Bombë në një lokal serb, rrihet një shqiptar në Mitrovicë

14 Gusht 2012, 12:39Rajoni TEMA

Një granat dore është hedhur dhe ka shpërthyer brenda kafiterisë “Tiha Noq’, në pjesën veriore të Mitrovicës. Ngjarja ka ndodhur para mesnatës, njofton korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Mitrovica.  Për fat të mirë askush  nuk është lënduar,  por dëmet materiale janë të mëdha. Pas shpërthimit në këtë pjesa të qytetit janë parë edhe persona me armë automatike në dorë, duke patrulluar në këtë rrugë, kanë thënë burimet e gazetës. Rastin e shpërthimit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës në Mitrovicë. Por, policia aktualisht nuk ka të dyshuar dhe nuk i din motivet e këtij shpërthimi.

Por, korrespondenti i “Kohës” citon burime në veri  se grupet kriminale serb janë ato që kanë hedhur granatën e dorës me qëllim të paralajmërimit të pronarit të kësaj kafiterie, i cili merr tendera nga pjesa jugore e Mitrovicës dhe Qeveria e Kosovës për t’i realizuar ato në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës. Sipas këtyre burimeve pronari i kafiterisë, Radojko Vllashkoviq, është njëri i qetë dhe nuk është i involvuar në grupe kriminale të veriut të Mitrovicës dhe të Kosovës. Edhe banorët shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve kane theksuar se Vllashkoviq është njeri i urtë dhe nuk është i përzier në aksionet kundër shqiptarëve. Kafiteria ‘Tiha Noq’ gjendet në veri të Lagjes së Boshnjakëve mu pranë ndërtesave shumëkatëshe, në atë pjesë ku pothuajse nuk ka asnjë banorë shqiptar.

Dje, në orët e mbrëmjes, po ashtu në pjesën veriore të Mitrovicës, një grup serbësh kanë sulmuar një shqiptar në afërsi të tri ndërtesave, të cilat gjinden në rrugën e Suhodollit. Vikatima ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në spital në pjesën jugore të qytetit, ku i është dhënë ndihma mjekësore. Rastin e rrahjes të shqiptarit e ka konfirmuar edhe policia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje