Sulmuesi i Totenhem, Emanuel Adebajor, ka treguar se do të refuzojë të luajë për Togon në Kupën e Afrikës nëse Federata e vendit të tij nuk bën maksimumin për të ruajtur lojtarët. Ekipi kombëtar i Togos pësoi një sulm të tmerrshëm në Angola në vitin 2010, ku mbeten të vrarë tre persona, pasi autobusi me të cilin udhëtonte kombëtarja u qëllua me armë zjarri nga vendasit.
Adebajor ka bërë të qartë se nuk dëshiron të përjetojë më tragjedi të tilla dhe ka insistuar se nuk është çështje parash, pasi kohët e fundit ka qenë ai vetë që ka paguar nga xhepi i tij për sigurinë e kombëtares.
“Dëgjoj njerëz që thonë se nuk dua të shkoj në Kupën e Kombeve për shkak të bonuseve që nuk na janë dhënë. Unë nuk kam nevojë për premio nga Togo, pasi është një shifër e vogël, rreth 1 mijë paund për ndeshje. Nuk do të refuzoja të luaja për vendin tim vetëm për para”, tha ai për “The Sun”. “Unë shpesh i kam paguar premio lojtarëve të tjerë nga paratë e mia. Por këtu bëhet fjalë për organizimin, unë nuk dua të rrezikoj më jetën time”.
“Unë isha në autobus në Angola kur njerëzit vdiqën para syve të mi, i mbaja në duar ndërsa jepnin shpirt. Por tani, as qeveria nuk dëshiron të paguajë për trajtimin e atyre që shpëtuan. Kjo nuk është e drejtë, është një situatë e tmerrshme”, tha sulmuesi.
28 vjeçari ka kujtuar momentet pas atij sulmi, kur iu tha se kishte qenë ai një nga objektivat e personave që kishin qëlluar me armë autobusin e kombëtares së Togos.
“Më duhej të dilja nga autobusi i kombëtares i veshur me këmishë anti-plumb dhe kokore anti-plumb. Kishte njerëz që më donin të vdekur, më thanë se unë isha objektivi i sulmit. U tërhoqa nga kombëtarja por njerëzit më kërkuan të kthehesha ndaj e bëra një gjë të tillë. Jam i lumtur që jemi kualifikuar në këtë aktivitet, por nuk kam ndër mend të rrezikoj jetën”, deklaroi Adebajor.