Morali si një “stoli” (e shëmtuar) për sytë e të tjerëve

1 Nëntor 2012, 19:16Blog TEMA
Morali si një “stoli” (e shëmtuar) për sytë e

Nga Afrim Karoshi 

Kemi kaluar nga koha e përfoljes së ndërtimit të moralit komunist komunitar, ku autoriteti moral është pushteti proletar, në shthurjen e çdo themeli ku mund të ndërtohen parimet morale.

Kuptohet që ndryshimi më i madh nga i pari në të dytin, është themeli! Duke i rënë me shkelm themelit të së keqes së komunizmit, kemi shembur edhe mundësinë për çdo lloj themeli tjetër të mundshëm për të ndërtuar një strehë morale të vlefshme për shoqërinë ku jetojmë.

A jemi kaq keq për themel? Kriza nuk ka të bëjë me mungesën e themelit.

Në fakt, Zoti do të ishte themeli i duhur, dhe i vetmi themel që siguron barazi për të gjithë, dënim të padrejtësisë dhe shpërblim të së mirës, i vetmi themel që garanton të gjitha vlerat për të cilat kemi nevojë: dashuri, mirësi, kujdes, barazi, dhe madje edhe ndëshkim krejtësisht të paanshëm.

Por problemi është që Zoti si themel nuk është tërheqës. Zoti është prapanik për një shoqëri si e jona, e zhvilluar, në kufijtë e Europës së bashkuar, me filozofë, politikanë, profesorë, arsimtarë, artistë pothuajse të zhvilluar… si e gjithë bota!!!

Themelet e tjera nuk mjaftojnë ose thjesht janë përsëritje e së njëjtit gabim.

Si rrjedhojë, kemi ngelur pa moral! Ose, nëse ke moral, ky duhet të jetë prapanik e fetar! Ndaj morali është një fjalë fetare, në kuptimin e mentalitetit të shoqërisë shqiptare të sotme.

Dhe gjithçka duhet të ishte në rregull… derisa dëgjojmë për krime të llahtarshme, si vrasja e një vajze, që del që ishte 18 vjeç, që kishte studiuar në medrese, që madje ishte përfshirë në marrëdhënie intime me një burrë të vjetër, e që kishte ngelur shtatzënë e si rrjedhojë “bamirësi” i saj, thjesht i është bindur “porosisë” së vajzës për të mos u turpëruar në publik, duke e “nxitur” që ta vrasë, e pastaj mësojmë që babai i vajzës edhe mund të ketë pasur dijeni, edhe s’mund të ketë pasur dijeni, edhe e varros trupin e vajzës me nderet e duhura, por edhe ndihet mjaftueshëm i turpëruar sa të mos e varrosë fare…

Dhe tragjedia më e madhe, që vijon, është që të gjitha analizat që vijojnë ngjarjen, janë një përzierje mish-mashi mendimesh kundërthënëse, të botuara e të pabotuara, që nuk na çojnë askund… Dhe pastaj vijon heshtja! (Jo më kot prita më shumë disa ditë për të parë se çfarë do të thoshte shtypi një javë pas ngjarjes) Dhe pastaj, duket sikur, analistët, edhe njëherë, presin përpara filxhanit të makiatos me qumësht të ftohtë, derisa të dalë në televizor një ngjarje tjetër… dhe kanë dalë disa që nga ajo ditë!!!

Tmerri i një shoqërie nuk janë ngjarjet e rënda por reagimi i mefshtë i “moralistëve pa moral” ndaj ngjarjes së rëndë.

Për ta mbyllur, dje lexova një reagim të banorëve të fshatit në Mallakastër ku ndodhi vrasja e një çifti dhe djegia e shtëpisë së tyre. Sipas reagimit që lexova, banorët e fshatit kërkuan dënimin me vdekje të autorëve, ose në mungesë të kësaj mundësia, banorët do të merrni vetë hakun për vdekjen e të afërmve të tyre…

Unë nuk jam dakord me thelbin e kërkesës së banorëve. Por jam dakord me thelbin e reagimit.

Nëse një shoqëri, nuk gjen mjaftueshëm “tokë të përbashkët” për të reaguar ndaj së keqes dhe për të vlerësuar të mirën, atëherë është pothuajse e pamundur të kesh një moral të përbashkët… Atëherë e kthejmë shoqërinë në një tokë të më-të-fortit dhe na ruaj Zot nga radha e vdekjes së pamerituar!

Disa sociologë amerikanë, kanë arritur në përfundimin që mungesa e reagimit ndaj së keqes quhet “Sindroma Xhenoveze” (efekti i “qëndrimtarit”), i nxitur nga një rast në Nju Jork, ku një grua u vra, dhe rreth 30 njerëz dëgjuan zhurmat (në masa të ndryshme) por nuk reaguan! Arsyet e mungesës së reagimit janë të ndryshme – por, në rastin tonë, ma merr mendja që arsyeja kryesore është një shoqëri apatike, që pasi e ka përzënë Zotin si themelin e vërtetë të moralit, tani s’gjen dot shkop ku të mbahet.

Në pritje të asaj dite, Zot, na rikthe mendtë që të të mos shikojmë ty si “moralist me mjekër të bardhë e krejt i painteresuar” por si Ai që je, që do të bësh të paguajnë një më një të gjitha të këqijat që janë kryer në këtë botë, duke përfshirë edhe krimin monstruoz kryer ndaj Aishe Vatës…

2 komente në “Morali si një “stoli” (e shëmtuar) për sytë e të tjerëve”

  1. VERONIKA says:

    TemAAAAAAAA,nga e nxorret kte AFRIMIN???Po nga i gjeni keta,moj gazete e nderuar…mos me thoni dhe qe i paguani…uuuuu po ma heq mendjen..te keqen e Saliut…
    Afrimi ,te marrte e mira mendjen dhe mbiemrim–ke bere ndonje shkolle ti?Dua pergjigje,se po qe se jo ,do ti paguaj une studimet..
    Lexoni çfare shkruan:-Duke i rene me shkelm themelit te se keqes se komunizmit,kemi shembur dhe mundesine per çdo lloj themeli tjeter te mundeshem ,per te ndertuar nje strehe morale te vlefshme per shoqerine ku jetojme—-duke shembur themelin e nje te keqeje(nuk eshte e vertete,nuk e kemi shembur)–nuk eshte se mund te besojme te ngreme nje themel morali te ndershem,te paster—joooo nuk kemi me mundesi–kemi shembr komunizmin,sipas ktij,ishte e keqe ,por do ngrinte nje strehe morale per te ardhmen
    Zoteri ,nqs ti nuk ke pr me psikiken,je i verber me dy syte…
    Zoti do e ndihmonte te ngrinte,di une çfare moral-barazi-mos eshte ge Deshmimtar i Jehovait ky,jo se do kuptoja dhunen psikologjike qe pershkon mendjen e ktij—jo se pastaj thote qe eshte prapanik,per nje shoqeri si e jona–e di ky se ku e sheh shoqerine….aa jo po dhe pyet–A JEMI KEQ PER THEMEL–JOOOOOO dhe shtepia jote qendron ne ajer,dhe koka te ka marre ere me kohe…
    Tragjedia e Aishes ,prek rende kedo,por nqs ti do ishe pak–analist-sociolog(une e hedh diplomen)-antar i atyre shoqatave civile-te frustruara per mungese fondesh dhe militantesh–opo te ishe kushdo,duhet te dish se ekstremet ekzistojne ne çdo lloj shoqerie dhe shume me moderne se e jona-ne Australi para disa vitesh babai e mbylli per nuk e di sa vjet dhe beri 5 femij me vajzen e vet–u fol ,u sterfol nga gjithe bota-pikerisht analistet nxjerrin konkluzione–shoqeria edukohet–qe PERBINDESHI NUK DO KERKUAR NE HENE-POR TEK AI QE KE ME AFER-INVESTOHET NE STUDIM-NE NJE SHOQERI KU *TURPI*MOS TE ZERI VIKTIMEN-KU SHTETI MOS TE JETE PUSHTET-KU FJALA DASHNOR MOS TE SKANDALIZOJ _MAMAKAT_,JO SE DHE MAMAKAT JANE *MAMA*SEPSE KANE ZENE NJE DASHNOR–DHE JANE PRIND JO KAFSHE RIPRODHUESE–pra AFRIMI-KJO KERKON PUNE ,STUDIM,ANALIZA SHUME TE GJATA DHE TE BEZDISURA–POR SIDOMOS THEMELE TE FORTA MORALI TE SHENDOSHE–JO TE NDERTUARA MBI NJE THEMEL QE VETEM MORAL NUK KISHTE…
    Afrimi,une kam vajzen ne klase te shtate-dje dolen per nje pice mbasdite per ate festen idiote-te importuar nga nje *moral*,jokomunist,nejse me tha vajza -Gjysma e vajzave nuk kishte ardhur,sot ato shoqet i kishin thene qe nuk i lane Mamaçkat,sepse kishte dhe djem—heheheh neser mbasdite kam therritur bordin drejtus dhe mbledhje me prinder–kam therritur dhe ata prindrit riprodhus,me leter,sepse une nuk dua qe femijet e mi te degjojne kto arsye-idiote–sepse ime bije i ka syte te medhenj dhe sot kur me kerkonte shpjegim ,po i hapte me shume dhe une nuk dija çfare ti pergjigjesha—Pikerisht ,pse une nuk dua nje tragjedi AISHE-do i edukoj-dhe sidomos kjo shoqeri do me respektoj–sepse do e ngre ne baza te verteta,te reja te qendrueshme!!!
    Nqs ky artikull ishte nje shaka–une nuk e kuptova–nuk me erdhi per te qeshur!

    1. Melisa says:

      E verteta eshte qe ne kemi me shume frike nga opinioni i te tjereve sesa nga ligji apo Zoti. Na ka tronditur te gjitheve ajo qe ndodhi me Aishen e gjore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje