Ferguson: Ronaldo është i mirëpritur në Mançester

22 Dhjetor 2012, 13:00Sport TEMA

Sër Aleks Ferguson ka hedhur poshtë të gjitha zërat që e vlerësonin Kristiano Ronaldon si të pabesë ndaj Mançester Junajtid, duke i premtuar portugezit një pritje të ngrohtë në “Old Traford” kur ai ta vizitojë me Real Madrid në turin tjetër të Ligës së Kampioneve.

Ndonëse portugezi nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të kaluar te Real Madrid nga radhët e klubit anglez në vitin 2009, trajneri skocez beson se tifozët duhet ta falënderojnë që ka qëndruar për aq shumë vite te “djajtë e kuq”.

“Nuk ishte pabesi, pasi unë arrita ta mbaja një vit më shumë, ai dëshironte të largohej që më parë. Ai e respektoi dëshirën time dhe kjo ishte diçka fantastike për ne. Ai u largua me bekimin tonë”.

“Ai ëndërronte gjithmonë të shkonte te Real Madrid në karrierën e tij dhe ne e ndihmuam në atë rrugë. Duhet ta kujtoni që ai erdhi në moshën 17 vjeçare dhe e zhvilloi veten duke u kthyer në një futbollist të madh. Jemi krenarë për rolin që kemi luajtur në karrierën e tij. Ai është përmirësuar më shumë si lojtar dhe shifrat e tij te Real Madrid janë të pabesueshme. Mënyra se si i shoh gjërat është se ne jemi me fat që e kemi pasur për 6 vite të Junajtid dhe tifozët duhet ta kuptojnë një gjë të tillë”, tha Ferguson.

Trajneri skocez pret me padurim të vihet edhe përballë Zhoze Murinjos, në një sfidë që ai e cilëson shumë interesante edhe për vetë imazhin e Mançester Junajtid.

“Ta sqarojmë që në fillim, nuk kam një bilanc të mirë përballë Murinjos dhe dua ta rregulloj këtë gjë. Por përqendrimi do të jetë te Kristiano. Do të jetë një sfidë fantastike dhe shpresoj që të vijnë në fushën tonë me shansin që të kualifikohemi. Kemi kohë që nuk kemi përjetuar një sfidë të madhe evropiane pasi nuk u kualifikuam në vitin e kaluar. Ndaj kjo është një mundësi e mirë për Junajtid të kthehet përsëri si protagonist në Evropë”, tha tekniku skocez i “djajve të kuq”./lajmeshqip

1 komente në “Ferguson: Ronaldo është i mirëpritur në Mançester”

  1. Argita_B says:

    Si mos ta mirepresi Manchester, e bleu 17 milion, e shfrytezoi 3-4 vite dhe e shiti 94 milion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje