Demokracia pirate ‘Made in Albania’

17 Nëntor 2012, 18:37Blog TEMA
Demokracia pirate ‘Made in Albania’

Nga Artan Xh. Duka

Retorika më e fundit perëndimore ka si kryefjalë zgjedhjet e 2013 – bëni kujdes, janë test për demokraci, ne po i mbajmë sytë katër etj. Një refren familjar ky që shpresojmë ta dëgjojmë për herë të fundit ndërkohë që sesa test për demokracinë shqiptare, 2013 është test për vetë perëndimin.

Mazhorancë që teston durimin e perëndimit

Ne kemi testuar gjithçka mund të testohet dhe sa kohë çelësat e zgjedhjeve janë në dorën e kësaj mazhorance, ‘epruveta’ elektorale jep të njëjtin reaksion – përçudnim të votës së lirë. Sado të ndryshohen ligjet zgjedhore, si do të kombinohen aleancat zgjedhore, sa do të emancipohet votuesi, si do të monitorohet procesi etj, në finale, me këtë mazhorancë si konstante të pandryshueshme, pritet i njëjti rezultat (njëlloj si ajo rakia e famshme që bëhej me gjithçka sikurse edhe me rrush, ajo e mban pushtetin me gjithçka përveçse me vote). Kjo mazhorancë ja ka ndjerë lezetin prekjes së votës me hir apo pahir, tinëzi apo haptazi, ndaj nuk mund të pajtohet me zgjedhje normale sa kohë humbet privilegje të pamerituara dhe rrezikon hapjen e kutisë së Pandorës. I vetmi test për të mbetet testimi i mëtejshëm i durimit të perëndimit.

Testi historik opozitar

Nëse 2013 është test për opozitën shqiptare, hapi i parë mbetet krijimi i frontit opozitar pa vonesë dhe pa komplekse në mbrojtje të votës së lirë. Shans ky për një mazhorance solide dhe qeverisje efektive reformatore më pas duke patur parasysh ligjin zgjedhor që vështirëson mazhoranca solide në parlament.

Insistimi dhe sensibilizimi opozitar për monitorim kapilar të procesit zgjedhor (njerëzor dhe elektronik) është një nismë që edhe nëse nuk garanton votën e lirë, të paktën dekurajon abuzimin me të dhe krijon premisa për denoncimin e abuzimit eventual sikurse lehtëson reagimin perëndimor apo vë atë në pozitë përballë faktit të kryer.

Test për opozitën është dhe lobimi dhe negocimi efektiv me një zë me perëndimin ndryshe mesazhet perëndimore ekuivoke apo futja e të gjithëve në një thes, lënë terren për telenovelën pafund të abuzimit prej mazhorancës.

Ndonëse nuk ia arriti të provokonte zgjedhje të parakohshme apo krijimin e një qeverie teknike, me ‘epikrizën’ e rënduar të krizës së demokracisë, ato duhet të jenë pjesë e axhendës së frontit të pritshëm opozitar ndryshe 2013 rrezikon të riciklojë një ngërç të ri politik (duke mos lërë mënjanë as protestën civile qytetare të pandërprerë dhe me lidershipin opozitar në krye).

Test ndaj opozitës mbetet edhe integrimi europian. Votimi i ligjeve me 3/5 që qartazi do të përdoren nga mazhoranca si kredo elektorale apo për abuzim eventual, është një domosdoshmëri historike që sa më shpejt aq më mirë jo vetëm në terma të mbështetjes financiare prej Brukselit por dhe shmangien e bumerangut të pengmarrjes të qeverisjes eventuale të saj pas 2013 duke ditur që mazhoranca e sotme për inerci do të konvertohet në një opozitë agresive. Opozita e di që se për çfarëdo që ajo bën apo nuk bën, për sa kohë perëndimi nuk vë pikat mbi ‘i’, mazhoranca do marrë meritat nëse gjërat ecin mirë dhe do i lërë ‘kopilin’ në derë nëse rezulton patate e nxehtë. E bëri për NATO, heqjen e vizave, stadet e integrimit etj dhe do e bëjë sërish. Duke votuar ligjet në fjalë, formalisht opozita i heq çdo alibi mazhorancës ndërkohë që konsolidon precedentin se për çështjen e integrimit vota në bllok nuk vihet më në diskutim. Sepse në finale, me apo pa këto ligje, kjo mazhorancë improvizon me gjithçka tjetër që ka në dorë në kurriz të votës së lirë.

Test për perëndimin

2013 është test për perëndimin sepse është e njëjta mazhorancë që e ka në ADN prekjen e votës dhe që e di se edhe nëse opozita proteston, mund edhe ta përgjakë siç bëri me 21 janar, me perëndimin dëshmitar. Sepse është e njëjta mazhorancë që më 8 maj e tjetërsoi haptazi votën, që ka në dorë gurin dhe arrën dhe me falanga të burgosurish apo gjykatës të kollarisur etj, e çon votën atje ku i intereson, që kontrollon gjithçka duke e paragjykuar që tani fushatën dhe rezultatin zgjedhor etj dhe të gjitha këto me perëndimin dëshmitar.

Ndaj se sa test për mazhorancën (ajo e ka huq abuzimin e votës), se sa test për opozitën (pavarësisht zigzageve bëri çfarë mundi deri sa u gjakos më 21 janar), se sa test për institucionet (eunuke tashmë të mazhorancës), se sa test për shoqërinë (e ka bërë kaq herë të vetën sa në kutinë e votimit aq dhe në protestën civile në rrugë), 2013 mbetet test për perëndimin.

Ai duhet të monitorojë dhe të shprehet që tani për buxhetin që devijohet për qëllime elektorale, përdorimin e administratës dhe shkollave në funksion të mazhorancës, ‘kopsitjet’ qeveritare me qitje të largët (ndryshim mandatesh zonale, emërime, ndryshime ligjore, shpërfillje e pushtetit vendor etj), dyzimin e presidentit partiak, të burgosurit ‘elektronikë’ gjatë zgjedhjeve, listat zgjedhore që ‘freskohen’ etj.

Ndoshta Shqipëria nuk përbën lajm për perëndimin, ndoshta gjeopolitika ka prioritet ndaj demokracisë për një vend të vogël (arsye tjetër madhore për bashkim kombëtar), ndoshta lobimi prej fqinjëve ballkanikë bën të tijin por nëse sot perëndimi bën thirrje për test demokratik, le ta demonstrojë vetë i pari dhe inspirojë kësisoj shoqërinë shqiptare që pret ‘sinjalin’ për ta ndjekur pas.

Le t’i bëjë nder vetvetes duke i vënë metrin demokracisë pirate ‘Made in Albania’ që nuk asgjë të përbashkët me origjinalin perëndimor ndërkohë që dhe e saboton atë sa kohë përdhos votën e lirë, pronën private dhe jetën e dinjitetin e qytetarit. Se sa fatalitet, oguri i zi që kjo mazhorancë përcjell, duhet të ngacmojë sensin realist tashmë të vetë perëndimit me heshtjen jo më opsion përballë një mazhorance që ka një CV problematike dhe konflikt interesi konstant me votën e lirë. Nëse është e ‘shkruar nga perëndimi’ atëherë është koha që ‘lutjet’ të dëgjohen dhe mesazhi i shpresës të përcillet sa më shpejt.

1 komente në “Demokracia pirate ‘Made in Albania’”

  1. albani says:

    Per Sali Berishen nuk ka asnje test. Ai tere jeten e ka kaluar ne teste, duke vrare, duke vjedhur, duke mashtruar, duke shitur dhe tradhetuar atdheun. As per nderkombetaret nuk ka teste, ata e kane treguar veten gjate ketyre viteve te tranzicionit: Jane vrare dhe djegur njerez dhe nderkombetaret kane heshtur, jane perdhunuar dhe terrorizuar qytetaret shqiptare dhe ata kane hestur, jane vjedhur zgjedhjet haptas dhe ata kane heshtur, jane manipuluar zgjedhjet dhe ata kane heshtu. Persa i perket opozites, opozita e ka patur ne dore ceshtjen “Sali Berisha” dhe ka heshtur, ka heshtur me 2009 (kur iu vodhen zgjedhjet), ka heshtur per ngjarjen e Gerdecit, ka heshtur per 21 janarin. Jane tri gjera qe shqetesojne opoziten: 1) E ka zene frika nga Sali Berisha, 2) Z. Rama mund te kete marre ndonje propozim per kryeminister me 2013 (por Saliu do t’i fuse gishtin ne bythe si gjithnje); 3) ne PS ka me shume tradhetare (bashkepunetore te sali Berishes, kolona te pesta, apo Kuaj Troje) se sa vete socialiste.

    Prandaj, mos shpresoni shume tek opozita. Kjo eshte detyre e popullit – permbysja me dhune e tradhetarit dhe antiatdhetarit Sali Berisha.

    Persa kohe do te jete ne Shqiperi Arvizu, Wolfarth dhe Sequi, nuk do te kete ndonje buzeqeshje per popullin shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje