FATI I RAMUSH HARADINAJT dy herë brenda këtyre dy vjetësh po lidhet me data të rëndësishme për shqiptarët.
Më 21 korrik të 2010-s ai shkoi për herë të dytë në Trubinalin e Hagës, vetëm një ditë para se Kosova të merrte opinionin pozitiv këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi. Ky lajm gjithsesi se ishte shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe Kosovën, por ishte i përcjellë edhe me shijen e hidhur të një dite më parë, pasi që një ish-kryeministër dhe një ndër komandantët më të shquar të luftës për pavarësimin e vendit kishte shkuar për rigjykim.
Më 28 nëntor shqiptarët kudo do ta festojnë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kurse vetëm një ditë më vonë Haga do të marrë sërish një vendim të rëndësishëm për Haradinajn – verdiktin final.
Sa është i rëndësishëm në aspektin politiko-historik 28 nëntori, aq do të jetë në kontekstin politik të Kosovës i rëndësishëm 29 nëntori.
Cilido që të jetë verdikti i Hagës për Haradinajn, ai do të ketë implikime të mëdha në skenën politike të Kosovës.
GJASAT MË TË MËDHA janë që Ramush Haradinaj më 29 nëntor të shpallet i pafajshëm.
Ekspertë juridikë dhe vëzhgues të veçantë të procesit të rigjykimit në Gjykatën Penale të Hagës argumentojnë se prokuroria nuk ia ka dalë që të sjellë dëshmi për të vërtetuar pretendimet se Haradinaj, bashkë me Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn, kanë bërë krime luftë në atë që është quajtur kamp-burg i Jabllanicës.
Për herë të parë dhe të vetme, 17 vjet pas themelimit, Tribunali i OKB-së për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi kishte marrë vendim që të liruarit si të pafajshëm me vendim të kësaj gjykate të kthehen në rigjykim, si në rastin Haradinaj dhe të tjerët. Rigjykimi i pjesshëm kishte të bënte me 6 pika të aktakuzës, për të cilat Dhoma e Apelit kishte konkluduar se rasti ishte mbyllur pa u dëgjuar dëshmia edhe e dy dëshmitarëve.
Në fund të procesit, siç dihet, Prokuroria ka kërkuar që të akuzuarit të dënohen me së paku 20 vjet burgim, teksa mbrojtja ka thënë se ata duhet të lirohen.
Tash mbetet të shpresohet se nuk do të ndodhë që Tribunali të na befasojë për herë të dytë lidhur me të njëjtin rast, siç kishte qenë befasi kthimi i paprecedencë për rigjykim.
SIMBOLIKA E RËNDËSISË së historisë së Haradinajt me Hagën dhe historisë së shqiptarëve dhe Kosovës megjithatë do të dëshmohet çfarëdo që të jetë verdikti i Hagës.
Në skenarin më të mundshëm, pra, të enjten e fundit të nëntorit Haradinaj do të kthehet si i pafajshëm në Kosovë.
Kjo do të shënojë një kthesë të madhe në skenën politike të vendit, e cila në vitet e fundit është çimentuar në pozicionet e një PDK-je dominuese dhe bukur arrogante, të një gjiganti opozitar si LDK-ja, por me një ritëm të përgjumur, të një proaktivizmi të madh të “Vetëvendosjes!” por të kufizuar për shkak të fuqisë aktuale parlamentare, të një AKR-je dhe LB-je të margjinalizuar momentalisht, si dhe të një AAK-je të mbetur pezull pikërisht për shkak të lidhjes së paevitueshme të fatit të liderit me atë të partisë.
Me Haradinajn të lirë dhe me vullnet e energji për të kompensuar mungesën pak a shumë 8-vjeçare, do të ngjizet ndjesia sikur vendit po i krijohet edhe një parti e re, që gjithsesi se do ta ngjallë dhe dinamizojë skenën.
Tashmë, gjërat duket se janë ndarë bukur qartë në dy skenarë.
I pari është që Haradinaj të bëhet kryeministër, në një marrëveshje të re koalicioni ku do të ndahej pushteti me PDK-në, e ndoshta edhe me koalicionin partiak rreth AKR-së, ndonëse një gjë e tillë duket bukur vështirë e arritshme. Më i mundshëm do të dukej skenari i PDK-së dhe AAK-së në bashkëqeverisje, por pa Haradinajn si kryeministër, por që duket i paarritshëm për shkak të vijës bukur precize të kuqe të zyrtarëve më të lartë të AAK-së. Se si do të mund të arrihej ndonjë ujdi që edhe Thaçi e edhe Haradinaj të mbesin të kënaqur, në variantin logjik të synimit të postit të presidentit nga Thaçi, kjo mbetet për t’u parë.
Skenari i dytë, natyrisht, do të ishte që PDK-ja të mos e pranojë kushtin e AAK-së për dhënien e postit të kryeministrit për Haradinajn dhe ky i fundit të vazhdojë politikëbërjen nga opozita. Kjo do të nënkuptonte një fuqizim dhe gjallërim të madh të opozitës së deritashme, e cila me ndonjë kombinim të mençur në prag të zgjedhjeve të ardhshme, edhe do të mund të vinte në pushtet.
Në rastin fare pak të besueshëm, por që mund të vijë në formë befasie, pra, të dënimit të Haradinajt, atëherë kjo situatë për AAK-në dhe Kosovën do të mund të shpjegohet shkurt me proverbin: “Kur thyhet kerri, rrugë ka boll”.
Për këto arsye imponojnë fuqishëm që data 29 nëntor e këtij viti të mbetet gjatë në kujtesë të Kosovës.
haradinaj?
nje vasal i zbulimeve sekrete te huaja!
zanati i vjeter i shqiptarit.
hero?
shqiptarqiq hero…
po i pergjigjem z kusari hajnis turp kombetar ato fjale qe shprehni per heroin kombetar per legjenden tone pane shqiptare turp diku tjeter kerkoje mos me kte bur mik ate e vlereson vepra e tij historia e gjaku i derdhur per lirin qe gezojne sot kosova e me gjere eshte fakt