100 metrat e fundit të Kroacisë

31 Tetor 2012, 21:30Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Pak para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kroacia po ballafaqohet me kritikë të ashpër nga Brukseli – dhe sidomos nga Berlini. Qortimet nga Evropa janë vetëm një paralajmërim se çfarë i pret vendet e tjera të Ballkanit në të ardhmen nëse nuk heqin apo nuk emancipojnë elitat aktuale politike të zhytura në krim e korrupsion

Ndoshta parku “Maksimir” i Zagrebit është më i bukuri në Evropë. Së paku nuk ka kryeqytet në kontinentin e vjetër me një park të tillë. Veçanërisht gjatë vjeshtës “Maksimiri” shndërrohet në një hapësirë të artë prej gjetheve të rëna në tokë dhe të tjerave që mendueshëm rrinë në degë. Pak më tutje pishat si përherë u qëndrojnë stoike stinëve – ato ruajnë ngjyrën e blertë në të errët. Kjo pamje madhështore shoqërohet me liqene, me kopshtin zoologjik dhe me shëtitore e shtigje vrapimi. I pafundmë është “Maksimiri”: mbi 300 hektarë! Dhe vetëm 15 minuta me tramvaj nga sheshi qendror i qytetit, dikur i quajtur Sheshi i Republikës, sot sheshi i heroit kombëtar “Ban Josip Jelaçiq”. Në krahasim me Prishtinën, e cila sidomos pas luftës së fundit në mënyrë simbolike mori një fytyrë tjetër me emra të rinj rrugësh, me përmendore të reja monotone, me ndërtime bajate, qendra e Zagrebit, me gjithë luftën në Kroaci në fillim të viteve ’90, pothuaj nuk ka ndryshuar fare. Edhe rrugët më të rëndësishme i kanë ruajtur emrat: rruga e Varshavës, e Pragës, parku Zrinjevac (në anën veriore gjendet Gjykata Supreme e Republikës së Kroacisë, në anën perëndimore Muzeu Arkeologjik, në anën jugore Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kroacisë, në anën lindore Ministria e Jashtme dhe e Integrimeve Evropiane të Kroacisë), pak hapa më tutje, përballë Stacionit të trenit, është statuja e Mbretit Tomislav, i cili sundoi mes viteve 910 dhe 928.

Pushteti i ri i Republikës së Kroacisë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në qershor 1991, u kujdes që disa rrugë të marrin emrat e personaliteteve të rëndësishme të historisë së Kroacisë, por kjo – sërish për dallim nga Prishtina – u bë në mënyrë diskrete, me marifet, siç thuhet, që çlirimi dhe liria të mos i ngjajnë okupimit kulturor dhe ndryshimit të historisë në emër të ndërtimit të arealit të ri të (anti)vlerave. Rrjedhimisht, në Zagreb, m’u para Teatrit Popullor Kroat (HNK), gjendet madje sheshi  “Josip Broz Tito”. Ka pasur disa përpjekje nga ana e nacionalistëve për t’ia hequr emrin këtij sheshi; shpesh janë zhvilluar edhe demonstrata e kundërdemonstrata, por në fund fitimtarë kanë dalë mbrojtësit e Titos. Raporti i kroatëve me Titon është kundërthënës: një pjesë e akuzojnë se e kishte futur Kroacinë nën zgjedhën jugosllave, të tjerët, madje shumica, në anketa e zgjedhin si personalitetin më të madh kroat të shekullit 20. Thuhet se pa lëvizjen partizane të Titos sot krahina e Istrës do t’i takonte Italisë. Sërish: një pjesë e kroatëve e vizitojnë Zagorjen, vendlindjen e Titos, vetëm për shkak se atje gjendet Veliko Tërgovishçe, katundi ku u lind Franjo Tugjmani, gjenerali i Titos dhe presidenti i parë i Kroacisë së pavarur. Por shumë më i madh është numri i kroatëve që vizitojnë fshatin Kumrovc, ku gjendet shtëpia e lindjes e Josip Broz Titos. Nostalgjia e shumë kroatëve për Titon shpesh është rezultat i dëshpërimit me politikën aktuale. Në mënyrë pothuaj jokritike lartësohet periudha e socializmit si shenjë e hakmarrjes kundër plaçkitjes së madhe, nëpër të cilën ka kaluar Kroacia që nga pavarësia.

Tani, në vjeshtë të vitit 2012, kanë mbetur edhe 8 muaj deri në hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Evropian. Në krahasim me periudhën autokratike të Franjo Tugjmanit, vendi ka ndryshuar dukshëm. Në vitin 2005 Kroacia filloi negociatat me BE-në, të cilat u përmbyllën para një viti. Për dallim nga Rumania e Bullgaria, të cilat BE-ja i pranoi në gjirin e saj pa i plotësuar kushtet, kroatët kanë kaluar nëpër një proces të ashpër vlerësimi. Vendi është reformuar në shumë fusha, është bërë më tolerant, më i hapur, me një fjalë: lavdërimet që kanë ardhur nga Brukseli vitin e kaluar, kur përfunduan negociatat për anëtarësim, nuk kanë qenë të pabaza. Megjithatë, ka ende punë për të bërë. Në fillim të tetorit BE-ja publikoi Raportin e Progresit dhe befas ia dorëzoi Kroacisë një listë me 10 detyra, të cilat ky vend duhet t’i kryejë deri më 1 korrik 2013. Pika më e dobët është funksionimi i drejtësisë, e cila nuk ka arritur t’i trajtojë lëndët shumëvjeçare dhe tashmë të pluhurosura në bodrumet e errëta të administratës kroate. Brukseli ka kërkuar po ashtu të zbatohen dispozitat e BE-së për mbrojtjen e ambientit, të kufijve, të sigurohet qasja në dokumentet zyrtare, të privatizohen sa më shpejt ndërmarrjet e anijendërtimit. Një problem tjetër i pazgjidhur mbetet çështja e kursimtarëve kroatë, të cilët i kanë humbur paratë në Bankën e Lubjanës me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Sllovenët e kanë falimentuar këtë bankë dhe kanë themeluar Bankën e Re të Lubjanës, e cila është e pranishme pothuajse në të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë – me përjashtim të Kroacisë, e cila nuk ka lejuar hyrjen në treg të këtij instituti financiar pa zgjidhjen e konfliktit mbi paratë e humbura të kursimtarëve kroatë.

Kritika nga BE-ja i ka befasuar kroatët. Shumë njerëz janë të bindur se mjaft është folur për Evropën; po ashtu mjaft reforma janë zbatuar. Tani të gjithë duan të shohin rezultate. Sidomos sa i përket përmirësimit të standardit jetësor. Por më së shumti opinioni kroat është zemëruar me kritikat nga Gjermania. Kryetari i Parlamentit gjerman ka deklaruar se “Kroacia nuk është e pjekur për anëtarësim” dhe ka paralajmëruar se BE-ja nuk ka më kapacitet për zgjerim. Edhe disa deputetë të partisë kristiandemokrate të kancelares Angela Merkel kanë qortuar Kroacinë. Me kritika të tilla nga Gjermania kroatët nuk janë mësuar. Që nga fillimi i viteve ’90 qeveritë gjermane janë gjendur përherë në krah të kroatëve. Kancelari Helmut Kohl dhe ministri i tij i Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher, kanë qenë të parët politikanë të lartë brenda BE-së që kishin këmbëngulur të pranohej pavarësia e Kroacisë. Gjermania ishte vendi i parë i BE-së, i cili në fund të dhjetorit 1991 pranoi pavarësinë e Kroacisë. Pak ditë më vonë këtë hap e ndërmorën edhe shtetet e tjera të BE-së. Tani, në vjeshtën e vitit 2012, kroatët shohin vetëm gishtin tregues-qortues të gjermanëve dhe duhet të durojnë kritika të ashpra. “Me të drejtë”, thotë profesori i filozofisë, Zharko Puhovski, derisa përzien cappuccinon në hotelin “Esplanade”, aty ku punëtorët me krenari bartin uniformën dhe tregojnë se kush ka fjetur në suitën më të bukur (irlandezi Bono Vox i U2, aktorja franceze Catherine Deneuve, aktori gjermano-austriak Curd Jürgens, dirigjenti amerikan Lorin Maazel). Puhovski nuk beson se Kroacia do të arrijë të plotësojë kushtet e BE-së deri në fillim të korrikut 2013. Megjithatë, bllokimi i anëtarësimit të Kroacisë duket jorealist. Javën e kaluar kancelaria Angela Merkel iu dha zemër kroatëve, duke deklaruar se pranimi i Kroacisë në BE do të arrihet sipas planit. Vetë Bashkimit Evropian i duhet një sukses në kohën e krizës. Puhovski, një veteran i shoqërisë civile në Kroaci, thekson se ende ka politikanë që u telefonojnë gjykatësve dhe prej tyre kërkojnë të zvarrisin një lëndë apo të shmangin një dënim. “Por a nuk është kështu edhe në Rumani e Bullgari? Ç’të thuhet për Italinë?”, pyet Puhovski dhe sqaron: “BE-ja vetë i ka shkelur disa parime, andaj pse duhet ta paguajë çmimin Kroacia për të gjitha gabimet që janë bërë në të kaluarën”.

Në vjeshtën e vitit 2012, Kroacia është vend që vrapon 100 metrat e fundit për anëtarësim në BE. Njëkohësisht është vend i skandaleve. Ish-kryeministri Ivo Sanader, ndonëse i ballafaquar me disa aktakuza për korrupsion dhe keqpërdorime, del në televizor dhe akuzon kryeprokurorin e vendit për manipulim dëshmish; gazetat janë plot e përplot me lajme mbi një aferë përgjimi; policia njofton për arrestime në Fakultetin e Mjekësisë për shkak të dyshimeve për shitje të testeve; aktualisht po zhvillohet procesi gjyqësor kundër një biznesmeni që para disa vjetësh kishte dashur të korruptonte anëtarët e Gjykatës së Lartë me qëllim që këta të heqin dënimin me burg kundër Branimir Gllavashit, i dënuar për krime lufte ndaj serbëve në Osijek. Fakti se të gjitha këto bëhen publike, domethënë se sistemi në pjesën më të madhe funksionin – për dallim prej shumë vendeve të tjera të rajonit, të cilat mbesin të paralizuara nga krimi i organizuar, nepotizmi gjithëpërfshirës dhe politika e ruajtjes së pushtetit sot për nesër. Kroacia, këtë e thotë një diplomat perëndimor në Zagreb, i cili e ka shoqëruar vendin në rrugëtimin drejt BE-së, tani ndodhet në atë fazën që e kishte përshkruar poeti Bertolt Brecht në një kontekst tjetër: “Vështirësitë e kodrave janë pas nesh, tani vijnë vështirësitë e rrafshit”. Të ecësh nëpër rrafsh është më vështirë, sepse nuk ka kodra prapa të cilave fshihesh. Kritikat nga BE-ja kundër Kroacisë nuk i drejtohen vetëm këtij vendi. Në fakt, ato janë paralajmërime për vendet e tjera të Ballkanit se çfarë i pret në të ardhmen nëse duan të hyjnë në BE. Nuk do të bëjë punë retorika e propagandistëve që shkumëzojnë duke skicuar suksese të paqena. Nuk mund të hyjë në BE Bosnja me këtë sistem politik jostabil dhe me politikanë të papërgjegjshëm; në BE nuk do ta fusin Serbinë, as mohuesi i gjenocidit Tomislav Nikoliqi dhe zëdhënësi i Slobodan Milosheviqit, Ivica Daçiqi; Maqedonia do të vazhdojë të përkundet në ëndrra antike derisa në krye të vendit të jetë një populist si Nikola Gruevski; Shqipëria me këtë klasë politike mund të integrohet në Bjeshkët e Nemuna, por jo në BE; Mali i Zi duhet të shkundet nga sistemi pothuaj mafioz dhe klientelist i Milo Gjukanoviqit, por kjo do të jetë vështirë duke pasur parasysh se ky shtet i përngjan një firme private të familjes Gjukanoviq. Kosova do të përpëlitet në vend edhe shumë vjet nën jehonën e këngëve të Rita Orës me shpresën e rrejshme se 4-5 minuta vallëzim atraktiv të një çike të re do të mjaftojnë për të përmirësuar imazhin e një shteti të kapur nga mafia dhe krimi i organizuar.

2 komente në “100 metrat e fundit të Kroacisë”

  1. mirel says:

    Artikull interesant.

  2. adriatik says:

    Enever ke bere nje artikull te mire.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje