Nga Sami Kraja
E lexova me vëmendje shkrimin tuaj, z.Koloreto Cukali “Dyzet vrasësit”. Ai më preku në “telat e zemrës sime”, ndaj edhe vendosa të bisedoj me Ju.
Sot plaga më e rëndë, më e thellë, më e rrezikshme siç e lini të kuptoni ju është drejtësia, gjyqësori ose siç e përcaktoni saktë “moçali i drejtësisë”. Sigurisht mbase e teproni pak kur thoni se: “Në fakt, ata janë vrasës”. Sidoqoftë ju po pohoni një të vërtetë të hidhur. “Të vrasin pa vrarë. Të vrasin me të vërtetë. Të vrasin për 40 aspra, ose për 40 milion. Janë anonimë ose kanë emër, me kollare ose me tuta sporti. E mbi të gjitha, po lenë pas pasardhës që nuk dinë gjë tjetër, veç vrasjes.” E saktë.
Por asnjë prej tyre nuk është anonim. Kjo është një grigjë që ka një bari mbi krye. Ky bari është Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë. Por ato nuk kanë punë tjetër veç të hahen, grinden e shahen në mes veti e të mos shikojnë fare në atë moçalin mjeran që thoni ju.
Kjo është një e keqe e madhe, shumë e madhe. “Ku gjen shesh, bën përshesh.”
Edhe për diçka tjetër nuk jam dakord me ju, kur thoni: “Për sa kohë që janë anonimë, për sa kohë askush s’del t’i përmendë me emra e me vepra dhe jo një herë, por njëqind herë, vazhdimisht, sa emrat e tyre të bëhen sinonimet e së ligës, ato do të jenë të qetë.”
E vërteta kështu është. Por kush do ta thyejë këtë tabu? Unë, ti, një tjetër, kushdo që ndodhet apo sheh padrejtësinë. Nuk duhet pritur kush flet i pari.
Unë që po bisedoj me ju jam i përfshirë në shumë beteja me drejtësinë, të cilat më kanë thumbuar si bletët, por edhe kafshuar si ujq. Kam kaluar e po kaloj shumë peripeci pikërisht për ato shkaqe që aq bukur e saktë i keni rreshtuar ju. Më e fundit është një proces gjyqësor për çështje pronësie, me gjykatës Bezart Kaçkini, në Gjykatën e Shkodrës.
20 seanca kur mund të mbyllej çështja që në fillim me një marrëveshje mirëkuptimi, siç e përcakton edhe ligji. Por duan t’ia dinë ato që ju i cilësoni si vrasës? Edukata, mirëkuptimi, humanizmi nuk i intereson fare. Atyre u interesojnë makinat luksoze, siç thoni ju, u interesojnë përfitimet personale dhe të klientëve të tyre. Prandaj jo mirëkuptimi, sepse ndjehen mbi ligjin.
Sot ka ardhur koha që të flitet më konkretisht, të vihet gishti aty ku dhëmb dhëmbi. Unë, siç ju thashë më sipër, do të ndjek shkallët e gjyqësorit sipas ligjit dhe kam besim se e drejta do të fitojë.
Por biseda shoqërore që po bëjmë më detyron të shkel në terrenin konkret.
“Ato ndjehen të pandëshkueshëm në korrupsionin e tyre”, thoni ju. Po se ka trimëri e guxim më të madh se të formulosh një vendim gjyqësor me gjëra të paqena e të shpikura sipas interesave të caktuara me arsyetimin e gabuar e pa dinjitet moral e profesional “nëqoftëse nuk je dakord me Vendimin tim drejtoju Apelit”.
Apelit që i shtyn gjyqet në kalendat greke dhe hallet tërhiqen zvarrë.
Ju i thoni gjërat në përgjithësi, kurse unë i kam konkrete. Na thuhet se kaq euro i keni marrë në prani të noteres, në një kohë që kjo nuk është e vërtetë.
Gjykatësi ngarkon për verifikim një grup ekspertësh, raportin e të cilëve e pranojnë edhe paditësit, edhe të paditurit, kurse gjyqtari me të drejtën e tij të pakufizuar as e merr parasysh.
Madje nuk lejon as t’u përgjigjen pyetjeve që bëhen në seancën gjyqësore. Por skandali më i madh, përdhunimi më flagrant që u bëhet pronave tona është kur konfirmon aktin e regjistrimit në hipotekë para daljes së aktit të shfrytëzimit të objektit.
Së fundi me të drejtën e tij të pakufizuar, me prepotencë e arrogancë të paparë shfuqizon akte ligjore që firmosin institucionet shtetërore të ngarkuara nga ligji. Ju flitni për 40 aspra apo 40 milion, por rasti im bën fjalë për vjedhje, përvetësim apo tjetërsim pasurie me përfitime edhe më të mëdha.
Sigurisht ju mund të mos më besoni ose të çuditeni. Por kjo është e vërtetë e firmosur në një vendim gjyqësor. Këto që ju thashë, nuk i kam mbajtur për vete. Unë nuk e kam quajtur gjykatësin “vrasës” si ju, sepse besoj se nuk është i tillë, por ia kam thënë në zyrë, ballë për ballë e ditën për diell: “Ju po ligjëroni vjedhjen, po maskoni mafien” (mafien e ndërtimit siç e quan kryeministri Sali Berisha.)
Se ky gjykatësi im, apo më mirë pseudogjykatësi, i zbritur nga zgafellat e maleve sillet si triumfator nëpër rrugët e qytetit tim, ku ka ardhur për t’u pasuruar jo për 6 muaj, siç thotë vetë. Ai nuk e ka për gjë që të të thërrasë me fletë thirrje të vulosur në gjykatë për një kallëzim të rremë, por nuk e ka për asgjë as të të lërë pas dere për dy orë e pastaj mos të të fusë fare në seancë për të të pyetur. Se ai zotëron apo zbaton të drejtën e pakufizuar për të bërë ç’të dojë me ligjin. Në fakt këtë të drejtë ai ja jep vetes. E për ta mbyllur, siç e mbyllni ju, pikërisht këtij ….i çojnë studentë për t’i mësuar apo praktikuar, ashtu siç thoni ju me të drejtë për atë fëmijën.
Po ku e marrin forcën këto njerëz, që e heqin veten përfaqësues të drejtësisë? Sado të flasim unë dhe ju, ata në njëfarë mënyre e gjejnë mbështetjen tek ligji. Po, po, tek ligji i imunitetit. Nuk e di se çfarë moshe keni, por ne gazetarët e vjetër e kemi pasur të ndaluar rreptësisht të shkruanim për gjyqësorin. Absolutisht. Asgjë nuk ka ndryshuar. Se gjyqtarët kanë mburojë imunitetin. Ndaj edhe unë po pres që të hiqet apo të kufizohet imuniteti i gjyqtarit, që të bëj një kallëzim për “shpërdorim detyre.” Mua nuk më çudit aspak një njoftim në gazeta se shoqatat e gjyqtarëve kundërshtojnë heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. Janë ata që, siç thoni ju, “kanë varrosur me ceremoni shoqërinë civile” dhe duan të livadhisin në batakun e tyre.
Nuk duan të heqin imunitetin, por nuk duan as dixhitalizimin sepse si miku im Kaçkini, duan që tjetër të flitet në kërkesë-padi, tjetër të thuhet në seancë gjyqësore e tjetër të shkruhet.
Nje nga goditjet me te renda qe ka marre sistemi yne i drejtesise eshte ceshtja e videos Meta!!!
http://imazheshqip.blogspot.com/
Ah sa jane shtuar keta Kackin-et e Kackin-et.Une besoj se do vije dita qe te ndeshkohen,ndryshe njerezit do vazhdojne me vete-gjygjesi.Jane nje rrace e pameshirshme,e paturpshme dhe plot me ndjenja inferioriteti,qe sigurisht i manifestojne me te kunderten.Por duhet te bejme rezistence.Imuniteti t’ju hiqet, por me kushtet qe kerkon kjo qeveri….nuk eshte se po e ben per ne,te denoje gjyqtaret qe na masakrojne ne,por per te pasur gjithfuqine,per te ndare pronat e te tjereve midis nje takemi,per te denuar ke te duan e mbrojtur ate qe j’u kref bishtin.