Ushtria mbron Federatën e Kamerunit nga tifozët

11 Shtator 2012, 11:19Sport TEMA

Roje të armatosura sigurie kanë rrethuar Federatën e Futbollit të Kamerunit në Jaounde pasi tifozët e zhgenjyer kërcënuan t’i bastisnin zyrat e saj pas humbjes turpëruese të ekipit kombëtar.

Katër herë fituesit e Kupës së Kombeve të Afrikës, rrezikojnë të mos marrin pjesë në edicionin e vitit të ardhshëm që zhvillohet në Afrikën e Jugut, pasi u mundën 2-0 nga skuadra modeste e ishujve të Kepit të Gjelbër në ndeshjen e parë të eliminimit direkt mes palëve.

Tifozët e zemëruar demonstruan jashtë zyrave të federatës pas humbjes, duke bërë që ajo të rrethohej nga policia dhe pastaj edhe ushtria, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme për dhunë dhe shkatërrim të këtyre zyrave.

“Çdo turist në këtë vend mund të mendonte se ishim në luftë dhe po përballeshim me ndonjë pushtim, aq e tensionuar u bë situata”, treguan qytetarë që jetojnë pranë zonës së Federatës.

Kjo është goditja e rëndë e radhës e kombëtares që për vite me radhë ka dominuar futbollin afrikan dhe që ka arritur të fitojë edhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Sidnei 2000. Por që në edicionin e kaluar të Kupës së Kombeve, ku Kameruni nuk u kualifikua, gjërat kanë marrë një kthesë shumë negative. Fillimisht lojtarët bojkotuan një ndeshje të ekipit kombëtar, ndërsa më pas, kapiteni Samuel Eto’o deklaroi largimin e tij nga kombëtarja të cilën e quajti “amatore dhe të keqorganizuar”. /lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje