Të vdekurit flenë, të gjallët rrinë gojëkyçur

5 Nëntor 2012, 18:15Blog TEMA

Homazh për më të fundit Laokoont shqiptar

Nga Xhovani Shyti

Laokoonti dhe disa ndjekës të kauzës së tij qenë të vetmit, midis masës së popullsisë trojane, që me këmbëngulje, refuzonin vendimin e mbretit Priam dhe parisë së oborrit, për të pranuar dhuratën e palës së mundur greke, pra futjen e kalit të drunjtë brenda mureve të kështjellës së Trojës. Duke hasur në kokëfortësinë e oborrit mbretërore, Laookonti u vu në krye të protestave, që iniciuan fillimin e lëvizjes masive, kundër vendimit të parmbretërisë për ta pranuar kalin dhuratë të Menelaut, arkitekt i të cilit ishte dinaku dhe hileqari Odise. Këmbëngulja e Laokoontit e tw tijve, për të qenë kundër dhuratës, rridhte nga provat që grekët dhe Odiseja kishin dhënë më parë, e që vërtetonin se dinakëria ishte arma e pamposhtur e helenëve, nëpërmjet së cilës ata korrnin fitore befasuese, kur u kishte shterur forca ushtarake. Legjenda vazhdon të thotë se, për këtë kundërshti, në mesnatën e fundit, para mbajtjes së protestës masive, ndërsa Laokoonti ishte duke përfunduar shkrimin e parullave, u sulmua prej gjarpërinjve dhe gjeti vdekjen i mbytur prej tyre. Të nesërmen u përhap fjala se gjarpërinjtë ishin dërguar nga Perëndia, e cila kishte marrë vendimin ta ndëshkonte Laokoontin për këtë kokëshkrepje antidhuratë, apo vendimmarrje ndryshe.

Ky është varianti i parë i legjendës mitologjike, pasi përveç tij gjendet edhe një i dytë, moderni, që i’a heq përmasën irreale legjendës dhe e kthen në tokësore. Sipas këtij varianti, guximtari Laokoont nuk u mbyt prej gjarpërinjve të perëndishëm, por gjeti vdekjen nga gota me helm që i servirën kundërshtarët. Ata që kërkonin, me çdo kusht futjen e kalit grek prej druri brenda shtetkështjellës së Trojës. Ata që për të zhdukur çdo hije dyshimi dhe për të mos lejuar një rebelim masiv, nga zbulimi i së vërtetës, futën në lojë artin e mashtrimit. Duke u dhënë pagesa të majme rapsodëve, piktorëve, skulptorëve dhe të tjerë kasnecëve, ata iniciuan versionin e sajuar të vdekjes së Laokoontit jo nga helmi i hedhur në kupën e verës, por nga mbytja prej gjarpërinjve të dërguar nga Perëndia. Një variant irreal ky që shëtiti nëpër botë për mijëra vite, duke lënë të varrosur të vërtetën e helmimit, së bashku me amanetin e fundit, që Laokoonti la para se të hiqte frymën e fundit dhe që ishte: “Mos e pranoni kalin, nëse nuk doni të rrënohet Troja”.

Duke ndjekur historinë e rrjedhur pas Laokoontit, fatin e këtij të fundit e ndesh edhe në ngjarje të tjera reale, po aq, më pak, apo më shumë tragjike. Me personazhe laokoontianë, që janë martirizuar nga dëshira për të thënë e mbrojtur të vërtetën, përkundruall përpjekjeve për ta manipuluar e përdorur atë në interes të individëve, grupeve, kastave e klaneve, që jo pak herë, për interesat e tyre të ngushta përfituese, kanë ngjitur në skenën e historisë regjime diktatoriale gjakatare. Më shumë se kushdo tjetër popull në botë, ne shqiptarët e kuptojmë mirë kumtin që përcjell fundi tragjik i Laokoontit, nga që,në më të fundit sundim tonin, për më shumë se gjysmë shekulli, kemi lëvizur të diktuar prej diktatorëve e rapsodëve të tyre.

Në vitet e egra të komunizmit ne frymëronim nga fryma e diktaturokracisë, edukoheshim me mësimet e ndritura të udhëheqësisë. Por, po të njejtën gjë e pamë të na ndodhte, çuditërisht, edhe në kapërcyell e në pas vitet ’90. Kur, gjykuam se e lam pas priamizmin, e kur përfaqësuesi i laokoontizmit fals, Sali Berisha doli në krye të Presidencën. Nga ku, me dorë të hekurt, për më shumë se pesë vite i përndoqi dhe i dërrmoi laokoontistët. Por “priamizmin” dhe “laokoontizmin” po i ndeshin edhe sot, 21 vite pas protestave studentore që sollën pluralizmin. Kur oborri mbretëror priamian shqiptar sundohet nga po i njejti njeri, Sali Berisha, veçse i spostuar në një tjetër ndërtesë shtetërore që thirret Kryeministri. Edhe në këtë përsëritje lavdie mbretëruese, më të gjuajturit prej priam Berishës janë laokoontistët. Më të fundit prej tyre ca ish të burgosur politik gjatë kohës së diktaturës enveriane, që priam Kryeministri vazhdon të mos i përfillë, edhe pasi dy prej tyre i vunë flakën vetes për të ndriçuar kauzën e mosbindjes ndaj demagogjisë së tij. Madje priam Berisha vazhdon ta anashkaloj kauzën e këtyre laokoontistëve modern edhe sot, kur trupi i njerit prej tyre, i Lirak Bejkos së vetëdjegur, i është dorëzuar vdekjes. Përse ndodh kështu tek ne, që jetojmë në një shtet kandidat për në Europën e Bashkuar, ku Berisha thotë se po lufton të na shpjerë, e ku laokoontët ndjehen në qendër të vëmendjes? Jo vetëm sepse janë qenie të paklonuara nga politikat e klaneve, grupeve, klikave e qarqeve të caktuara. Përse të ndodh që të jesh laokoontian, në Shqipërinë e sunduar për së dyti nga priam Berisha, do të thotë të luftosh për mbijetesë financiare, nga që është e sigurt se do jesh i papunë, i papërfillur e i anatemuar prej rapsodëve të paguar nga pushteti, me pak fjalë i linçuar deri në zgrip.

Ish të përndjekurit që rezistuan tridhjetë ditë në grevën e urisë, dy prej të cilëve nuk nguruan as të vetëdigjen, janë viktimat më të fundit të këtij fati të mbrapshtë. Nga që, si nën diktaturën komuniste, ashtu edhe në këtë periudhë anarkizmi politik post ‘90 të shoqërisë shqiptare, laokoontizmi është barrë vetëm për atë që e mbart. Ndaj bëhet e rëndë. Barrë tejet e rëndë nga roli prej spektatori, që luan pjesa dërmuese e masës që hesht, edhe kur është e bindur se po i shkelen të drejtat kushtetuese. Heshtja, indiferenca dhe mossolidariteti veprues me betejën e ish të përndjekurve grevistë urie(me bilanc tragjik djegien e dyve prej tyre dhe vdekjen e njërit), është sjellja më e fundit e kësaj mase përtypse, që e manipuluar nga rapsodët e pushtetit dinastik të priam Berishës i ka shpallur të padëshiruar laokoontët shqiptarë. Duke i detyruar të bëjnë sehir sesi të vdekurit flenë gjumin e përjetësisë, kurse të gjallët qëndrojnë gojëkyçur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje