Vajtojca vetëmashtruesish

17 Dhjetor 2012, 20:01Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

Qeveritarët e Kosovës në Prishtinë, dhe jo vetëm këta, por edhe kolegët e tyre në Sarajevë, Podgoricë, Beograd, Shkup, Tiranë etj., nuk e fshehin “zhgënjimin” e tyre me vendimin ose thënë edhe më mirë qëndrimin e Brukselit që të mos lëvizet për as edhe një hap para, sa i përket procesit të integrimeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.

Ajo që bie në sy është: e thonë “Brukseli” dhe mendojnë Berlinin. Sepse ishte kancelarja Angela Merkel ajo që jo vetëm na e bëri të qartë neve, por edhe “shefave” të BE-së, Van Rompuy e Barroso, që s’do të ketë as reforma të shpejta për vetë ristrukturimin e BE-së as gjasë për fillime negociatash me aspirantët për anëtarësim në BE. Mediat evropiane në njërën anë dhe ato gjermane në anën tjetër e diagnostikuan shumë qartë Samitin e fundit të BE-së: fitore e bindshme e “Kampiones vjeshtore”- Angela Merkel.

Nuk kemi pse çuditemi: është e qartë se ai që mban qesen e parave në gji- edhe vendos si e kur do të vallëzohet. Dhe në këtë mes nuk kemi si të mos e pranojmë që Merkel jo vetëm se shënoi fitore por me shtyerjen e sërishme të saj, duke e kontrolluar rreptësisht Athinën në politikat fiskale, arriti që sidomos gjermanët, votuesit e saj, t’i bindë që pritja në politikë di edhe të shpërblehet. Anketat thonë: tetë nga dhjetë gjermanë e përgëzojnë atë për këtë politikë.

Dhe këtu vijmë tek pika kryesore: Merkel do që në Samitin e ardhshëm të Qershorit dhe verës të “debatojë” dhe pranojë plane e ide për reformat, por aprovimi i tyre mund të bëhet vetëm tash motmot. Si konkluzion, me këtë politikë, Merkel tash për tash e ka të siguruar rizgjedhjen për kancelare edhe vitin që vjen në mandatin e saj të tretë.

Po çfarë të bëjmë ne? Ballkanasit perëndimorë, siç na thonë? T’u bashkangjitemi politikanëve në ritet vetëmashtruese prej vajtojcash? Apo më mirë të kalojmë menjëherë tek detektimi i manipulimit dhe mashtrimit që provojnë të na e bëjnë këta “tanët” kur shtiren për “zhgënjimet” e “dëshpërimet” me BE-në?!

Që të jemi të sinqertë, secili shef shteti nga këto vende bashkë me vartësit e tyre e ka patur të qartë që s’do të ngjajë asgjë, ama bash asgjë sa i përket përafrimit me BE-në. Dhe kjo nuk ngjet për shkakun pse BE-ja është “lodhur” nga zgjerimi, sa për atë që përvojat e këqia me vende tjera si Bullgaria e Rumania, frika nga fenomenet “Greqi” apo “Sanader” kanë mbushur “mend” edhe Brukselin edhe Berlinin. Poqese shohim me radhë atëherë del që Tiranës do t’i duhet ta bëjë atë që deri më tash kurrë nuk arriti: zgjedhje të lira parlamentare, pa hajni e harbutëri (më pas).

Podgorica shihet me skepsë pas (ri)kthimit të Gjukanoviqit. Sarajeva vazhdon të kapërthuret në Kushtetutën e Daytonit dhe depresion. Shkupi s’është as temë sepse grekët e vetëplagosur kanë halle tjera. Dhe për fund mbeten Beogradi dhe Prishtina të cilat naivisht, sidomos kjo e dyta e cila edhe ashtu është e fundit në çdo drejtim, shpresonin që “shpërblimi” i dialogut do të ishte një datë për Serbinë dhe hapje negociatash për MSA për Kosovën.

Sado që dikujt s’do t’i pëlqejë, del që Beogradi tash për tashti qëndron më së miri në këtë proces. Bonusi i Daçiqit me implementimin e marrëveshjes për kufi me Kosovën dhe sidomos burgosja e njeriut më të pasur në Ballkan, Mishkoviqit, ka bërë të pranohet që te fqinjët serbë është filluar të mendohet seriozisht që kthim prapa nuk do të ketë. Këtë përparim të dukshëm s’po e shpikim ne – sepse e thonë edhe personalitete si Vesna Peshiqi apo “The Economist”. Nëse Beogradi do ta djallosë sot, të hënën, të tërën me platformën për Kosovën që do ta prezantojë? Nuk është për t’u besuar. Apo siç e thotë Daçiq: kur është dashur kam luftuar tashti duhet paqe dhe Europë.

Mbetemi ne. Me këtë qeverisje, gjeografia e së cilës s’e kalon “Nënë Terezën” për paaftësi e mangësi. Kurse gama e aferave s’na e falë as edhe një 48 orësh pa to – duke na katapultuar nga Afrika (për korrupsion) përgjatë Skandinavisë (me ikanakë nga drejtësia) dhe për t’u kthyer sërish në këtë vend, i cili në prag të 5-vjetorit të shtetësisë duket që s’e ka të qartë që më … kështu nuk shkon!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje