Tatim progresiv? Jo dhe aq…

10 Shtator 2012, 21:41Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

“Edi Rama don të na kthejë taksën e Marksit,” tha Berisha teksa po përuronte për të N-tën herë një rrugë diku në një zonë rurale të qarkut të Shkodrës. Me “taksën e Marksit” Berisha kishte parasysh propozimin e PS-së për zëvendësimin e tatimit të sheshtë mbi të ardhurat/fitimet me tatim progresiv. Ky propozim u bë temë e ditës para disa muajsh në debatin politik shqiptar dhe gjasat janë që ai të bëhet një nga kuajt kryesorë të betejës elektorale të PS-së në muajt në vijim.

Në fakt, për marketimin e këtij propozimi të tyre, socialistët kanë zgjedhur dy fraza goxha rezonuese: “ Kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë!” dhe “95% e shqiptarëve do të përfitojnë nga tatimi progresiv”. Ndërsa Berisha & co., fushatës socialiste për tatimin progresiv, duket se do të vazhdojnë t’i kundërpërgjigjen kryesisht me stigmatizime sempliste të tipit “taksë marksiste” dhe “rikthim në identitetin komunist”, pavarësisht se tatimi progresiv ka shumë dekada që përdoret në shumicën dërrmuese të vendeve kapitaliste.

Përtej sloganeve telegrafikë të marketingut politik, mendja ta do se, në zjarrin e debatit rreth progresivitetit të tatimit, nuk do të argumentohet me qetësi në rrafshin filozofik nëse është më e drejtë që anëtarët e shoqërisë ta paguajnë tatimin përpjestimisht me të ardhurat/fitimet (tatimi i sheshtë), apo më e drejtë është që përqindja e tatimit të rritet në mënyrë progresive në raport me të ardhurat/fitimet. Gjithashtu, në rrafshin ekonomik dhe fiskal, gjasat janë të mëdha që debati të bëhet i përciptë, me mazhorancën që do t’i veshë tatimit të sheshtë qyrkun e meritës së “shifrave pozitive” të prodhuara nga INSTAT-i e Ministria e Financave, dhe me opozitën që do të ripërmendë deri në lodhje shembuj infermieresh apo arsimtaresh që paguajnë sot më shumë tatim se “Doktori”.

Por sidoqoftë, kur të gjitha debatet elektorale të mbarojnë, do të zhvillohen zgjedhjet dhe pastaj, ose PD-ja do të mbetet në pushtet dhe tatimi nuk do të ndryshojë, ose PS-ja do të vijë në pushtet dhe do t’i duhet të paraqesë në Kuvend një projekt-ligj për ndryshimin e tatimit nga i sheshtë në progresiv. Dhe në këtë rastin e dytë, nga retorika e fushatës duhet kaluar në realitetin e vështirë të modifikimit të sistemit fiskal, pa shkaktuar trauma financiare për arkën e shtetit.

Një nga problemet e mëdha të tatimit progresiv në rrafshin praktik është se krijon ndërlikime në zbatim, si dhe krijon mundësinë dhe ngasjen për evazion fiskal. Që progresiviteti i tatimit mbi të ardhurat dhe fitimet të mos shoqërohet me shtim të evazionit fiskal, është mirë që shkallzimi progresiv të mos bëhet aq i përpjetë sa në vendet perëndimore – në SHBA, për shembull, përqindja e taksës ngjitet gradualisht nga 0% deri në 34%, ndërsa në vendet nordike ngjitet deri në 60%. Gjithashtu, është mirë që shkallëzimi progresiv të zbatohet në fund të vitit, dhe jo në mënyrë periodike gjatë vitit. Kjo, në mënyrë që personat që kanë më shumë se një burim të ardhurash të tatohen progresivisht për totalin e të ardhurave, dhe jo veçmas për secilin burim. (Përqindja që zbatohet mbi totalin e të ardhurave i bie të jetë më e madhe se sa po të zbatohet për çdo burim veçmas, sepse të ardhurat më të mëdha tatohen më shumë në tatimin progresiv)

Le t’i konkretizojmë me disa shifra hipotetike dy sugjerimet e mësipërme.

Një shkallëzim i arsyeshëm për taksat mbi të ardhurat dhe fitimet në Shqipëri mund të jetë 1-15 përqind, me një shkallë të ndërmjetme në 10%. Le të supozojmë se dikush është i punësuar dhe merr një pagë mujore bruto 80 mijë lekë (të reja), ndërkohë që ka dhënë me qera një ambjent zyre, prej së cilës merr edhe 80 mijë lekë të tjera në muaj. Të ardhurat nga secili burim mund të tatohen si paradhënie me 15% çdo muaj dhe në fund të vitit, këtij personi mund t’i kthehet diferenca nga zbutja progresive. Konkretisht, ky person ka patur të ardhura bruto vjetore 1920 mijë lekë dhe i ka paguar paradhënie shtetit 288 mijë lekë gjatë vitit (1920×15%). Me një shkallëzim sipas skemës “1% për porcionin e parë prej 240 mijë lekësh; 10% për porcionin e dytë prej 480 mijë lekësh; 15% për pjesën tjetër”, i bie që t’i detyrohet shtetit vetëm 230.4 mijë lekë. Pra, duhet të rimbursohet për 57.6 mijë lekë nëpërmjet të njëjtit kanal nga iu mbajt paradhënia në bordero. Dhe ky rimbursim do të ishte për këtë person si një rrogë e 13-të në fund të vitit.

Po një person që ka vetëm një rrogë mujore prej 20 mijë lekësh në muaj, sa do të rimbursohet sipas kësaj skeme? Meqënëse të ardhurat vjetore bruto të tij do të jenë 240 mijë lekë, atij do t’i kthehet pothuaj e gjithë taksa që i është mbajtur paradhënie gjatë vitit, sepse deri në 240 mijë lekë, të ardhurat vjetore personale tatohen me vetëm 1%.

Duke kaluar te tatimi mbi fitimet e bizneseve, shkallëzimi dhe mbledhja e tij mund të bëhet në mënyrë të ngjashme me tatimin mbi të ardhurat personale, por gjithnjë duke mbajtur parasysh se sa më i përpjetë të jetë shkallëzimi, aq më e lartë do të jetë ngasja për evazion fiskal.

Dhe cila është Thembra e Akilit të kësaj skeme? Administrata tatimore duhet të jetë korrekte në rimbursimin e tatimit në fund të vitit. Përndryshe, kjo skemë do të ishte thjesht e barabartë me një ngritje të përqindjes së tatimit të sheshtë nga 10% në 15%…

*respublica.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje