Gabriel Omar Batistuta, nga sot e tutje do të jetë shumë i kujdesshëm për çdo lloj letre që firmos, pasi për pak ka qenë duke e pësuar dhe duke humbur një shumë të konsiderueshme parash.
Ish-sulmuesi i Argjentinës ka qenë viktimë e një mashtrimi të mirëfilltë financiar, që ka lindur nga një autograf i hedhur në një letër të bardhë, e cila më pas është “konvertuar” në një çek fals prej 320 mijë pesës (rreth 65 mijë dollarë). Batistuta ka arritur të evitojë pagesën e këtyre parave, por pas shumë muajsh në seanca gjyqësore, të cilat janë mbyllur me dënimin e mashtruesve.
Të dyshuarit janë dënuar për “mashtrim në bashkëpunim në tentativë, me përdorimin e një dokumenti privat fals”, sipas asaj që kanë raportuar agjencitë e lajmeve në Argjentinë. “Batigol” ka evituar pagesën e këtij çeku, ndonëse ka bërë një luftë të gjatë ligjore për të shpëtuar nga ky mashtrim.
“Duke marrë shkas nga një autograf që kam dhënë në një fletë të bardhë, është ndërtuar një çek ku unë figuroj si debitor në shumën e 320 mijë pesos. Në dokumentin fals ka mbetur firma ime si debitor, ndërsa më pas letrës i janë bashkangjitur emri, dokumenti i identitetit dhe adresa e shtëpisë”, shpjegoi Batistuta mënyrën se si është ideuar ky mashtrim financiar.