Tifozët e Realit vërshëllejnë Murinjon

28 Nëntor 2012, 10:59Sport TEMA

Hijet e dyshimit që hedh herë pas here Zhoze Murinjo rreth të ardhmes së tij dhe fakti që quan të ftohte dhe aspak mbështetës tifozët e skuadrës, ka bërë që këta të fundit të fillojnë të tregojnë pakënaqësi ndaj trajnerit portugez.

Në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Alkojano, një pjesë e tifozëve të pranishëm në “Santiago Bernabeu” kanë vërshëllyer kundër tij, sa herë që ndonjë grup tjetër këndonte në kor emrin e trajnerit. Pakënaqësia e tifozëve ka lidhje edhe me faktin që Reali mund ta cilësojë që tani veten larg luftës për titullin kampion, pasi kur janë luajtur vetëm 13 ndeshje në kampionatin spanjoll, ka një diferencë prej 11 pikësh në klasifikim me rivalët e urryer të Barcelonës.

Trajneri portugez nuk u shfaq në konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke preferuar që të nxjerrë para gazetarëve ndihmësin e tij, Aitor Karanka, që ka folur rreth kontestimeve të tifozëve, praktikisht duke i injoruar ato.

“Dëgjohen shumë gjëra nga pankina dhe njerëzit në stadium kanë të drejtën të shprehin mendimet e tyre. Do të ketë gjithmonë njerëz që janë pro dhe kundër, por askush nuk duhet të vërë në diskutim profesionalizmin e Murinjos”, ishte komenti i zëvendësit të portugezit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje