Trajner profesionist nga një lojë kompjuteri

23 Nëntor 2012, 17:41Sport TEMA

Tani të gjithë ata që janë të apasionuar pas lojërave virtuale të menaxhimit të skuadrave të futbollit, mund të ëndërrojnë që të drejtojnë skuadra reale, pasi një student 21 vjeçar ia ka dalë të bindë me sukses drejtuesit e FC Baku në Azerbajxhan për t’i dhënë drejtimin e ekipit.

21 vjeçari Vugar Huseinzade, një ekspert i lojës Football Manager, ka marrë drejtimin e skuadrës azerbajxhanase, duke mundur konkurrencën e një emri të njohur të futbollit botëror, francezit Zhan Pierr Papen.

Djaloshi ka një diplomë për menaxhim biznesi, të marrë në Universitetin e Boston, por drejtuesit e FC Baku nuk e kanë parë atë si prioritet. Ata e kishin punësuar atë fillimisht si zëvendëstrajner pasi ky i fundit i kishte dërguar atyre një listë me arritjet e tij në Football Manager në 10 vitet e fundit, duke i treguar se sa menaxher i shkëlqyer është, të paktën në këtë lojë virtuale administrimi të një klubi futbolli.

Pasi e kanë parë në veprim edhe me futbollistët real, drejtuesit e klubit tashmë kanë vendosur t’i ofrojnë atij rolin e trajnerit të parë të skuadrës, duke shënuar një risi në historinë e futbollit botëror.

Një tentative e njëjtë ishte bërë pak vite më parë në Angli, në vitin 2006, kur 25 vjeçari Xhon Boilou kërkoi të merrte drejtimin e Midëllsbrou duke dërguar një listë me arritjet në këtë lojë kompjuterike, por pa sukses. Përgjigja e klubit ishte shumë ironike: “Raporti i punës që ne kërkojmë është shumë afatshkurtër. Talenti juaj i padiskutueshëm meriton klubet më të mëdha evropiane”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje