Beshiktashi ka vendosur që të ndërpresë kontratën që e lidh me futbollistin portugez Rikardo Kuaresma, vendim që u mor pas një takimi të mbajtur me përfaqësuesit e lojtarit të mërkurën në darkë.
Sipas asaj që u bë e ditur për mediat, ndërprerja e kontratës nuk ka qenë e njëanshme, duke bërë që falë kësaj marrëveshje, Kuaresma të cilësohet një lojtar i lirë për t’u transferuar në cilëndo skuadër tjetër gjatë merkatos së janarit.
Gjithsesi, klubi turk duket se do t’i paguajë portugezit edhe katër muaj të tjerë nga rroga, gjysma e shumës që i detyrohet për kontratën që përfundon në qershor.
Kuaresma ka patur probleme të vazhdueshme me klubin turk që e mori nga Inter në vitin 2010, duke i dhënë mundësinë të rifitonte formën e tij më të mirë. Por lojtari portugez vazhdoi të zhgënjente edhe në Turqi dhe u bë protagonist i përplasjeve të vazhdueshme edhe me shokët e skuadrës. Në tetor, ai kërcënoi klubin se do ta hidhte në gjyq, ndërsa tha para mediave se Beshiktash nuk donte ta mbante më, ndaj po ia vështirësonte jetën në Turqi./lajmeshqip