Për Volfarthin,... "atë të birrës"!

28 Dhjetor 2012, 23:23Blog TEMA
Për Volfarthin,... "atë të birrës"!

 

Nga Kristo Mërtiri

-Bëj durim e më dëgjo pak, miku im. Ai zoti Eugen, më qafsh, nga cila majë Olimpi na foli ditët e fundit ?…Apo kërrejnë ca karamele nga xhepat dhe kujtojnë se populli i thjeshtë në Shqipërizën tonë i pret gojëhapur e i lëpin pranë oxhakut të rrethuar nga sofrat që “pëlcasin” prej bollëkut,-mu drejtua i irrituar e jo pa qesëndi,  miku im.

-Kur këndova gazetën me deklarenë e tij në shkallën më sipërore, më hipi gjaku në kokë. Dhe jo vetëm mua. Se ti e di mirë, nganjëherë edhe gënjeshtrat marrin dhenë. Vërtet i kanë këmbët të shkurtra, por janë ustallesha të njohura për ta bërë edhe qimen sa një tra e anasjelltas. E thosh bukur ai Meksi me rrënjët nga nahija jonë(një nga ishthemeluesit më me kulturë të PD dhe i pa mbytur në pellgjet erërënda të servilizmit).Në defterin tim mbajta shënim dy-tre fjali, kur e pyetën për ambasadorin e OSBE-së:”-Kush, Volfarth, ai që i bën reklamë birrës ? Mbase unë nuk e kuptoj, sepse sic kam thënë edhe herë të tjera, nuk flas osëbe-isht. Ai dhe të tjerët si ai duhet të jenë të paanshëm e të drejtë…”. Dëgjove, dëgjova thuaj ! Me temenara e hosanara nga vilat e kryeqytetit, jemi ngopur gjer në grykë. Se Shqipëriza jonë, ore babam, nuk janë vetëm bulevardet,”Rogner”,”Sheraton” e diskot në Tiranë dhe as ekranet televizive e kamerat e ngujuara pranë luksit që përcjellin antenat mbi Dajt a Trebeshinë. Më thuaj ti, por edhe kolegët e tu në media: Në një vend të varfër e të qeverisur keq, a nuk është turp pasuria ?…

Ofshama therëse dhe e drejtpërdrejtë e mikut tim në Jug, më nxiti të shfletoj e lexoj edhe hollësira në shtyp. Se ai nuk flet kurrë kodra pas bregut. Të vërtetat e jetës i shikon drejt e në sy dhe nuk përdor furça partiake. Ndoshta prandaj nuk mban në xhep sot e kësaj dite asnjë teserë të forcave politike që lindin e shtohen cdo vit. Por unë u ndjeva edhe më keq kur gjeta Deklaratën “bombë”(më saktë: shashkë tymuese!) të zotit Ambasador:

-“Në 2012-n, Shqipëria ka arritur nivelin më të lartë që ajo ka pasur ndonjëherë sa i përket të drejtave të njeriut”(?!)…

Superlativa të tilla nuk besoj se janë “lapsus” i rëndomtë, as naivitet kalimtar diplomatik dhe aq më pak “përkthim i dobët”. Kështu mund të shprehen vetëm ndonjë tabor me militant fanatikë e të pagdhendur ose beniaminë pushtetarësh pa shtyllë kurrizore e pa zemër njeriu. Pushteti i tepërt dhe pasuria e pamerituar të zenë sytë ! Por harrojnë dicka fare të thjeshtë: Vec të tjerave, ato janë edhe si thika me dy presa…Le të mos largohemi nga ajo “kartolinë” ekskluzive e Volfarthit në këtë fundviti të trishtë :

Së pari, në “nivelin më të lartë” të të Drejtave të Njeriut, a hyjnë edhe 152 shqiptarët e ikur në botën tjetër vetëm gjatë vitit 2012 ? Po 118 vetë që i mori plumbi mesjetar i hakmarrjes e gjakmarrjes shumë larg shtetit të vërtetë ligjor, në cilat statistika europiane hyjnë vallë ? Po 25 femrat që mbyllën sytë përgjithmonë dhe që nuk takuan dot kurrë duart e Ligjit e as të Kanunit, mos do e marrin vesh të vërtetën e Perëndisë në parajsë ?!…

Së dyti, nuk po ndalemi gjatë te gjyqet përvëluese e pikëlluese të Remzi Hoxhës; te 26 kufomat e shkrumbuara të Gërdecit; te 4 viktimat protestuese të përjetëshme përmes bulevardit të përgjakur “Dëshmorët e Kombit” e të tjera ngjarje tepër të hidhura jashtë kalendarit të sivjetëm. Po trupin flakadan të Lirak Bejkos e të Gjergj Ndrecës, vetëm arkivat televizive botërore do i mbajnë apo dosjet e OSBE-së në Vjenë ? Po ligësinë, menefregizmin dhe cinizmin e pashoq shtetëror përballë frymëmarrjes së fundit të Shpëtim Karamucës në Grevën e Urisë (pas 25 vjetëve burgim), në cilën statistikë e raport të “nivelit më të lartë” të Drejtave të Njeriut bën pjesë ?…

Së treti, po milionat e miliardat e pista nga Shqipëria, që ndotin ende bankat e Europës e të Perëndimit dhe shtojnë ethet e varfërisë e të mjerimit në vendin tim, përse nuk “pijnë” ujë në deklaratën tuaj, zoti Ambasador ? Po e theksoj, janë fakte tronditëse nga viti 2012 …

Së katërti, pa folur për fshatrat e zonave kodrinore e malore(sinqerisht, mos paç nevojë për ndonjë ilaç a gjëlpërë, sepse do jesh i kënaqur edhe po u ndodh rastësisht një veteriner për ndihmë mjekësore!), po në disa udhëkryqe të Tiranës që hallexhinjtë jo më kot i thërrasin “sheshet Omonia”, a i ke vëzhguar të papunët që presin të kallkanosur kafshatën e përditëshme të gojës ? Pamje të tilla dëshpëruese, te cila e drejtë europiane t’i strehojmë vallë ?…

Së fundi, bashkëqytetarët e mi nuk e fshehin krenarinë si shtetas të një vendi që fali 28 mijë vajza e djem nënash për Lirinë e Demokracinë e vërtetë dhe u rreshtua me dinjitet në Koalicionin Antifashist Botëror. Po ngritja e monumenteve dhe dekorimi i kuislingëve e tradhëtarëve të kombit, cilat të Drejta të Njeriut “në nivelin më të lartë” përfaqësojnë ?!…Duke vecuar gjuhën politike të drejtuesve kryesorë të sotëm të Parlamentit e të Qeverisë që përdorin e shpërdorin emra atdhetarësh të mëdhenj dhe emra tradhëtarësh të mëdhenj, akademiku dinjitoz, kokëplot e trim, Rexhep Qosja, e quan karrem përpara elektoratit që mund ta gëlltisë. Ndërsa primitivizmin politik e pushtetar; gjuhën vulgare; veprimet banale; marrëzitë e dhunën ndaj kundërshtarëve politikë; përçmimin ndaj Kushtetutës dhe Ligjeve; trajtimin e shtetit si të ishte fshat pa kanun i kohës së Tanzimatit etj., e quan autokraci blegtorale !…

-Ore babam, i thuaj Eugenit nga ana ime, le të begenisë ndonjë ditë edhe nahijen tonë, se në vend të birrës do kënaqet nga burimet e kulluara të Golikut e Trebeshinës,-do më thosh miku im në Jug.-Po nuk pati nge, zahmet e ke, pyete açik: Dorëzanë i kujt po bëhet ? Bën hajgarë me hallexhinjtë apo nëpërkëmb edhe Avokatin e Popullit, edhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit ? Pyes kështu, sepse gjetkë “dasma” e tij dhe gjetkë daullja e tyre ! Këta tanët i thanë shkoqur ca gjëra për pensionistët, invalidët, ish të burgosurit politikë, për fatin e familjeve të shtëpive qiramarrëse, për dhunën në familje, për vendimet e Gjykatave që nuk i fërshëllen pushteti i radhës etj. U tha publikisht:”Viti 2012 ishte një vit i vështirë edhe sa i takon respektimit të të drejtave njerëzore”. Si ato për jetën, punësim, shkollim, integrim, drejtësi, ushqim. Politikanëve e qeveritarëve u dhëntë Zoti ymër të gjatë, veçse jo më nëpër kolltuqet ministrore e parlamentare ! Boll e kanë ngrënë turpin me bukë…

Mirëpo përballë dëshpërimit ekonomik e social, herë pas here na dalin ca kalanderë fondacionesh “jofitimprurëse!” deri përtej oqeaneve dhe na radhisin nga më të parët rreth globit. Ulërimë me thes në kokë ! Ja një fakt rrënqethës nga foltorja parlamentare: Mbi gjysma e spitaleve rajonale nuk funksionojnë (?!)…Po kujt i përrallisin ata “shakaxhinj të përparimit”, qofshin në Tiranë, Boston e gjetkë ? Nuk mund të mos kujtojmë pragun e pluralizmit politik, kur morëm atë medaljen botërore për Ushqimin. Dhe kur ? Në një kohë që tatëpjeta rrokullimë e vendit po mbante frymën gjallë me…tollona ! Paralelizma të tilla flasin shumë si për “Shqipërinë urbane” dhe për “Shqipërinë rurale”. Vallë, gjuhën e këmbanave, kaq fort e ka lidhur korrupsioni ? Tjetër. Nëpër sirtërët e Parlamentit tonë po dergjen 7 raporte nga Avokati i Popullit. Dhe nuk është një censurë e zakonshme topalliane. Mendoni pak se si sillen me njerëzit e thjeshtë e shtresat në nevojë. Paradoksi “ligjor” shkon më tej: Opinioni i gjerë publik nuk paska të drejtë të dëgjojë a të lexojë mendimet e Avokatit të vet, po nuk u miratuan në ato salla hijerënda (?!). Dhe mbyllin sytë e veshët kur hyjnë nëpër dyqanet ushqimore, atje ku listat nuk po pakësohen. Sepse në mos litarin, shumë njerëz e kanë halën në grykë. Ndërsa mercenarët e thekur partiakë në administratën lokale e qëndrore, në media e gjetkë, i bëjnë gënjeshtrat “si bukë e djathë”. Kjo skotë e njohur, vjen duarthatë nëpër shkallët e pushtetit dhe shkon…duarnjomë ! Drejtësia arratiset nga besimi popullor. Barkplotët nuk mendojnë për barkboshët (apo këta janë përtej të Drejtave të Njeriut ?). Kush i ka ndjekur sadopak ato kronikat vezulluese me fëmijët e pleqtë e vetmuar në shtëpitë shtetërore, apo ato me deputetë, ministra e gazetarë të listuar, e nuk u trishtua. Sepse kjo fasadë neveritëse nuk është Shqipëria reale ! Duke u kthyer shend e verë pas atyre darkave llamburitëse, po të kthejnë kokën qoftë edhe nga dritaret e veturave, me siguri do shikojnë njerëz që shtrijnë dorën lypsare ose ata që rrëmojnë kazanët e bashkisë plot mbeturina. Po flasim për zemrën e kryeqytetit, pa shkuar në periferi dhe as në malësitë e Veriut e të Jugut. Madje deri edhe rrotull Parlamentit. Se deputetët, qeveritarët apo “gazetarët” shërbëtorë të majmur nuk duan të dinë se ç’ndodh “pas mureve të trasha, pas perdeve të rënda”…Mjaft prej tyre duke gogësitur, kanë prenotuar bileta avioni, hotele luksoze, kazino etj. “shpërblime” për Vitin e Ri 2013.

 

9 komente në “Për Volfarthin,… “atë të birrës”!”

  1. asnjans says:

    E cfare jane keto populizma qe thurni per te huajt,Volfarti ne fund te fundit te krahason me shtetet afrikane dhe nga ata sido qe te jete me lart qendrojme ,pse volfarti do te regulloj shqiperine ty?Ai krahason me te shkuaren qe padiskutim ka shume ndryshim per mire jo per merita te qeverive,degjojini te huajt se kane lindur ne bote te lire kurse shumica jone ne diktature dhe ecin me mentalitet komunizmi,se ti or mik i kishe te ardhurat per fryme para 20 vjetesh 400 $ e sot i ke gati4000$ por gjermanine e francen nuk i arin dot sepse ata kishin Geten e Volterin ndersa ti haxhi qamilin prandaj thote volfarti dhe te huajt e tjere qe ka ndryshime per mire,eee sa ka kjo pune por ti e une nuk e besoj ta shikojme shqiperine sic duhet sepse do shekuj qe te krijosh shtet normal.

    1. Landi- Sverige says:

      Nuk e dija qe Shqiperia ben pjese ne Afrike dhe qe nje perfaqesues europian, me mentalitetin “kapitalist te botes se lire”, na krahason me vendet afrikane!! Po me cilat vende afrikane na krahason se shumica e tyre ne te gjitha drejtimet jane shume me larte se ne?! Ty te gezojne te ardhurat per fryme, por harron fuqine blerese, harron papunesine, harron gjysmen e popullsise te emigruar, harron fukarallekun kudo, harron qe bota ecen perpara dhe ne vazhdojme te zvarritemi duke shkaterruar e vjedhur gjithshka ne kete “shtet”!! Po cila eshte e vecanta jone qe duam shekuj te behemi shtet, mos valle deklaratat e ketyre perfaqesuesve te botes se lire mbi “arritjet tona gjigande”? Ndoshta, sepse ne kujtojme se te gjithe qe na vijne nga “bota e lire” jane njerez te paster e te ndergjegjshem, por harrojme se kudo ne boten e lire ka vjedhes, ka te koruptuar, ka vrases, ka mafioza, ka pederasta, ka te droguar, ka lloj-lloj njerezish dhe lloj-lloj ideologjish! Mos valle perrallat e qeverise “demokratike”? Ndoshta, sepse injoranca jone, mungesa e kultures demokratike, bejne qe shume njerez te besojne te keto perralla. Mos valle edhe vet ne me indiferentizmin tone dhe mungesa e kultures qytetare? Ndoshta, dhe kjo eshte thelbesorja dhe po vazhduam si deri me sot, sigurisht qe do te duam, jo vetem shekuj te ndertojme shtet,por edhe shekuj te quhemi qytetare me kulture demokratike!

  2. rezi says:

    Të drejtë ke ti o Kristo, po mos harro se edhe Europa ka ca të tillë, që majmen me vëndet e varfëra, bëj si them unë por mos bëj si bëj unë. Ky Trimi i birrës mos mendo se është ndonjë i zgjuar, pastaj ti e di që Saliu ka filluar të servirë një supë që kur e hanë disa, brënda e jashtë, ose sëmuren fizikisht ose i zë sëmundja e korrupsionit. Thuhet se edhe Z. Klinton u sëmur në turneun nëpër Europë, mos qoftë e thënë ti ketë dhënë supë Sala ynë? Këtë të OSBE-së supa e ka veshur me korrupsionin, mjafton një birrë dhe ai fillon lavdërimet…po shkruajini atyre në Evropë dhe numurojani.

  3. Mezan Bregu says:

    Zoti Mertiri. Te pergezoj per shkrimin realist. Me vjen keq qe nje organizate e tille e nderuar, si OSBE ka shef misioni ne shqiperi dallkauke te tille. Eshte e cuditshme qe njerez si ky, qe ku leh qen e ku del tym dhe ku ja ben dajreja bym, ulen si ne shtepine e tyre. Si mund te gjykojne e te ndihmojne per mire keta!

    Te urojme Z.Mertiri per penen tende qe nuk ben kompromise, ndaj i lexoj me shume dashuri shkrimet e tua. Kam deshire ta pi nje kafe me ty dhe te te uroj shendet dhe penen-xixe.

    Mezan Bregu

  4. Halili says:

    Faleminderit Kristo,
    Asnje presje nuk i heq shkrimit tend.

    Halili

  5. Qako says:

    Fatkeqsi kur sheh qe diplomat si ky Volfarti do luftojne korupsion ne shqiperi.
    Ben mire zoti Kristo qe shkruan per keto tema. Te nderoj dhe te respektoj pe cfare ke shkruar e po shkruan. Temen e nderojne firma te gazetareve te ndershem si Kristo Mertiri qe kurre nuk u ben pre e poshtersive, ure e ligesive.

    Respekte i nderuar, shume respekte.E kerkoj me firmen tende.

    Qakua nga Carshova

  6. ernesto says:

    Jo i birres i qofteve thuaj

  7. era says:

    Ato qe shkruan jane te verteta por nuk mjaftojne!
    E di si thone shqiptaret: “I Zoti e Nxjerr Gomarin nga Balta”
    Ne duhet te ngrihemi dhe te kerkojme largimin e ketij palo ambasadori idiot qe me prezencene vet ne shqiperi fyen pothuajse gjithe popullin shqiptar(pothuajse sepse ka dhe te ngjashem me veten ketu ne albanistanin e saliserbit).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje