Ish-futbollisti i kombëtares franceze, Zinedin Zidan, beson se Brazili është skuadra që duhet mundur në Botërorin 2014 që organizohet pikërisht në vendin e Amerikës Latine.
Brazili ka fituar për herë të fundit këtë turne në vitin 2002 në finalen ndaj Gjermanisë, ndërsa legjenda e futbollit francez mendon se edhe këtë radhë ka gjithçka në favorin e vet për të përsëritur suksesin.
“Brazili është vendi i futbollit. Sipas meje ata janë favoritë pasi kanë avantazhin se luajnë në fushën e tyre dhe kanë një numër të madh lojtarësh të talentuar”.
“Ata kanë shumë cilësi individuale. Kanë të rinj të shkëlqyer si Neimar dhe Lukas Moura, të cilët janë vetëm 20 vjeçarë dhe kanë që tani shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi francezi i cili ka qenë protagonisti i asaj finaleje pikërisht kundër Brazilit në vitin 1998, kur shënoi 2 gola në suksesin 3-0 ndaj “seleçaos”.
Brazili shkarkoi pak kohë më parë trajnerin Mano Menezes, ndërsa i ka besuar kombëtaren Luiz Felipe Skolarit, teknikut që e shpalli kampion bote në vitin 2002.