Xhani De Biasi do të votojë për Lionel Mesin në garën e “Topit të Artë”, pasi beson se argjentinasi e meriton përsëri këtë trofe, ndonëse “e ka tepruar” duke fituar gjithçka në vitet e fundit.
“Do të votoj Mesin. E di që atij i është mbushur shtëpia me trofe të “Topit të Artë”, por mendoj se e meriton edhe një tjetër”, ishte batuta e trajnerit italian që ka qenë i pranishëm në vendin tonë për një ndeshje miqësore Evropë-Shqipëri të organizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.
De Biasi ka zbuluar edhe se kohët e fundit ka marrë një ofertë shumë të rëndësishme ekonomike, por e ka refuzuar atë, duke preferuar që të qëndronte në drejtimin e kombëtares shqiptare.
“Kohët e fundit kam refuzuar një ofertë shumë joshëse nga një skuadër. Nuk është skuadër italiane, por emrin nuk e them për të respektuar trajnerin që emëroi pasi refuzova unë, sepse ai person është një miku im. Unë nuk jam nga ata që i lënë gjërat përgjysmë. Kam nisur një rrugë me Shqipërinë dhe do të bëj maksimumin për ta çuar këtë ekip aty ku nuk e ka çuar askush më parë”, ishte premtimi i De Biasit.
Trajneri më pas ka bërë të qartë se është shumë më i lumtur me mënyrën se si po shkojnë gjërat në drejtimin e kombëtares, ku mendon se tani ka ide shumë më të qarta rreth lojtarëve që ka në dispozicion dhe aftësive të tyre.
“Mendoj se kemi një skuadër më solide dhe të balancuar. Unë gjeta një skuadër në tranzicion dhe na u desh të bënim kërkime për të afruar lojtarë shqiptarë që luanin jashtë, por edhe duke u dhënë besim atyre të rinjve që kishin pasur pak hapësira. Mendoj se ekipi është i ekuilibruar tashmë, me më shumë alternativa zgjedhjeje dhe me më shumë besim. Unë tani do të doja që t’i riluaja ndeshjet me Zvicrën dhe Islandën, sepse skuadra është më kompakte se atëherë dhe e ka kuptuar edhe më mirë atë çka kërkojmë unë dhe stafi im. Nëse do t’i riluanim ato ndeshje, jam i bindur se rezultati do të ishte krejt ndryshe. E kam thënë edhe herë të tjera se nuk jam nga ata trajnerë që hyjnë në fushën e lojës për t’u kënaqur me një barazim. Unë mund edhe ta humb një ndeshje, por kurrë nuk hyj për barazim”, komentoi trajneri italian në intervistën e tij./lajmeshqip