Shkrimi, tingulli, figura dhe të dhënat, janë sot gjithkund dhe përshkojnë mbarë botën në më pak se një sekondë. Secili nga ne shikon gjithçka, di gjithçka dhe informohet për botën. Kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Dhe një ndryshim i tillë nuk ka veçse pak ditë që u shfaq në media të ndryshme, si një meteor i shkëputur nga qielli; Kryeministri shqiptar ka hapur një profilin e tij në rrjetin e famshëm Facebook.
Nuk mund të mos habitesh për një lajm të tillë, për më tepër duke njohur modelin e komunikimit që kanë rrjetet sociale. Më pas fillon e mendon se mos Kryeministri vërtetë ka vendosur të ndryshojë shumë gjëra në mentalitetin e tij. Në mendje po filloja të ngrija shumë pyetje…! Pse ai ka zgjedhur të hapë një profil në një media demokratike, individuale dhe për më tepër ku komunikimi është simetrik? (Pra, kundrejt një mesazhi të caktuar publiku mund të reagojë mjaft lehtë). Vërtetë ai ka në mendje të krijojë një komunikim të hapur, pa censurë, pa hipokrizi, pa frikë? Thua vërtetë të krijojë një dialog real me bashkëkombësit e tij? Fundja po mendoja, pse mos të ndodhë, ai është edhe përdorues i iPad-it. Ku do që është, me kë të jetë, ai ka mjetin për të realizuar qëllimin. Duke shpresuar që të mos harrojë qëllimin dhe të merret me mjetin.
Mediat nuk mjaftoheshin me kaq. Por raportonin për një numër rekord fansash brenda pak ditësh, madje gazetarët kishin përmendur edhe miqtë e famshëm të kryeministrit, si Papa Benedikti i XVI-të dhe deri tek politikanë të ndryshëm të shumë vendeve.
Fshati global është vërtet një realitet, por ai nuk i pakëson as pabarazitë, as tiraninë, as dhunën, as gënjeshtrat. Njerëzit vrasin dhe gënjejnë hapur, në mes të ditës, ashtu si kundër bënin deri dje, në terr në fshehtësi. Intoleranca dhe dëshira për pushtet rriten pa vështirësi nën hijen e satelitëve dhe rrjeteve.
Me siguri Kryeministri i di të gjitha këto dhe jo më kot ka zgjedhur rrjetin social. Siç shihet, por edhe mund të lexohet, përveçse ai shpreh dëshirën për të komunikuar lirshëm pa pengesa, troç ashtu si qytetarët e ndjejnë, pa komplekse dhe madje në anonimitet të plotë, për arsye se kjo media e lejon një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, me këtë lehtësi komunikimi shfaqet gjithashtu një farë aftësie inteligjence dhe veprimi. Të dish të përdorësh këto teknika, për miliona individë, është shenjë e një emancipimi dhe një barazie më të madhe shoqërore: unë mundem, di ta bëj, unë jam zot (pjesërisht) i marrëdhënieve të mia dhe i lidhjes me botën. Ky zotërim dhe ky përdorim janë vlerësuar për më tepër tek ata që shpesh lidhen me përshtypjen se kanë ngelur shumë mbrapa zhvillimit shoqëror.
Komunikimi, pra, është një e drejtë për cilindo, një lloj shërbimi publik i jetës, me dy dimensione plotësuese. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Të komunikosh do të thotë së pari të shprehesh “kam diçka për të thënë”. Të gjithë kanë diçka për të thënë dhe të drejtën për t`u shprehur. Por, të shprehesh nuk mjafton për të garantuar komunikimin sepse kjo le të paprekur kushtin e komunikimit: të dish nëse tjetri dëgjon dhe nëse është i interesuar për atë që i thua.
Por le t`i shmangemi faktit të hapjes së një adrese në Facebook.
Me siguri ju ende nuk e dini dhe për më tepër ende nuk ja u kanë thënë se rrjetet sociale përsa i përkasin modeleve të komunikimit janë të lidhura, apo më mirë të themi, burojnë nga një filozofi shumë e vjetër e protestantizmit.
Krejt ndryshe nga mediat klasike që kontrollohen nga pushteti dhe interesat politike të drejtuesve të medias. Ndërsa rrjetet sociale nuk censurohen apo të kontrollohen nga drejtues, ato janë pjesë e një individualizmi njerëzor që kërkon të shprehet pa frikën e censurës, pa ndrojtjen e deformimit të mesazhit, pa autoritarizëm dhe kontroll të ideve.
Mediat sociale, në thelb përfaqësojnë, konceptin e lirisë. Eshtë shumë e vështirë të manipulosh, të dënosh dhe për më tepër të kontrollosh një rrjet të tillë. Po aq e vështirë është të fshehësh realitetin dhe zemërimin, skamjen, mungesën e drejtësisë, grabitjen e mandateve, korrupsionin dhe shumë e shumë probleme të tilla që shqetësojnë qytetarin shqiptar përgjatë mandateve tuaja qeverisëse.
Dhe jam po aq i sigurt se kjo faqe do të jetë e mbushur me foto dhe data takimesh sesa një komunikim i lirë, pa ndrojë dhe me guximin për t`u përballur. Kjo është media e rinisë e cila e ka shumë të vështirë të bashkohet, me mentalitetin tuaj, se përndryshe ajo fare mirë do të pranonte, shkatërrimin e universiteteve, vrasjen e dhjetëra të pafajshmëve (Gërdeci), korrupsionin, varfërinë, krimin. Ju ende nuk e dini se me korrupsionin e qeverisë që ju udhëhiqni, në Facebook janë krijuar edhe shumë shprehje “frazeologjike”: “na je bërë gërdec fare”, “ka rënë tregu i diplomave”. Kështu më mirë do të rekomandoja që iPad-in tuaj ta përdornit si një lodër të mirë, se me këtë punën e FB-së nuk i ke punët mirë.
Ndoshta administratori i faqes tuaj, ende nuk e ka mësuar se rrjetet sociale kanë një model të caktuar komunikimi të ngjashëm me idetë liberale që ishin frymëzuar nga Iluministët, XH.Loku etj. Me të drejtat natyrore, ndarjen e pushteteve dhe konstitucionalizmin. Që për hir të vërtetës sot, në Shqipërinë tone, ende është vështirë të përcaktojmë një liri të tyre. Pikërisht ashtu si shekuj më parë liberalizmi ju kundërvu mbretërive absolute.
Dhe po ashtu si, në shek XVI, Martin Luther dhe Jean Calvin realizuan Reformën Protestante. Me pakënaqësinë kundrejt Kishës që mund të gjendej në të gjitha shtresat e shoqërisë europiane. Ku papati kishte humbur shumë nga ndikimi shpirtnor i tij për shkak të tendencës në rritje drejt shekullarizimit; papët dhe bishopët po vepronin më shumë si mbretër dhe princër sesa si drejtues shpirtërorë. Papët blinin dhe shisnin poste të larta, gjithashtu shisnin edhe indulgjenca. Të gjitha këto çuan në pasurimin e tyre dhe abuzime.
Me pak fjalë protestantizmi lindi si një lëvizje rebeluese ndaj praktikave të kishës së asaj kohe. M Luther bëri përkthimin e Biblës, realizoi një praktikë tjetër. Fjala e Zotit, nuk ka nevojë për dërgues. Pra ndryshe nga modeli klasik ku prifti dërgon fjalën e zotit tek pjesëtarët e kishës. Protestantët kërkonin që të ndiheshin vetë me shkrimin e shenjtë. Hiqnin konceptin e autoritarizmit dhe krijonin një sistem individual të të menduarit në lidhje me Zotin. (Ki kujdes, rrjetet sociale nuk mund të përfaqësojnë psikologjinë tuaj qytetare dhe për më tepër individuale, Facebook-u nuk është media e Sandrit!)
Andaj mund të themi se nga shtretërit kulturore të praktikave fetare kanë dalë shumë modele, si nga ato politike, kulturore, urbanistike dhe së fundi edhe ato mediatike.
Po ta krahasojmë këtë model komunikimi me dy llojet e mediave, atë klasike me atë të rrjeteve sociale, vihet re mjaft qartë koncepti i lirisë dhe heqja e monopolit të informacionit. E vërteta nuk ka nevojë më të shprehet nëpërmjet gazetarit. Por lajmi mund të raportohet nga cilido person që gjendet pranë një ngjarje, çka e raporton pa u druajtur një pushteti të caktuar, përveçse atij botëkuptimi dhe reference të caktuar kulturore që ka përdoruesi i saj.
Në rrjetet sociale është prezent edhe një tipar tjetër, që besoj se Kryeministrit nuk mund t`i pëlqejë. Vdekja e autorit! Më pëlqen shpesh të perifrazoj një thënie të famshme në lidhje me këtë temë të shkrimtarit francez Balzak: “Askush nuk e thotë: burimi, zëri i saj nuk është vendi i vërtetë i shkrimit, është leximi”. Njësia e tekstit që ju do shkruani në faqen tuaj (si historia e borës kur ju ishit fëmijë) nuk qëndron në origjinën e tij, por në destinimin e tij, por ky destinim nuk mund të jetë më personal: lexuesi është njeri pa histori, pa biografi, pa psikologji; ai është vetëm njai dikush që mban të bashkuar në një fushë të gjitha gjurmët prej të cilave përbëhet e shkruara.
Së fundi, më duhet të them, se ju keni zgjedhur një kanal të gabuar komunikimi. Për arsye se rrjetet sociale nuk u frymëzuan nga ideja e konformitetit me gjërat e gabuara, por ato lindën si nevojë e solidaritetit individual, e bashkimit kundra tiranisë, manipulimit dhe për më tepër nevojës për të komunikuar me ata persona që ndajnë ide dhe mendime të ndryshme. Fundja komunikimi është ai që qëndron në thelb të çdo natyre njerëzore dhe shoqërie në të gjithë botën.
ja dhe e verteta e krijimit te facebook:
http://www.youtube.com/watch?v=R2McSeTDISk