Juventusi siguron huazimin e Peluso

31 Dhjetor 2012, 12:05Sport TEMA

Federiko Peluso mund të cilësohet përforcimi i radhës i Juventusit, që ka siguruar shërbimet e mbrojtësit të Atalantës të paktën deri në fundin e këtij sezoni. Kampionët e Italisë kanë arritur të gjejnë akordin për huazimin e lojtarit për shifrën 1 milion euro deri në fund të sezonit, me të drejtën e blerjes përfundimtare që është caktuar në shifrën 4 milion euro.

Lojtari pritet t’i bashkohet skuadrës së tij të re që me 2 janar, kur do të zyrtarizohet kjo marrëveshje dhe ai do të vihet nën drejtimin e Antonio Konte në stërvitjen e skuadrës.

Tre ditë më parë ishte vetë drejtori i përgjithshëm i Atalantës, Pierpaolo Marino që kishte konfirmuar për një marrëveshje të mundshme me bardhezinjtë rreth futbollistit në fjalë.

“Lojtari i pëlqen shumë skuadrave që kanë kërkuar informacion rreth blerjes së tij. Ka pasur interesim nga Juventus që filloi bisedimet me të që në verë. Moralisht, kemi vendosur që t’i japim prioritetin Juventusit, do të diskutojmë situatën me vetë lojtarin”, ishte komenti i Marino, të cilit i kanë mjaftuar pak ditë për të gjetur akordin me homologët e tij te Juventusi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje