Rikardo Kaka nuk do të kthehet te Milani, ose të paktën jo me kushtet aktuale, sipas asaj që ka deklaruar vetë administratori i klubit italian, Adriano Galiani. Ky i fundit ka sqaruar se çështja në fjalë është ekonomikisht e papërshtatshme për kuqezinjtë dhe mbart një rrezik të madh financiar mbi vete.
“Problemet e taksave? Janë të gjitha të vërteta. Realizimi i transferimit është i pamundur. Ne kërkuam edhe opinionin e një financieri të njohur spanjoll dhe ai na konfirmoi se përbën rrezikshmëri të lartë”, shpjegoi Galiani, duke ia atribuuar mungesën e transferimit të lojtarit faktit se klubi do të paguante shumë para qoftë edhe me huazimin e tij.
Por në fakt, mediat italiane sugjerojnë se dyshimet më të mëdha në klubin e Milanit kanë lindur rreth gjendjes fizike dhe sportive të lojtarit, pasi nuk duan që të huazojnë apo blejnë një futbollist që paguhet 10 milionë euro në sezon dhe që kalon gjysmën e vitit në infermieri apo duke u përpjekur të kthehet në formën e duhur sportive.
Tani sytë e Milan janë drejtuar nga lojtarë më të rinj në repartin sulmues, ku aktualisht u mungojnë dukshëm alternativat cilësore. Galiani ka pranuar se trajneri Alegri ka identifikuar një futbollist që do të përshtatej shpejt me skemat e tij.
“Bojan është një lojtar që i pëlqen shumë Alegrit”, ishte komenti i Galianit për mediat italiane, duke bërë të qartë se do të tentohej të sigurohej firma me sulmuesin spanjoll të Romës, i cili ka humbur vendin e tij te titullarët në radhët e skuadrës kryeqytetase. /lajmeshqip