“Ylberi” politik i LSI - sё

17 Dhjetor 2012, 18:48Blog TEMA
“Ylberi” politik i LSI - sё

Nga Hamdi Jupe

Me deklarimet publike të kohëve të fundit, LSI po shfaq gjithnjë e më tepër dyzimin e saj midis të qenit në mazhorancë dhe atij të qenit në opozitë. Zyrtarisht dhe praktikisht ajo është pjesëtare e ekipit qeveritar, që ka gati katër vjet në qeverisje, ku zotëron 20 përqind të pushtetit në të gjithë piramidën e tij. Nga ana tjetër, kohët  e fundit është shtuar retorika  kritike ndaj qeverisë ku ajo vazhdon të bëjë  pjesë, për cështje të ndryshme të qeverisjes. Kritikat u forcuan  posacërisht në diskutimin e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm, lidhur me ndarjen e fondeve për prefekturën e Beratit, por edhe për cështje të ndarjes së mandateve të deputetëve për këtë zonë në zgjedhjet e reja etj.

Ky pozicion i dyzuar midis pushtetit dhe opozitës e vë në vështirësi reale këtë parti politike në prag të zgjedhjeve të reja për disa arsye. Nga njera anë ajo e pëlqen qëndrimin në qeveri edhe më tej, deri në zgjedhje. Deri tani nuk ka shenja se ajo po mendon largimin e saj nga qeveria. Zgjedhjet e reja po vijnë dhe qëndrimi në qeveri mund t’i japë disa shanse më shumë (sipas saj) për të fituar vota në zgjedhje. LSI e ka mbështetur suksesin e saj elektoral në punësimin e militantëve të vet dhe, deri diku, edhe të militantëve të tjerë të majtë, kontigjent i dikurshëm i Partisë Socialiste, në atë pjesë jo të vogël të pushtetit që i është dhënë.

Nga ana  tjetër, në zgjedhje do të bëhen edhe bilancet e sukseseve dhe të dështimeve të qeverisë, për të cilat do të kërkohet të mbahet përgjegjësi politike nga partitë që kanë qeverisur vendin këto katër vjet. Këtu pritet që ato të mos jenë pozitive në të gjitha aspektet e qeverisjes, për arsye që tashmë dihen.

Kjo do të shoqërohet me kosto jo të vogla elektorale ndaj partive që kanë qeverisur, ku bën pjesë edhe LSI. Situata e pritshme nuk i pëlqen kësaj partie, sepse kështu mund të ndëshkohet me votë popullore edhe ajo, si aleate e PD-së në qeverisje. Prandaj ajo ka filluar të luajë kohët e fundit në traun e ekuilibrit delikat midis mazhorancës dhe opozitës.

LSI hyri në qeveri me PD – në me pretendimin kryesor për të kontribuar në fushën e integrimit të vendit. Kjo u bë e qartë në deklaratën e përbashkët midis saj dhe PD-së që në fillimet e qeverisë. Kjo ishte edhe alibia e saj për bashkimin me PD- në si forcë e djathtë politike, ndërkohë që LSI kishte notuar deri atëherë në ujërat e elektoratit të majtë. Por lajmet e fundit negative për refuzimin e statusit të vendit kandidat nga ana e BE-së tregojnë se ky objektiv parësor i LSI-së nuk u realizua. Shqipëria mbeti për herë të tretë në klasë lidhur me integrimin.  Kuptohet se fajtote për këtë nuk është vetëm LSI, që drejton Ministrinë e Jashtme. Por nga ana tjetër, ajo nuk mund t’i shpëtojë pjesës së saj të përgjegjësisë në këtë rast.

LSI nuk bëri sa duhet për të mënjanuar ngërcet  politike të krijuara në vend në momentet delikate të integrimit, ndërkohë që e kishte një mundësi të tillë. Sic u tha nga ambasadorja gjermane në vendin tonë, refuzimi i statusit të vendit kandidat nuk erdhi vetëm nga mosmiratmi i tre ligjeve. Ishin një varg  cështjesh të tjera të pazgjidhura ende që e penalizuan për herë të tretë Shqipërinë.

Si parti që kishte në duar kycet e mazhorancës, LSI nuk bëri sa duhet për t’i shmangur konfliktet e përheshme politike që gërryen jetën e vendit gjatë këtyre katër vjetëve. Ajo nuk ndikoi në uljen  e tensioneve dhe në normalizimin e marrëdhënive pozitë – opozitë. Përkundrazi, dukej sikur ajo po ngrohte duart në zjarrin e tensioneve gjithnjë të ngritura midis dy forcave kryesore politike, zjarr që po digjte shanset e vendit për integrim, kartën kryesore të LSI-së në qeverisje. Kështu, me dështimin në fushën e integrimit, LSI-së i iku nga duart kjo kartë e rëndësishme elektorale për zgjedhjet e reja.

Sa për kontributin e saj në dikasteret e tjera të qeverisë, për to është më mirë të mos flitet fare. Dikasteri i ekonomisë, i drejtuar prej saj, u bë legjendë e përgjimeve të aferave tangentale nga vetë eksponentët kryesorë të kësaj partie. Ndërsa sektori i shëndetësisë, që drejtohet gjithashtu nga LSI, është sektori më i sëmurë me më shumë skandale, deri në humbje jetësh njerëzore për faj të mjekëve të pandëshkuar, të vendit e të huaj. Për këto arsye, nuk pritet që LSI të marrë lëvdata prej votuesve për mënyrën se si i ka menaxhuar këta dy sektorë të rëndësishëm gjatë këtyre katër vjetëve.

LSI – së i pëlqen tani të marrë pozicionin e kritikuesit të qeverisë, por pa e hequr njerën dorë nga tava e revanisë që ofron qeveria ku ka bërë pjesë gjatë katër vjetëve. Kjo e vë atë në një pozicion të vështirë para zgjedhjeve, ndërkohë që forcat e tjera politike, të hershme dhe të reja, po i qartësojnë dhe po i forcojnë  cdo ditë e më shumë thekset e tyre opozitare ndaj qeverisë.

LSI e shikon veten të rrezikuar në zgjedhjet e ardhshme, edhe për shkaqe të tjera shtesë. Ajo e di se ligji elektoral është po ai që ka qenë edhe para katër vjetësh, gjë që i penalizon partitë e vogla, sidomos kur ato hyjnë të vetme në zgjedhje. Edhe këtu LSI nuk bëri përpjekje për ta ndryshuar ligjin, sic bëri deri në vetëmohim katër vjetë më parë. Një dëshirë e LSI-së për një kualicion të mundshëm zgjedhor me PDIU – në, që do t’i rriste shanset për t’u rikonfirmuar në mënyrë të sukseshme në zgjedhjet  e reja, duket se mbeti vetëm një dëshirë. Ajo nuk funksionoi në praktikë, për arsye që merren me mend, duke rrezikuar ta lerë LSI – në të vetme në zgjedhje.

Sidoqoftë, nuk është ende vonë për të shpëtuar dicka nga nderi edhe ashtu i dëmtuar i saj si pjesëtare e kësaj qeverie. Janë gjashtë muaj kohë deri në zgjedhje dhe, po ashtu, janë mekanizmat e nevojshme politike për të bërë dicka me vlerë, gjithnjë në fushën e integrimit, ku mendon se po luan fort dhe do të vazhdojë të luajë LSI edhe në të ardhmen. Në qëndrimin e fundit të BE-së për Shqipërinë, është shtuar si kusht realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershorin e ardhshëm.

Rruga është ajo e largimit nga qeveria, gjë që do të hapte mundësinë e krijimit të një qeverie teknike deri në zgjedhje, pa Berishën dhe pa asnjë nga krerët e partive politike, që do të conte vendin në zgjedhje te reja të qershorit, me më shumë shanse që ato të jenë vërtetë të lira dhe të ndershme. Ky do të ishte kontribut real dhe i prekshëm i LSI-së në procesin e integrimit të vendit, menjëherë pas zgjedhjeve të reja. Kjo do t’i jepte asaj mundësinë të shpëtonte cfarë mund të shpëtohej nga kredibiliteti i rrezikur gjatë katër vjetëve në qeverisje. Barka që fut ujë duhet braktisur sa s’është vonë, për të mos përfunduar bashkë me të në fund të detit.

Vendet tona fqinje, Italia dhe Greqia, e ndoqën këtë rrugë për përballimin e krizës së tyre ekonomike. Kjo nuk është pra një rrugë e panjohur, ndërkohë që vendi ynë nuk është më pak në krizë sesa këto vende. Në një situatë normale, këtë veprim do të duhet ta kishte ndërmarrë vetë kryeminstri i vendit, sic ka ndodhur ne vendet e lartpërmendura. Po kur nuk e bën ky, duhet ta bëjnë të tjerët.

Largimi i LSI –së  nga qeveria nuk do t’ia prekte bastionet e militantëve të saj në administratën shtetrore, sepse qeveria teknike nuk do të kishte motive për të bërë raprezalje politike tek punonjësit e punësuar nga kjo parti, në këtë rast të largimit të saj nga qeveria qendrore.

A do të mund ta bënte dot LSI një kapërcim të tillë të “ylberit” politik, për t’u gdhirë një ditë të afërt në opozitë? Kjo ende nuk dihet qartë.  Ajo e kapërceu atë ylber katër vjet më parë, duke bashkuar ngjyrat e saj rozë, me ngjyrat blu të PD-së. Ndoshta shtimi i kritikave të kohëve të fundit ndaj qeverisë është një paralajmërim për një qëndrim të ri të saj. Por gjithnjë duhet t’i falemi vetëm fjalës “ndoshta”, përsa kohë “ylberi” politik i LSI-së mbetet vetëm një ylber në horizont.

5 komente në ““Ylberi” politik i LSI – sё”

  1. Horri i Bulevardit says:

    Qenka akoma gjalle Hamdi Jupe, kolegu Fahri Balliut.

  2. katarakti says:

    LSI-ja do te mbese ne qeveri deri diten e fundit. Por here pas here do te hedhe vickla, per tu dukur si e “pavarur”. Loja eshte qe LSI-ja te marre perseri votat e te pakenaqurve nga Rama dhe t’i bashkoje ato me Berishen. Por per kete Meta duhet te behet me i besueshem ndaj elektoratit sylesh. Prandaj deputete te PD-se do ta bejne “lanet” LSI-ne keto muaj. Do ta shpallin te padeshiruar, te majte etj etj. Edhe Meta vete do te “egersohet” me Berishen, siç beri kur “mbrojti” Enver Hoxhen. Komedi, komedi.

  3. L.Itali says:

    Nje analizë cilësore dhe plot me vizion për ata që duan të kuptojnë!Mjerisht,Meta nuk ka qënë dhe nuk është në këto lartësi demokratike!Veshtirë të kuptojë kohën e tij plotë mjerim intelektual dhe vizion demokratik!Jupe,nje analist teper cilësor por qe duhet te shkruajë edhe me shpesh,pse jo,perditshmërisht!

  4. Gjembi says:

    Analize perfekte dhe e sakte.

  5. Gjembi says:

    Analize perfekte dhe e sakte.LSIja te mprefi dhembet kete radhe nga votat e te majteve,sigurisht qe nga ata qe ka punesuar do mari vota,por Populli i ka syte ne balle e do ti ndeshkoje keq kete radhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje