Numërimi mbrapsht i bashkëpunimit opozitar

2 Nëntor 2012, 11:42Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Qeverisja PD-LSI do të mbahet mënd si qeveria e ‘litarëve përjashta’ për problematikat serioze që po lë pas. Çdo fitore e pritshme e opozitës rrezikon të jetë fitore ‘pirroje’ me mandatin e parë vetëm për të nxjerrë demokracinë nga ‘koma’ ku ndodhet. Problemet janë jetike për demokracinë, sikurse Klinton konfirmoi me fjalimin në parlament, duke bërë që 2013 të mos jetë një vit rutinë elektoral por moment historik për të ngjizur identitetin e privuar demokratik përballë një mazhorance unike në papërgjegjshmëri demokratike e papërgjegjësi ligjore, tërësisht alergjike ndaj koncepteve demokratike të ‘zgjedhjeve të parakohshme’, ‘dorëheqjes’ apo ligjit ‘njëlloj për të gjithë’. Opozita, rrjedhimisht, ka shansin dhe barrën historike për të ndezur pa humbur kohë entuziazmin për ndryshim dhe frymën e besimit tek e nesërmja. Këtë jo thjesht përmes një programi në letër por edhe veprimit konkret në formimin e ekipeve dhe koalicioneve që do zotohen për fjalën e dhënë.

Një shpresë – një zë

Deformimi i demokracisë e ka ‘homogjenizuar’ tregun elektoral. Zhgënjimi dhe intimidimi masiv e bëjnë po të tillë edhe shpresën për një ‘ditë të bardhë’. Apeli demokratik prevalon ndaj apelit ideologjik dhe elektorati, i luhatur mes ‘kë të votoj?’ apo ‘ia vlen të votoj?’, nuk e ka më luksin të dëgjojë zallamahi dhe refrene fragmentesh prej kampit opozitar. Të cilat jo vetëm nuk përcjellin apelin e pritshëm nga të gjithë por përkundrazi, dekurajojnë, veçanërisht kur opozita i bën opozitë vetvetes. Pavarësisht megafonit nga vjen mesazhi optimist opozitar, elektorati ka prirjen holistike të perceptimit si një e vetme ndaj, që kori opozitar të mos krijojë kakofoni dhe pështjellim, bëhet i domosdoshëm harmonizimi i aksionit dhe mesazhit opozitar.

Sot opozita ka një kauzë të përbashkët – rregullat e lojës në demokraci. Kontekst ky që duhet të reflektohet në përkufizimin e vetë termit opozitë. Kur ka krizë të demokracisë funksionale dhe kur shtetformimi demokratik mbetet në embrion, kriteri ideologjik në përkufizimin e opozitës ha diskutim sa kohë nevojat prioritare të elektoratit, pavarësisht gjenezës ideologjike, konvergojnë. Të tërë privohen nga vlera jetike demokratike dhe kombëtare – prona legale, vota e shenjtë, strategjia e zhvillimit, siguria e jetës, konkurrenca e lirë, gjykata të pavarura, dinjiteti dhe sovraniteti kombëtar etj. Kriteri ideologjik rrjedhimisht nuk përbën as arsye prioritare apo të vetme për bashkim, as justifikim për mosbashkëpunim (përveçse alibi).

Një kauzë opozitare që konvergon mbarë vullnetet opozitare zhvendos vëmendjen prej imazhit të partive të veçanta tek ai i mbarë frontit opozitar duke ngjallur një frymë, ndjesi përkatësie dhe përjetimi historik popullor sikurse fillimvitet 90. Këtë nuk e bën e vetme as PS, as AK, as FRD etj por bashkëpunimi i tyre që ndërsa gjeneron vlerë të shtuar inspiruese, jo vetëm nuk zbeh aspak identitetin partiak por shndërrohet në parakusht për konsolidim të tij më pas. Një ofertë opozitare kjo që identifikohet qartë me orientimin paekuivok anglo-sakson në përgjithësi dhe atë amerikan në veçanti, përkundrejt erërave bizantine apo atyre lindore, si dhe vendosjes së reciprocitetit me fqinjët paranojakë dhe intimidues.

Gol elektoral

Bashkëpunimi mbarëopozitar, duke e bërë shpresën temë të ditës, përveçse stimulon entuziazëm mes votuesve partizanë, motivon njëkohësisht elektoratin e ri, josh elektoratin ‘gri’, me gjasa shkund nga ‘gjumi hibernetik’ elektoratin e fosilizuar që nuk ka votuar më parë, maksimizon mbulimin mediatik dhe rrit ndjeshmërinë perëndimore ndaj vetë procesit elektoral.

Flitet shumë për një rreshtim të gjerë opozitar dhe, sipas ligjit zgjedhor, sa më shumë aq më mirë, për sa kohë ruhet integriteti i politikës opozitare. Kjo sepse, shtimi numerik i protagonistëve opozitar në një ‘varkë’ jo domosdoshmërisht përkthehet në vota më shumë, veçanërisht kur bëhet fjalë për parti apo protagonistë që perceptohen si pjesë e problemit, duke provokuar boomerang si tek ftohja e elektoratit partizan (me përmbysjen e vetë ‘varkës’ opozitare), ashtu dhe demotivimin e elektoratit gri apo atij indiferent.

Përtej meritave specifike të çdo partie – PS  si promotore e demokracisë funksionale, me elektorat masiv dhe ndjeshmëri sociale, AK me prurje identitare dhe dinjitet kombëtar si parakusht për motivim historik dhe zhvillim strategjik apo FRD si shprehje e vlerave të së djathtës qytetare, lirisë së individit dhe jo thjesht klub i ish-servilëve të pakënaqur në PD etj, së bashku ato mbyllin çdo shteg për interpretime dhe dilema në votën e 2013.

Përtej lojës së bukur, shoqëria pret ‘gol’ elektoral me lojë në ekip ndryshe, pavarësisht talentit, nëse ‘mbajnë topin’, opozitarët privojnë jo vetëm vetveten nga trofeu politik por mbarë shoqërinë prej rrugëtimit europian.

Komunikimi ndryshe opozitar

Ndryshe prej propagandës klishe, komunikimi opozitar duhet të prekë ‘telat’ e elektoratit jo vetëm me mesazh por edhe formën që ofrohet. Me synimin sidomos të përfitimeve prej publicitetit pozitiv gojor falë komunikimit informal, eksperiencave direkte dhe spontane mes votuesit dhe lidershipit opozitar të lehtësuar nga kostumet firmato dhe të pranishëm në supermarket tek blen si të tjerët, në stadium tek ndjek ndeshjen nga karshia, në bar-kafenë ku gumëzhin shpirti i komunitetit, në vrapin nga liqeni pa bodigardë e servilë, në kullën e fshatarit pa bujë, në gëzimin dhe hidhërimin familjar etj realitete, ku komunikimi njerëzor pa praninë e massmedias nuk paragjykohet sikurse gjeneron respekt, impresionon, depërton, ngulitet gjatë dhe përhapet vetvetiu me pasion dhe entuziazëm nga dera në derë.

Opozitë historike për një vit historik

Numërimi mbrapsht për një opozitë të bashkuar ka filluar. Përballë diversionit të mazhorancës, opozita nuk duhet të bjerë më në grackën e kompleksimit dhe dyshimit reciprok por të gjejë gjuhën e përbashkët sa më pare – ndoshta figura të respektuara të politikës apo shoqërisë civile, mund të katalizojnë procesin e bashkëpunimit, duke thyer ‘akullin’ e ngurrimit opozitar.

Sot faktori opozitar ka shansin dhe përgjegjësinë historike të rivendikimit të demokracisë. Është koha për lidershipin opozitar për t’i bërë një favor shoqërisë dhe vetvetes, duke u bërë bashkëautorë të rilindjes shqiptare. Për të lënë pas precedentin e opozitës ‘vaksinë’, që e përçarë dhe me veprime jokonsistente veç imunizon pushtetin abuzues. Në këtë moment historik të 100 vjetorit të pavarësisë, apeli është për një front opozitar që bën histori.

3 komente në “Numërimi mbrapsht i bashkëpunimit opozitar”

  1. feniks says:

    Nuk ka opozite me AK dhe FRD,perderisa keto dy parti nuk kane kuptuar ABC-ne e opozitarizmit te sotem:BASHKIM PA DALLIM IDEJE,IDEOLOGJIE,INTERESASH etj,per te CLIRUAR SHQIPERINE NGA PUSHTUESI SERB BERISHA!!!
    Parulla FOSHNJARAKE E AK dhe FRD,qe barazon PS-ne opozitare te fuqishme ne elektorat,me PD-ne FASHISTE ne ide e perberje dhe qe e ka CUAR Shqiperine ne PRAGUN E LUFTES CIVILE,nuk eshte vecse nje OGUR SE KETO PARTI BEJNE LOJEN E BERISHES SI KOLONE E PESTE!!!
    Le te kujtojne KONFERENCEN E LAVDISHME TE PEZES apo BESLIDHJEN E LEZHES,atehere te nxjerrin mesime se po GABOJNE RENDE!!!
    INTERESAT PARTIAKE KURRE NUK MUND TE DALIN MBI ATO TE SHQIPERISE!!!
    Vetem nje bashkim i fuqishem i te gjithe partive opozitare mund te siguroje PERMBYSJEN HISTORIKE,DUKE E DERGUAR BERISHEN PARA QELISE SE BURGUT!!!

  2. Mitfani says:

    Bashkepunimi midis PS, FRD, dhe AK duhet te jete ne prapaskene. Cdo dalje e perbashket qe te mos humbasin votat e atyre (budallenjve) qe nuk mendohen thelle kur degjojne propaganden e Saliut. Propaganda, sado e genjeshtert dhe e peshtire te jete, funksionon ne nje pjese te mire te popullates (deri be subkoshience).

    Nje opozite e bashkuar do te ishte zgjidhja e pare, por jo me e mirea ne situaten e krijuar ne Shqiperi tani. Eshte nje situate komplekse, me shume dizinformim, dhe ku nderkombtaret nuk duan te nderhyjne drejtperdrejt si me pare.

    FRD dhe AK duhet te luajne rolin e LSI, por ne kahun e kundert. Nese keto parti marrin vota nga PD dhe kalojne pragun elektoral me vete, vetvetiu PD del ne opozite dhe c’organizohet per dy jave (do e shikoni). Duke u bashkuar me PS pas zgjedhjeve, ato e nxjerrin Berishen ne pension, dhe gjithashtu hapin rrugen qe ai te kaloje vitet e pleqerise ne meditim per ato qe ka bere dhe midis 4 muresh.

    Ketu eshte dhe themra e Akilit per kete strategji. Saliu, is komunist i pandrequr, do te luftoje deri ne fund qe keto parti te mos kalojne pragun elektoral. Vjedhjet e votave do te behen ne kurriz te keto partive, dhe me e kollajshme kjo vjedhje do te jete ne “bastionet e PD”, pikerisht aty ku FRD dhe PD mund te marrin shumicen e votave.

    Eshte ne te kundert te intuites, pot nje Berishe i mundur me vote te lire, brenda rregullave te kushtetutes (edhe nese ai i ka shkelur te tera), eshte nje Berishe i poshteruar dhe i cburreruar (Do e shikoni si do te plaket ose do hiqet i semure qe ma pare se ti vije dita e gjyqit, dhe bile do te na vije keq). Nje Berishe i perzene me force, nuk mund te dergohet kurre ne gjyq (e kemi nje shembull, madje dhe, qofte larg, mund te na hiqet si shpetimtar ose martir i demokracise dhe shtetit.

    Shpresoj qe Edi Rama ka mesuar plot nga Berisha vitet e fundit, dhe ashtu sic nuk ishte gati te digjte Shqiperine per Berishen, te mos jete gati ta djege te ardhmen e Shqiperise per disa thela torte per jetimet (per te mos me thene dobicat) e Saliut!

  3. Jack says:

    Te gjithe KUNDER Saliut, Kokelopes dhe bishtave te tyre(çam, republikane, balliste, legaliste, etj. Beni nje pakt me njeri tjetrin(te gjitha partite qe nuk jane ne qeveri) ne baze te nje programi minimal: zgjedhje te lira, institucione te pavarura (gjykata, shish, kontrolli i shtetit, reforme administrative, reforma parlamentare(100 deputete), etj. Vini ne binare demokracine ne shqiperi per le te themi dy vjet me Edi Ramen Kryeminister, Bamir Topin-zv kryeminister dhe ate Spahiun minister te brendshem apo te drejtesise.Dhe pas dy vitesh zgjedhje te reja. Le te fitoje me i miri! Do vije ne Shqiperi te votoje per ate qe me do zemra, per Edi Rama-Kryeminister. Ky eshte shanci i fundit i shqiperise! Le te festojme 101 vjetorin e shpalljes se pavaresise dhe Vitin e Pare te Shqiperise Demokratike!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje