Ferguson provokon Njukasëll: Klub i vockël

29 Dhjetor 2012, 12:31Sport TEMA

Aleks Ferguson është bërë objekt polemikash të ashpra pasi etiketoi Njukasëllin si “një klub i vockël në veri-lindje”. Trajneri i Mançester Junajtid po i kundërpërgjigjej akuzave të bëra nga tekniku i Njukasëll, Alan Pardju, të cilit nuk i kishte pëlqyer mënyra se si trajneri i “djajve të kuq” kishte sulmuar gjyqtarët gjatë ndeshjes.

“Problemi kryesor për mua dhe Mançester Junajtid është profili i këtij klubi, i cili është jashtëzakonisht i madh. Unë jam trajneri i klubit më të madh në botë. Këtu nuk jemi si te Njukasëll, një klub i vockël në veri-lindje. Alan Pardju është më i keqi ndër të gjithë për të ngacmuar gjyqtarët”.

“Edhe të mërkurën ai e bëri një gjë të tillë. Ai shtyn gjyqtarët dhe qesh rreth këtyre gjërave, ndërsa tani ka guximin të dalë e të më kritikojë mua. Kjo është e pabesueshme. Meqë ra fjala, ai harroi gjithë ndihmën që i kam dhënë unë. Edhe shtypi ka pyetur çdo person të mundshëm rreth kësaj çështje. I vetmi që nuk kanë pyetur është Barak Obama, pasi ai është i zënë për momentin me punë të tjera”, ishte shpërthimi i Ferguson.

Sulmi ndaj trajnerit skocez erdhi pas fitores 4-3 të Mançester Junajtid kundër Njukasëll, ku Ferguson shpërtheu kundër gjyqtarëve të ndeshjes, duke u përballur me ta, sepse kontestonte golin e dytë të ekipit kundërshtar. Por ai shpëtoi pa u ndëshkuar nga Federata Angleze, pasi gjyqtari Majk Din nuk e kishte përfshirë ngjarjen në protokollin e tij. Ndërsa Pardju u dënua në këtë sezon me një ndeshje pezullim pasi shtyu gjyqtarin e katërt gjatë suksesit 2-1 kundër Totenhem.

“Ne jemi krenarë për klubin tonë të vockël që ka 50 mijë tifozë në çdo ndeshje”, ishte deklarata e një zyrtari të Njukasëll si kundërpërgjigje ndaj Ferguson. Atij iu bashkua edhe komenti i Endi Udman, trajneri i portierëve të kësaj skuadre. “Sa qesharake! Pas ndeshjes, zoti Ferguson na ofroi pije dhe kek! Nuk na tha asgjë në fytyrë! Përsa i përket klubit të vockël, eja këtu dhe takohu me tifozët e vërtetë”.

1 komente në “Ferguson provokon Njukasëll: Klub i vockël”

  1. Man Red says:

    Ferguson eshte trainjeri me i mire ne bote.Manchester eshte ekipi me i mire dhe kjo nuk ka kundeshtim se faktet kane folur…….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje