Reagimet për shortin e Ligës së Kampioneve

20 Dhjetor 2012, 20:23Sport TEMA

Pas hedhjes së shortit të Ligës së Kampioneve, që ka dhuruar sfida spektakolare dhe shumë të forta, të gjithë janë përpjekur të tregojnë kujdes në deklaratat e tyre, pa shmangur besimin se ekipet e tyre mund të ecin përpara. Më poshtë janë reagimet e drejtuesve të disa prej ekipeve kryesore në Champions:

Real Madrid- Butragenjo: “Jam duke menduar se tifozët do të jenë shumë të lumtur me këtë përplasje, sepse është shumë tërheqëse, një përvojë emocionuese për të gjithë. Mançester Junajtid nuk ka vetëm një ekip të madh, por është një klub dhe shoqëri e madhe, një prej klubeve më prestigjioze në botë. Ne e dimë se do të jetë e vështirë, por edhe emocionuese njëherësh. Junajtid ka një ekip shumë të fortë dhe një trajner të madh. Aleks Ferguson ka qenë atje për 25 vjet, ai është një menaxher fantastik, e di se si të marrë maksimumin e lojtarëve të tij, kështu që e dimë se do të jetë shumë e vështirë. Mançester Junajtid ka lojtarë të nivelit të lartë, por ne jemi Real Madridi dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Unë jam i bindur në shanset tona për kualifikim. Jam i sigurt se në “Old Traford” do të jetë një ndeshje e veçantë për Kristiano Ronaldon. Ronaldo është një profesionist i madh, kështu që jam i sigurt se do të bëjë më të mirë të tij për ta ndihmuar Real Madridin për t’u kualifikuar. Di se Murinjo dhe Ferguson kanë një marrëdhënie shumë të mirë. Hoze është një trajner fantastik, është nën kontratë me Real Madridin dhe ne jemi shumë të lumtur me të. Shpresoj se do ta udhëheqë ekipin drejt sukseseve dhe do t’i bëjë tifozët tanë të ndihen krenar, çka është edhe objektivi kryesor “.

PSG-Leonardo: “Fatmirësisht evituam përplasjen me Real Madridin, që ishte rreziku më i madh. Edhe Valencia është një fushë e vështirë, ka një audiencë të ngrohtë. Shpresojmë që të ndjehemi mirë kur të luajmë me ta. Me të vërtetë besoj se kemi një mundësi të mirë për të ecur përpara. Eshtë një moment domethënës, sepse PSG-ja ka 17 vjet që nuk arrin në këtë raund të Ligës së Kampioneve. Kundërshtarët duan të na shmangin, kjo është diçka e mire. Kur e ndjen se kundërshtarët kanë respekt për ty, për klubin që përfaqëson, është bukur.”

Bajern Mynih- Karl-Heinz Rumenige: “Ne e dimë se Arsenali ka një skuadër shumë të mire. Dikush mund ta konsiderojë një short të mirë, por unë dua të nëvnizoj faktin se është shumë e vështirë për të luajtur kundër Arsenalit. Nuk do të jetë e lehtë për ne, ju siguroj. Duhet të përpiqemi për të marrë një rezultat të mirë në Londër, ku të shënojmë edhe gol, pastaj t’i përmbyllim llogaritë e kualifikimit në kthim.”

Borusia Dortmund- Hans-Joachum Watzke: “Shakhtari nuk ishte kundërshtari ynë i preferuar. Ky kundërshtar përbën një detyrë të vështirë, por ne do të vijojmë të luajmë siç bëmë në ndeshjet e fazës së grupeve. Mund të kishim një short më të mirë, edhe pse kundërshtarët në këtë raund janë përgjithësisht të vështirë.”

Sëlltik- Neil Lenon: “Do të jetë një çift i bukur. Juventusi është një nga ekipet më të mëdha e më tradicionale evropiane, ndaj sa i takon kualifikimit do të jetë e vështirë. Por, duke ditur se mund të kishim pasur përballë edhe ekipe të tjera po aq të vështira, duhet të shikojmë përpara. Do të ndeshemi dy herë me Juventusin, ku për një gjë jam i sigurt: mbështetësit tanë do të jenë të shumtë.”

Juventus- Pavel Nedved: “Teknikisht, kemi diçka më shumë, por mund të kishte më keq për ne. Sëlltiku, megjithatë, është një kundërshtar që meriton gjithë respektin. Skocezët ishin të vetmit që e mundën Barcelonën dhe, si të gjithë të tjerët, ka merita që ka mbërritur deri këtu. E di mirë mjedisin e Gllasgout. Në qoftë se nuk jemi të kujdesshëm atje, do të kalojmë një mbrëmje shumë të vështirë. Është e pamundur të flas rreth përqindjeve të shanseve të të dyja skuadrave për kualifikim, por ne kemi një shans të mire se do ta luajmë kthimin në fushën tonë. Kemi për të luajtur në të njëjtin nivel në aspektin e intensitetit, teknikisht kemi diçka më shumë, me qëllim që të kalojmë në cerekfinale. E rëndësishme është për të marrë një rezultat të mirë në Gllasgou, sepse atëherë do të kemi avantazhin e të luajturit në shtëpi, në kthim. ”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje