INTERVISTA/ Leonida Reitano: Gazetaria investigative, nevojë për të kuptuar çfarë ndodh

14 Nëntor 2012, 19:07Sociale TEMA

Leonida Reitano është kryetar i shoqatës së gazetareve investigativë italianë. Ai është i përfshirë në çeljen e një masteri për gazetari investigative në Shqipëri, përmes të cilit synon të formojë një brez të ri gazetarësh investigativë në Shqipëri. Reitano thotë se qytetarët sot kanë shumë mundësi për të mësuar lajmet, dhe kanë shumë nevojë të thellohen rreth tyre përmes investigimit, të cilin e quan të ardhme të gazetarisë. Gazeta Tema bisedoi me të rreth këtij koncepti.

Gazetaria në Itali është shumë e zhvilluar, ka shume gazetarë të zotë. Çfarë i mungon gazetarisë tradicionale qe t’i krijojë hapësirë zhvillimit të gazetarisë investigative?

Në Itali ka shumë gazetarë të zotë dhe janë bërë shumë hetime domethënëse. Por mungon një mënyrë e strukturuar për të bërë hetime, mungon debati brenda komunitetit të gazetarëve e mbi të gjitha mungon një sistem i strukturuar i formimit të gazetarëve të rinj investigues.

Gazetaria investigative “all’italiana” është një miks i intuitës së gazetarit, burimeve konfidenciale dhe ndonjë rrëmimi nëpër dokumente. Asgjë më tepër. Gazetaria investigative anglosaksone, që është ajo që na frymëzon, ofron një mënyrë të strukturuar dhe një sërë disiplinash praktike (një pjesë rrjedhin nga shërbimet inteligjente) në gjendje të ofrojnë instrument investigues shumë më të avancuar nga ato të gazetarisë tradicionale investiguese italiane.

Gazetaria investiguese është sot tejet e rëndësishme për të shpëtuar konceptin e gazetarisë. Mendoni se misioni kryesor i gazetarisë (ai informues) po transformohet?

Absolutisht po. Si studiues i mediave (jam kërkues në media) mund të them me bindje se gazetaria investigative bashkë me drivenjournalism janë modelet ku do të bazohet ky profesion. Funksioni i informimit (kronika), tashmë është zëvendësuar nga shumë instrumente dixhitalë të komunikimit (blogje, mikroblogje, faqe informuese etj) disa prej të cilave edhe më të fuqishme se vetë gazetat (si Dagospia në Itali apo Drudge Report në SHBA).

Pra, qytetarit nuk i nevojitet më gazeta për t’u informuar, por i nevojitet për thellime të strukturuara (gazetaria investigative, analiza etj) të asaj qe ndodh. Prandaj do të zhvillohet gjithnjë e më shumë gazetaria e “thellimit”, duke qenë se gazetaria “sipërfaqësore” do të zëvendësohet nga mjete dhe produkte të tjera informuese.

Ekziston një mendim se gazetaria investiguese është shpëtimi për vendet e pazhvilluara, si vendi ynë. Ju e shikoni si një element që kompenson gazetarinë në krizë apo si një element normal të gazetarisë?

Pjesërisht iu përgjigja tek pyetja e mësipërme. Përsa i përket së ardhmes, sipas meje gazetaria ose do të jetë investiguese ose nuk do të jetë. E thënë kjo është e qartë që në një vend ku industria editoriale është në krizë, gazetaria investigative mund të kalojë në etapa zhvillimi virtuoz nën aspekte të shumëllojshme: kulturorë, ekonomikë, politikë.

Qendra juaj po asiston një kurs të përparuar (master) në gazetarinë investiguese në Shqipëri. I njihni kushtet në të cilat zhvillohet investigimi gazetaresk këtu?

Gazetarinë shqiptare sapo kemi nisur ta njohim. Nga kontaktet me realitete të ndryshme profesionale të gazetarisë duket se vullneti për të bërë gazetari investiguese ekziston, mungojnë mënyrat dhe paratë. Si shoqatë e gazetarisë investigative ne sigurisht mund të flasim për mënyrat, por edhe sa i përket mjeteve financiare mund të organizojmë crossborder investigation duke përfshirë gazetarë (dhe burime financiare) nga shumë vende.

1 komente në “INTERVISTA/ Leonida Reitano: Gazetaria investigative, nevojë për të kuptuar çfarë ndodh”

  1. Landi says:

    eshte nje nisme pozitive por kam frike se mbetet si nje predikim ne shkretetire pasi ketu nuk eshte se nuk dine por nuk duan dhe nuk kane mundesi financiare dhe politike pasi jetojme ne nje regjim. Sa per ate pyetjen ku e cileson gazetarine italiane te zhvilluar, ose i sheh italianet nga poshte, dmth. nga pozicioni yne ose nuk e ke haberin. Gazetaria italiane eshte goxha e prapambetur jo vetem me vendet anglo-saksone, gje qe e pranon edhe ai, por edhe me Gjermanine, Francen, Danimarken, Suedine etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje