Histori apo meny qebaptoresh?

26 Dhjetor 2012, 21:08Blog TEMA

Nga Edvin Kukunja

Pesëmijë e njëqind e njëzetë e pesë vjet. Ky është numri, numri që shpreh largpamësinë, shtrirjen në kohë të imagjinatës dhe shpresës të një qytetërimi. Fiset Maya, me njohuri në kufijtë e bestytnisë, arritën ta projektonin identitetin e tyre, traditën dhe kulturën, në një hapësirë kohore si kjo, një pafundësi brezash, ëndrrash dhe idesh. Kaq ditën ata e kaq bënë.

Përafrimi mund të duket i tepërt, por ndërkohë që dëgjoj pallavrat e Kryeministrit tonë, i cili ka zbritur si një rrobaqepës mes nesh e me gërshërë në dorë shqep këtu e pret atje, duke u munduar t’i bëj vetes një “kostum historik”, të atillë që të përshtatet sa më shumë me shëmbëlltyrën e tij prej dështaku, nuk di pse më vjen ndërmend largpamësia e të parëve kundër qorrësisë të këtij të fundit. I gjithë revizionizmi historik që ai po mundohet të realizojë mban erë marifeti elektoral, pra vullnet i projektuar në 6 mujorin që vjen, periudhë pas skadimit të së cilës ai do të marrë mësimin e radhës.

“Ngeshmëria” e tij politike ka filluar të shprehë ashiqare shenjat e një skizofrenie patologjike. Thomëni, ku tjetër ndodh në botë që kryeministri, i cili ka për detyrë të qeverisë jetën ekonomike të një vendi, të gjejë kohë e të merret me ngritjen e shtatoreve dhe sjelljen e eshtrave të atij apo këtij personazhi historik? Historia shkruhet në salla e ambiente akademikësh, me të merren këshilla akademike, të cilët hulumtojnë fakte dhe dokumente, në heshtjen e bibliotekave dhe arkivave. Por s’ka si të jetë ndryshe në vendin tonë, vend në të cilin kryetarja e Kuvendit jep me “vështrime institucionale” sugjerime mbi mbarëvajtjen, apo dhe mbi vetë ekzistencën e Akademisë të Shkencave shqiptare.

Kemi mbërritur në pikën ku vetëm paradoksi, si strukturë argumentative që mund të përcjellë kuptimin e ndodhive në kohë e përtej çastit, arrin të përmbajë, pa u shpërbërë nga pesha e iracionalitetit të pacipë, aktet dhe gjestet politike të një marrie të tillë. Populizëm revanshist, populizëm si ai Lega Nordit (Lidhja e Veriut e Umberto Bossit në Itali) që shpik popuj me armiq e miq imagjinar, për të gjetur kështu një justifikim jo-politik për mbajtjen në këmbë të një qenie politike, siç është një parti.

Në doktrinën e politikës moderne (shih M.Weber) është e shpresueshme që një forcë politike, përveç të pasurit një identitet ideologjik të qartë, të ketë një strukturë njerëzore dhe programatike e cila e projekton vizionin e saj në përditshmërinë e vegjëlisë, në zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe shoqërore që përjetojmë. Pra, Partitë politike si entitete të sekularizuara e jo entitete ultra-tokësore dhe depozitare të një të vërtete absolute, qoftë kjo dhe pseudo-historike. Sipas këtij këndvështrimi, një forcë politike, në pushtet apo në opozitë, është një institucion i shoqërisë në mënyrë të barabartë me institucione të tjera, siç janë akademitë, grupet e interesave të ndryshme, shoqëria civile etj, etj. Si rrjedhojë, në shoqëri me hapësira të gjera frymëmarrjeje për individin, historia është objekt i një debati shkencor dhe gjithëpërfshirës, përpara se të jetë një argument banal politik apo dhe më keq, një trill elektoral.

Por për liderin e mazhorancës nuk është kështu. Në vizionin e tij Partia është shoqëria, Partia është kombi, dhe si rrjedhojë lideri i saj ka juridiksion që nuk njeh kufi. Ai është i legjitimuar për gjithçka dhe shprehet me direktiva, të cilat nxirren nga ligjërimi i tij. Ai di gjithçka mbi gjithçka, mbi arrorët apo agrumet (pemë që është zhdukur tashmë në katalogun e bimësisë të vendit tonë), e pse jo dhe mbi historinë. Merret ai me gjithçka, dhe në gjithçka thotë mungon totalisht një vizion i cili na projekton ne si shoqëri në kohë e në hapësirë. Si rrjedhojë ne jemi një shoqëri pa frymëmarrje, ku çdo hapësirë e mundur për individin që të zhvillohet dhe emancipohet, është tashmë e uzurpuar nga ky mentalitet totalitar.

Shihni se si bashkëpunëtorët e tij i trajtojnë institucionet dhe ministritë që kanë uzurpuar falë besnikërisë së tyre bestytnike ndaj tij. Ministritë janë tashmë pronë private, të trashëguara si të ishin pronat e babait. Ministria jam unë, thotë Olldashi dhe e ndjekin me radhë në kor të gjithë zengjinët. Ky virus, virusi i personalizimit të institucioneve dhe subjektivizmit të institucionalizuar tashmë, është dëmi më i madh që mund ti bëhej jetës institucionale të vendit tonë. Dhe e gjithë kjo mban era fashizëm.

Ndaj e ndërsa dëgjoj për maya-t dhe për kulturën e tyre, plogështi e pafund më gllabëron. Si ka mundësi që ky dhe zengjinët e tij, nuk e kanë kuptuar akoma që janë me vonesë, që janë personazhe absurde të një ëndrre të dalë kohe. Duhet të kishin lindur në ato vite, dhe me shumë gjasa do t’ia kishin ngrënë kokën njëri-tjetrit përpara se të bënin dëmet që vazhdojnë e bëjnë. Imagjinoni, Sali Berisha, Ahmet Zogu, Esat Pashë Toptani, Sokol Olldashi, e një shpurë e tërë bylykbashësh bazhibozukë që hahen e grihen se kush është i pari. Ç’spektakël!

Nuk e dimë se kush më pas do t’u kish mbijetuar, e si duke u zgjuar pas një dreke të rëndë, në tretje e sipër gjithë gromësima e gazra, do t’u kish ngritur shtatore nëpër sheshet e qyteteve tona. E gjithë kjo në tentativën për t’i shpëlarë sadopak nga qesharakja që i karakterizon si personazhe të denjë për barsoleta. Ç’spektakël! Ai po që do të kish qenë fundi i botës, fundi i një bote të vjetër, botë e kalbur, ku mbretëron irracionaliteti dhe bestytnia, një botë ku vesi i keq është virtyt, dhe morali xhybe e rëndë për shpatulla burrecësh.

Por kjo botë nuk ka vdekur akoma, është akoma e gjallë dhe këlthet në grahmat e fundit, dhe në grahmat e fundit i ngre shtatore vetes, si ai i dëshpëruari, i cili kërkon të lërë një gjurmë të vogël ndërkohë që vorbulla e kohës e tërheq me forcë nëpër humnerat e harresës. Ky do të ishte fillimi më i shpresuar për ne. Dhe me shumë gjasa ky fillim do të përkonte me heqjen dorë nga çdo qasje ndaj Historisë sikur ajo të ish meny qebaptoresh.

3 komente në “Histori apo meny qebaptoresh?”

  1. OTEMA says:

    O TEMA PO A I LEXONI PARA SE TI BOTONI KETO? PES MINUTAT ME KOT QE KAM KALUAR DUKE LEXUAR SHKRIMIN E KTIJ TRAPI!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

  2. ardi says:

    Bravo Edvin! Fakti qe ka dhe trapa qe nuk te kuptojne nuk eshte faji yt. Fundi i botes ishte i mireparashikuar , po jo per boten e njerezve, po per boten e diktatoreve dhe kur kane mbetur edhe kater muaj nga ikja e plehres Sali Berisha , maya-t, nuk kane gabuar. Nje ne Siri dhe nje ne Shqiperi tregojne me se miri se bota e diktatoreve nuk ruhet nga trapa seksionesh partishe qe pergjojne cdo opinion te TemA. Bravo per shkrimin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje