Modeli ndërgjerman si “armëpushim”

1 Nëntor 2012, 20:46Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Modeli gjerman mbështetet te Marrëveshja ndërgjermane (mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike të Gjermanisë, 1972) gjatë luftës së ftohtë, për bashkëpunim pa e njohur njëra-tjetrën për plot 20 vjet rresht.

Por që në bazë të kësaj Marrëveshjeje, të dyja shtetet gjermane ishin bërë anëtare të mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë edhe OKB-në, duke mos e penguar njëra-tjetrën në këto procese.

Mundësia e aplikimit të këtij modeli në mes të Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë e diskutimeve edhe para, por edhe pas përmbylljes së statusit politik të Kosovës, pra nuk është një temë e re.

Kjo ide qarkullonte që në bisedimet e Vjenës, kur ambasadori Wolfgang Ischinger e kujtoi përvojën e dy Gjermanive. Sipas Marc Wellerit, ky model konsistonte në atë që shtetet kishin lidhur Traktatin më 1972, ku “ishin pajtuar që të mos pajtoheshin” për pikëpamjet që i kishin në lidhje me pozitat e tyre juridike.

“T’i zgjidhim çështjet praktike sot dhe këtu – thoshte Ischinger – “Serbia është Serbi, dhe Kosova është Kosovë. Dy entitetet mund të pajtohen që ta rregullojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojnë trupa të përbashkët qeverisës, përderisa e skajojnë për një kohë kontestin për statusin e Kosovës, as krahinë dhe as shtet i pavarur”. (Weller e citon Ischingerin sipas “Der Spiegel”)

“Skajimi i përkohshëm” donte të thoshte që atëherë se Kosova do ta konsideronte veten të pavarur, kurse Serbia jo.

Traktati midis dy Gjermanive ishte nënshkruar nga dy entitete shtetërore dhe, sipas tij, konfirmohej shtetësia e RDGJ-së, që vlente edhe për RFGJ-në, e cila ia kishte mohuar de jure shtetësinë shtetit komunist, por me këtë traktat de facto ia njihte të drejtën për shtetësi.

Përfundimi ishte “pa paragjykim në lidhje me pikëpamjet e ndryshme të RFGJ-së dhe RDGJ-së për çështjet fondamentale, përfshirë edhe çështjen kombëtare”, të dyja palët ishin marrë vesh të ndërtonin raporte normale fqinjësore me njëra-tjetrën, në bazë të të drejtave të barabarta. Traktati konfirmoi se të dy shtetet do ta respektonin pavarësinë e njëra-tjetrës si dhe autonominë në çështjet e tyre të brendshme dhe të jashtme.

Fillimisht kjo ide për të dyja palët dukej si një kurth në të cilin druanin se do të binin të dyja entitetet; serbët e kuptonin këtë si pranim në heshtje – de facto – të ekzistimit të shtetit kosovar, pa e njohur zyrtarisht, kurse kosovarët e interpretonin si mundësi që një ditë, konform me shthurjen e dramës ndërgjermane, do të riktheheshin nën juridiksionin e Serbisë.

Mirëpo, duke pasur parasysh zhvillimet pozitive pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me ligjin ndërkombëtar, si dhe njohjet që mori ndërkohë Kosova e pavarur pa kushte, të shpie në përfundimin se një traktat paqeje mes këtyre dy shteteve është i domosdoshëm, por edhe i mundshëm, më tepër për hir të agjendave të BE-së (me mbështetje të ShBA-së) sesa për nevojat e këtyre dy shteteve, të cilat, sipas traditave ballkanike, ushqejnë armiqësitë e vjetra duke ofruar zgjidhje populliste, përfundimtare.

Mirëpo kryeneçësia e këtyre dy entiteteve u pa se po e cenonte projektin europian dhe se një traktat paqeje mes tyre, qoftë edhe sipas modelit gjerman, do t’i relaksonte raportet, në rend të parë, brenda vetë BE-së (pesë shtete anëtare nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por marrin zotime se nuk do ta pengojnë Kosovën në rrugën e saj integruese) por një model i tillë do të kishte ndikim pozitiv edhe në raportet mes BE-së dhe ShBA-së në një anë dhe të Perëndimit kundrejt Rusisë, në anën tjetër.

Në epokën kur ekspertët e së drejtës ndërkombëtare, po paralajmërojnë qasjen postmoderne në raport me ligjin ndërkombëtar, kosovarët nuk duhet të mbështeten në postulate të tejkaluara tashmë, siç ishin konceptet njëdimensionale të sovranitetit dhe mosndërhyrjes sipas parimit Wesphalian.

Pra, Kosova shërben si test për braktisjen e konceptit Westphalian mbi sovranitetin në të drejtën klasike ndërkombëtare.

Sipas njërit nga ekspertët më me emër të kësaj të drejte, Marc Weller, Kosova po e ndërton një sistem, kushtetues ndërkombëtar postmodern, që është ende në proces të themelimit e sipas të cilit, njerëzit janë në qendër, pra shumë më të rëndësishëm sesa shtetet.

Sipas këtij autori, Kosova, mbështetur në Pakon Gjithpërfshirëse të Marti Ahtisaarit, burimin e pushtetit publik nuk e vendos tek institucionet nacionale, por te komunat, proces ky qe njihet si decentralizim i pushtetit.

Në këtë proces, Kosova ka përqafuar zgjidhje europiane në vend të zgjidhjeve përfundimtare, duke i shmangur zgjidhjet territoriale, gjë që në Pakon Ahtisaari, zgjidhjet e tilla janë të dizajnuara në atë mënyrë që komunitetit serb në Kosovë i japin autonomi substanciale, ndonëse një autonomi pa emër.

Në bazë të kësaj pakoje, synohet të arrihet zgjidhja edhe për komunat në veri të Kosovës, të cilat sipas Palinit Gjithëpërfshirës do të mund të bashkoheshin për të formuar “rajone vetëqeverisëse të disa komunave” dhe, siç po shihet, kjo zgjidhje do të prodhojë rajonin specifik “Veriu i Kosovës” brenda sistemit politik të Kosovës, ku katër komuna të banuara me shumicë nga serbët kosovarë, do të kenë një pavarësi financiare, si kundërshpërblim që të integrohen në pushtetin kombëtar, duke participuar në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës.

Ky model i zgjidhjes e rikthen perspektiven etnizuese të shtetit, duke njohur traditat politike të Ballkanit Perëndimor, është zgjidhje më popullore, sepse asnjëra nga etnitë në Kosovë nuk do të donin të dëgjonin për zgjidhje joetnike, pra në baza të qytetarisë, thjesht nga frika e humbjes së idetiteteve reale ose traditave të shpikura kombëtare. Etnizimi i skajshëm i shtetit, në thelb është e meta më e theksuar e Pakos Ahtisaari dhe kurdoherë, ky model që çan shtetin do të rishikohet…

Mendimet rreth zgjidhjes së çështjes së veriut të Kosovës janë të ndara edhe në diplomacinë e BE-së. Sipas njërës anë (ish- i dërguari special i BE-së në negociatat për statusin e Kosovës, Stefan Lehne), për veriun e Kosovës zgjidhja e ofruar me Pakon e Ahtisaarit nuk mjafton, andaj Qeveria në Prishtinë duhet të llogarisë që në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë një balancim do të duhej të arrihej mes dëshirës së serbëve të veriut për të ruajtur pozicionet e tanishme dhe lidhjet me Serbinë, si dhe dëshirës së Prishtinës për të shtrirë sovranitetin e vet atje. Ky balancim gjendet në një “autonomi substanciale për veriun” e Kosovës. Kurse, sipas palës tjetër, si për Prishtinën ashtu edhe për fuqitë evropiane, kufijtë në Ballkan janë mbyllur përfundimisht dhe se e vetmja zgjidhje për veriun e Kosovës është Pakoja Ahtisaari.

Në thelb, nga pakoja buron pikërisht “autonomia substanciale”, që kohëve të fundit po interpretohet si “autonomi financiare”, por që nuk e cenon integritetin e shtetit kosovar, njëherësh ua mundëson serbëve kosovarë që ligjet kosovare (zgjidhjet kushtetuese) t’i lyejnë me ngjyrat serbe.

Në anën tjetër, çfarëdo statusi special për veriun e Kosovës na rikthen tek hallkama e madhe ballkanike e një shekulli më parë, ose edhe në vitet ’90 dhe askush nuk mund t’i parashikojë pasojat jo vetëm për rajonin por edhe për vetë projektin europian.

Dhe askush nuk është në gjendje që të marrë përsipër kostot e ridefinimit të kufijve ballkanikë.

Një zgjidhje e tillë, “autonomi financiare” për “Veriun e Kosovës” ka bazë kushtetuese (sepse Pakoja e ka derivuar Kushtetutën e Kosovës dhe në secilin interpretim të Kushtetutës, janë valide postulatet e Pakos e cila ka epërsi kundrejt Kushtetutës kosovare) por edhe në ligjet kosovare në fuqi, siç është Ligji për financat e pushtetit lokal.

Në këtë kontekst ky ligj mundëson edhe themelimin e Bashkësisë së komunave “Veriu i Kosovës”, gjë që ka mbështetje në nenin 6, që përcakton kompetencat e shtuara të një grupi të komunave, në kontekstin e Veriut të Kosovës, ku mund të ndodhë që institucionet qendrore t’u japin kompetenca shtesë komunave me shumicë etnike serbe, p.sh. përqindje nga kuotat doganore, (kuotat mund të negociohen), të shkojnë direkt në arkën e katër komunave veriore, për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

Këtë mundësi e parasheh neni 3/Kufizimet në pavarësinë financiare të komunave, ku thuhet se kjo ndalesë vlen (mirëpo nuk kufizohet) për detyrimet doganore etj.

Vetë Ischinger në fillimet e negociatave të Vjenës e pati hedhur “in air” idenë e ndërrimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo ide nuk u pranua nga asnjëra palë, nga frika se kush do të humbë më shumë tokë si dhe nga droja europiane për mundësinë e shpërthimit të konflikteve të reja në rajon, natyrisht duke pasur parasysh efektin domino që do të pasonte, duke përfshirë në konflikt ndonja pesë shtete ballkanike dhe më gjerë…

Këtë ide (ndërrimin e territoreve) e shfaqi pastaj edhe Erhard Busek (ish-koordinator i Paktit për Stabilizim dhe Asociim për Evropën Juglindore), sipas të cilit Kosova dhe Serbia duhej të fillonin negociatat për ndarjen e Kosovës si zgjidhje më e mirë për të dy palët. Si shpërblim, Kosovën do ta njihnin Serbia dhe pesë shtete të BE-së. Veriu i Kosovës duhej t’i bashkohej Serbisë, kurse Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës. Kjo do të ishte zgjidhja, sipas Busek, më e qëndrueshme, edhe për Ballkanin.

Mirëpo, as kjo ide nuk është e re dhe as “puro-gjermane”, ka edhe në Kosovë parti dhe individë me ndikim që e mendojnë një zgjidhje të tillë, por, ky model mbetet i pastudiuar mirë, sepse një këmbim i tillë territoresh mund të prodhojë fatkeqësi të reja, refugjatë të rinj dhe dëshpërim të madh për njerëzit, të cilët do të bëheshin “monedhë kusuritjeje” për shkak të ideve shtetomëdha dhe ky koncept do të binte ndesh me një sistem, kushtetues ndërkombëtar postmodern, që është ende në proces të themelimit, e sipas të cilit, njerëzit janë në qendër, pra shumë më të rëndësishëm sesa shtetet. Po ashtu, një proces i tillë këmbimesh do ta trazonte FYROM-in ku shqiptarët si një pakicë e madhe etnike nuk do të ndjenin më arsye për lojalitet ndaj shtetit maqedonas, kurse precedenti do të vlente edhe për Republika Srpska, e cila do ta braktiste shtetin e origjinës, Bosnjën, për t’iu bashkuar Serbisë amë.

Së këndejmi, Ballkani do t’i rikthehej ridefinimit të kufijve që, nuk ka gjasë të kalojë pa kriza të mëdha të përmasave globale.

E drejta për bashkim me shtetet amë tashmë është vetëm e drejtë simbolike.

Në kontekstin kosovar vetëvendosja është konsumuar me shkëputjen nga Serbia (si amë juridike sipas së drejtës ndërkombëtare) duke i dhënë asaj vetëvendosje zhdëmtuese.

Kosova është shteti amë i kosovarëve, ndonëse ideja e shtetit të pavarur është produkt i nacionalizmit shqiptar – nacionalizëm shtetformues – që nuk i përket ekskluzivisht Shqipërisë së sotshme, duke pasur parasysh kontekstin e kryengritjeve në mbarë Kosovën gjatë viteve 1910 – 1912.

Prandaj, Kosova në këtë proces ka nevojë për nacionalizëm etatist e jo për nacionalizëm etnik.

3 komente në “Modeli ndërgjerman si “armëpushim””

  1. o halo hala se ke kuptu se ska kosove pa shqipni? ik me prrallat e tuja merr me vete me migjen e qose bashke

  2. ''evgjitngrenesi'' says:

    po ik o matosh se na care ”veshet”.
    gjithe shtetet evropiane jane formuar e funksionojne mbi bazen e shtetit -komb. tani dole ti me lubonjen dhe ca sorrosite te tjere te formoni shtetin ”qytetar”.
    kot i bie nga ”kina” per te mashtruar ndonje debil. ti je per modelin sovjetik apo jugosllav.keto u rrezuan ooo matosh.
    ne keto kohe qe serbia dhe greqia po deshtojne ne luften e tyre per te mbyllur ceshtjen shqiptare me lufte,po hedhin ne veprim ”kolonen e 5-te”shqiptare ne bashkeveprim me sorrosin.
    ti nuk ke ndonje ndryshim nga esat pasha me shoke qe ishin kundra shtetit kombetar shqiptar,me te njejtin pretekst si ky i yti ,per shtetin ”qytetar” osman.
    merr eshe spahiun e kelmendin dhe vendosuni ne mitrovicen e veriut semos aty trajtoheni si qytetare e jo si shqiptare. edhe ne mire do te na beni se do pakesohet era e keqe,,

  3. Shqiptari nga Kosova says:

    “Në këtë proces, Kosova ka përqafuar zgjidhje europiane në vend të zgjidhjeve përfundimtare”.Po mos ja fut kot more identitetshkeles, po cili shtet evropian ka nje zgjidhje te tille o i semur?
    “Pra, Kosova shërben si test për braktisjen e konceptit Westphalian mbi sovranitetin në të drejtën klasike ndërkombëtare”.
    Dhe nese testi nuk funksionon, cka ka funksionuar deri me tani qe te funksionoj ky test, eksperiment qe eshte bere nga qarqet sllave per te fituar kohe e per te mbajtur sa me gjate ne agoni nje popull te tere, cfare atehere?
    Hapi syte o i verber me sy ne ball!!
    Ne e kemi identitetin tone kombetar e historik, e kemi edhe shtetin ame qe po mbahet perkundur sepse i ngjan torzos pa duare e pa kembe meqenese e prene dhe ndane pas 1912 tes barbaret.
    Ne duhet ta bashkojme Shqiperine e ta rilindim shqiptarine qe brezat e ardhshem te jetojne ne paqe e liri me dinjitet e begati.
    Kjo eshte rruga e shqiptareve, qe me emer te Zotit do ta realizojme!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje