Sër Aleks Ferguson ka kërkuar që mbrojtësi i Suonsit, Eshli Uilliams, të pezullohet për një kohë të gjatë pas një incidenti të shëmtuar në të cilin trajneri mendon se Robin Van Persi mund të vdiste.
Sulmuesi i Mançester Junajtid ishte i shtrirë në tokë në minutën e 74-t pas një faulli, ndërsa Uilliams e gjuajti me top në kokë nga shumë afër, duke bërë që të niste një zënkë në fushë, pasi holandezi reagoi ndaj këtij gjesti.
“Kjo është një nga gjërat më të rrezikshme që kam parë në futboll prej shumë vitesh. Ai mund të kishte vdekur. Uilliams duhet të pezullohet për një kohë të gjatë”, tha Ferguson për lojtarin uellsian që është njëkohësisht edhe kapiteni i skuadrës e cila ndali në barazim 1-1 Mançester Junajtid në takimin e djeshëm.
“Goditja ishte plotësisht e qëllimshme. Bilbili kishte rënë, loja ishte ndalur dhe ai e bëri një gjë të tillë para syve të gjyqtarit. Seriozisht, mund ta kishte vrarë! Ishte e paturpshme”, shtoi trajneri i “djajve të kuq” në përfundimin e ndeshjes.
Por këtë mendim nuk e ndajnë të gjithë ata që kanë qenë në fushën e lojës, duke filluar nga sulmuesi Uejn Runi, i cili ishte pranë aksionit në momentin që ndodhi.
“Kjo është një ato gjërat që ndodhin me raste në fushën e lojës. Bilbili ka rënë por lojtari është në vrapim e sipër për të larguar topin, ishte thjesht pa fat që e goditi në kokë. Mendoj se gjyqtari veproi drejt duke mos i dhënë karton të kuq”, u shpreh sulmuesi anglez.