tha ne ambasade,ju jeni mesuar si ato,grate e rrugeve,ata vijne nga nje bote komplet e ndryshme.Mgjthate,per te mos e zgjatur,Fadil; gjeji armiqte diku tjeter,ti dhe keta komunistat enveriste ne Shqiperi.

  4. Xhevdet Fetahu, NYC says:

    E lexova me shume vemendje kete shkrim. Eshte i argumentuar, profesional dhe i paanshem. Duhet te thehet kopleksi i inferioritetit dhe psiklogjise se robit, i varshmerise fatale i te berit te politikes nga te tjeret, qofte ai ne kete rast edhe nje ambasador i kalibrit Dell…
    Kete gje e beri ne te njejtin stil edhe Veton Surroi, i cili ne menyre te qete e me argumente iu kundervua ambasadorit…
    Eshte e vertete se asnje mik me te madh se popullin amerikan nuk kemi ne shqiptaret, por nuk eshte ky proamerikanizem “blanko” yni, qe i lejon kujdoqofte te sillet ne menyre paternaliste, ekskluzive dhe ekskomunikuese, duke vene ne “tavolinen e bisedimeve” me shqiptaret qe mendojne ndryshe se ai, premisa te cilat nuk perkojne me demokracine amerikane, e te cilen gje Delli e ben me mjaft komoditet dhe jokorrektesi e josinqeritet ndaj Kosoves.
    Shpresoj qe me ardhjen e ambasadores se re te SHBA ne Prishtine, gjerat do te ndryshojne ne te mire, dhe se politika amerikane karshi Kosoves do te jete konsekvente, parimore, e sinqerte, dhe do te jete gjenerator i pershpejtimit te tejkalimit te problemeve te shumta qe jane ne Kosove, siq jane problemi i Veriut, krimi i organizuar, korrupcioni, papunesia, varferia…Delli beri shume gabime, te cilat mbase edhe administrata amerikane nuk i din ne hollesi…
    Kosova pret qe sa me shpejte te anetaresohet ne OKB, BE, NATO, ne institucionet ekonomike, kulturore e sportive te botes se civilizuar…
    Shpresojme qe roli prijatar i SHBA do te fuqizohet e dinamizohet edhe me shume…
    Kosova ka mjaft njerez te dijshem, te ndershem e te guximshem qe do ta marrin mbi vedi fatin e popullit dhe vendit te tyre…!

  5. balzac says:

    Perse mos t’i beje te gjithat!?Pak ka bere c’fare eshte dashur te bej.Do bejne edhe tjeret perderisa shqiptaret nuk do sherohen nga kompleksi i inferioritetit karshi te huajit dhe Ksenolatria admirimi per cdo gje te huajen?!

  6. Vis çerri says:

    Kisha kaq kohë që prisja një shkrim si ky.
    Komplimente Z. Lepaja i ke vënë pikat mbi I.

  7. Idriz Tafa says:

    Ky shtyllar (shqip per “columnist”) ne pamje te pare, ka te drejte te kryengrihet kunder (ish-) ambasadorit amerikan, ka te drejte te harxhoje te gjitha stilemst e mundshme fletorare (per “gazetareske”). Por shtyllari, po te shprehem bute, eshte tejet i paditur ne lamijtë e gjeopolitikes.
    Ashtu zi z. Dell, edhe kolegu i tij ne Tirane, z. Arvizu, po veprojne njesoj. Te jete rastesi? Sekretarja e Shtetit, znj. Klinton, me sa duket, nuk i kontrollon dot vartesit e tij, qe po shkelin “normat” demokratike?
    Zoterinj shtyllare, brenda dhe jashte trojeve shqipfolese, SHBA-ja sheh pertej atyre qe vërejmë ne në Prishtine dhe Tirane. Ruset dhe kinezet, miq te perjetshem te ish-Jugosllavise dhe sot te Serbise, jane ne gare me amerikanet per te nenshtruar Ballkanin Perendimor, posaçërisht Shqiperine dhe Kosoven.
    Ky shtyllar, para se te kritikoje zotërinë Dell, pse nuk shkroi per “kuintetin” Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Shqiperi dhe Rusi kunder Kosoves, ne emer te luftes kunder droges?
    Ky shtyllar, pse hesht kur tenderat e energjise per Kosoven me parate gjermane i fitojne serbet?
    Ky shtyllar, pse hesht kur Leka Zogu II falenderon ruset dhe serbet qe bene mbret me force Ahmet Zogun?
    Ky shtyllar, pse hesht kur behen perpjekje per t’i falur det Greqise?
    Zotëri shtyllar, kur Shkelqesia e tij Kristofer Dell nuk dashka Surroin, birin e nje ambasadori te Jugosllavise, mos valle duhet kryqezuar per shkelje normash demokratike?
    Z. shtyllar, mesoni me shume per zanatin. Ndryshe, kam te drejte te dyshoj se ju jeni nje nga te 700 agjentet serbe te Milllosheviqit ne Kosove ne media.
    Nejse, mos qofte keshtu!

  8. Gushekuqi says:

    Eshte hera e dyte qe kenaqem me shkrimet e gazetes tuaj.Rasti i pare ishte ai i publikimit te skandalit te linjes se interkonjuksionit Shqiperi-Kosove.Bavo.Ju lumte pe paanshmerine dhe pavarsine ne analiza dhe gjykime te tilla.Sikur Vetoni te zgjidhej president dhe Albini kryeministes,Kosova do te kishte nje ardhmeri krejt tjeter.Por,do te permbysej bota sepse duhet te kalonim me pare,permes nje lufte civile.E njeja gje si edhe ne Shqiperi sepse deri ne kete shkalle e kane degraduar gjendjen,tribalet dhe shpellaret tane.Respekte dhe mirenjohje stafit dhe gazetareve te “Zerit” ne Prishtine.

  9. Gushekuqi says:

    Mos Idriz,pash fjalen e nderit! Per here te pare qe po shkruan gjera qe nuk i mendon as vete.Terhiqi sa nuk eshte vone,se po na ben te ndryshojme mendim per ty atehere.Faleminderit per mirekuptimin.

  10. malsori says:

    Nuuk mund te rri pa i shkruar edhe une dy fjale per kete artikull.Z.Dell ka qene vertet nje njeri i fuqishem ne politiken kosovare,por do te thosha seka bere shum per popullin dhe politiken e KOSOVES.Nuk di se perse i ka mbetur hatri artikullshkruesit,por nje gje e di mire,qe Ambasadori Amerikan ne Kosove ka qene nje mbrojtje i hekurt ishqiptareve. interesave te shqiptareve ,dhe jo ne pak raste eshte sulmuar nga media serbe per njeanshmeri dhe qendrime anti serbe.Por ne shqiptaret ndoshta kerkojme qe autobuzi te eci perse gjeri qe te kemi te gjith vendin e poare.I uroj Z.DELL suksese dhe e falnderoi per qendrimin e mabjtur ne mbrojtje te Kosoves.

  11. Esen says:

    Gjithe ndjenjat e miqesise promaerikane te shqiptarve ne Ballkan rrezikojne te kthen ne te kunderten nga ambasadoret amerikane, qe i japin vetes te drejten te sillen si monark, qe si japin askujt llogari per ate qe bejne e sajojne ne keto vende te pazhvilluara. Fajin natyrisht nuk eshte i tyre, por i perfaqesuesve te korruptuar. servile e te padeshiruar te pushteteve politike. Duke qene se jane te padeshiruar nga populli i vet gjithnje e kerkojne legjitimitetin tek perkrahja e ambasadoreve amerikane, duke e shkembyer me favore dhe pushtet per ta. Ambasadoret amerikane ne Shqiperi apo Kosove kane qene diplomat te rangut te dyte e te trete dhe natyrisht e kane pare kete si rast ideal per psuri e pushtet. Faji kryesor i takon votuesit shqiptar qe voton per njerz pa dinjitet dhe qe jane te gatshem te bejne cdo gje edhe kunder popullit te tyre per te ndenjur ne pushtet, per te vjedhur dhe rrembyer pasurine e popullit te tyre, nen bekimin e Dell-it me shoke.

  12. Shqiptari says:

    Eshte e vertete qe ne shqiptaret miqte i duam shume. Dhe mos me teper shtepia e shiptarit, tradicionalicht, eshte e mikut dhe e Zotit.Por, nuk ka ndodhur ndonjehere ne historine tone e as ne shtepine e fshatarit tone me injorant qe mikun ta bejme Zot shtepie.
    O Tempora o Mores…deri kur keshtu, a do behemi ndonjehere njerez me dinjitet?…

  13. Besimi says:

    Edhe ky ambasador nuk le vend pa i futur hundet per ti ngatrruar gjerat me qellim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje