Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, ka treguar hapur se është i zhgënjyer, ashtu si tifozët e kësaj skuadre, për humbjen përballë Sampdorias në javën e parë të kampionatit. Menjëherë pas ndeshjes, ai ka shfrytëzuar rastin t’u bëjë një thirrje publike drejtuesve të skuadrës që të ndërhyjnë sa më shpejt në merkato për të sjellë një sulmues që i nevojitet shumë ekipit.
“Për momentin kemi vetëm 3 sulmues dhe mes tyre është një djalosh që quhet El Sharaui, i cili nuk ka mbushur ende 20 vjeç dhe ka nevojë të rritet pa patur shumë trysni. Është normale që nga ana numerike, ne të na nevojitet një tjetër sulmues”, tha ai, duke folur më pas për mundësinë e mbërritjes së Kaka.
“Kaka është një kampion, ashtu si Diarra. Braziliani kohët e fundit ka luajtur pak, por nuk është e nevojshme të jesh gjeni për të kuptuar se është një kampion i madh”, tha ai duke i hapur rrugë një kthimi të mundshëm të lojtarit në radhët e kuqezinjve.
Në fund, duke komentuar aktivizimin e Montolivos para mbrojtjes dhe një paraqitje jo të shkëlqyer të mesfushorit, Alegri nuk i ka rezistuar tundimit për të bërë një batutë kundër kritikëve.
“Montolivo luajti para mbrojtjes dhe do të duhet pak kohë të përshtatet me këtë pozicion. A është kjo prova që gabuam me Pirlon? Dëgjoj gjithmonë të njëjtat biseda por nuk e kuptoj pse kur ne fituam titullin askush nuk u kujtua të pyeste pse nuk luan Pirlo”. /lajmeshqip