Skuadra e Sionit në Zvicër mund të jetë etapa e ardhshme e karrierës së Alesandro Del Pieros. Futbollisti legjendar i Juventusit po bëhet gati të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me ekipin zviceran që i ka vënë atij përpara një projekt ambicioz, të shoqëruar me “garancinë” e Xhenaro Gatuzo që është pjesë e kësaj skuadre.
Marrëveshja mes palëve është përmendur edhe më parë, por klubi zviceran ka përgënjeshtruar gjithmonë një hipotezë të tillë. Megjithatë, ditët e fundit situata ka ndryshuar dhe ka marrë përmasa shumë serioze, duke kaluar fazën e thashethemeve.
Drejtuesit e Sion kanë qenë në Torino ku janë takuar me vëllain e Del Pieros, njëkohësisht edhe menaxheri i futbollistit italian.
Atij i është vënë para kontrata dyvjeçare dhe plani për të bërë këtë klub kampion në Zvicër në këtë sezon dhe një emër të njohur në Ligën e Kampioneve një vit më vonë.
Projekti i filluar me Gatuzon, mendohet të përfshijë përveç Del Pieros edhe emra të tjerë të njohur, për të garantuar eksperiencën që duhet në turnetë ndërkombëtarë.
Del Piero mendohet të jetë shumë pranë firmës me skuadrën zvicerane, e cila i jep mundësinë e fundit për të mbyllur karrierën në Evropë me një projekt serioz, pasi të gjithë ofertat që i kanë mbërritur deri tani nga Lindja e Mesme dhe Azia janë kryesisht për çështje marketingu dhe jo projekte të mirëfillta sportive.