Oliver Kahn ka sulmuar ashpër mënyrën se si Matias Samer po vepron te Bajern Mynh, duke pretenduar se përfshirjet e zyrtarit në të gjitha aktivitetet ditore të klubit janë bërë problematike.
Ish-portieri i bavarezëve dhe kombëtares gjermane të futbollit, mendon se Samer, i emëruar drejtor teknik pak javë më parë, duhet të bëjë hapa prapa në mënyrë që të mos krijojë përplasje me trajnerin Jup Heinkes.
“Prania e Samer në seanca stërvitore bashkë me komentet e tij shumë publike mbi planin e ndeshjes së Bajern Mynih, bën të mendosh sikur ai është një trajner i dytë”, tha Kahn për “Bild”.
“Ngatërrimi me detyrat e trajnerit paraqet rrezikun e fillimit të konflikteve potenciale në nivel organizativ që do të çojë shumë shpejt në dështime në fushën e lojës. Puna e një klubi funksionon me sukses kur ndarja e detyrave është e caktuar me saktësi dhe respektohet nga të gjitha palët”, u shpreh ish-portieri i bavarezëve.
Pavarësisht këtij konflikti mes detyrave të Bajern, bavarezët i kanë bërë një fillim mjaft të mirë sezonit, duke mundur rivalët e Borusia Dortmund në Superkupën e Gjermanisë dhe duke fituar lehtësisht 3-0 në ndeshjen e hapjes së kampionatit gjerman përballë Grojter Fyrth.